Kush je ti? Bota do të ta thotë, nëse nuk e di vetë

“The world will ask you who you are, and if you don’t know, the world will tell you.” Një thënie që shpesh i atribuohet Carl Jung-ut (ndonëse nuk është i sigurt për këtë), u frymëzua për të shkruar këtë tekst, mjekun psikiatër dhe psikoterapistin Neli Demi. Ai flet për pyetjen që secili prej nesh ia ka bërë vetes ndonjëherë: “Kush jam unë?”. Gjithashtu, na fton të reflektojmë për maskat që mbajmë çdo ditë dhe për guximin që duhet për të qenë vetvetja dhe për të parë fytyrën tonë të vërtetë.

Shkruar nga Neli Demi

Pyetja që nuk pret gjatë

Në jetën time si psikiatër e psikoterapist e kam dëgjuar në forma të ndryshme këtë pyetje: “Kush jam unë?” Ndonjëherë e thotë një grua që ka jetuar gjithë jetën për të qenë “e bija e dikujt” apo “gruaja e dikujt”. Ndonjëherë e thotë një burrë i lodhur që nuk ka qenë kurrë vetvetja, vetëm “i forti i lagjes”, roli që ia vuri në fillim familja e pastaj bota. Kjo pyetje nuk është kurrë e butë. Është therëse, nganjëherë si thikë. Dhe bota nuk pret përgjigjen tënde: nëse nuk flet, të vë një maskë në fytyrë.

Maska që ngjitet

Në terapi, maska fillon të shfaqet si diçka e padëmshme: një sjellje e përsëritur, një fjalë që nuk është e jotja, apo një buzëqeshje që të mban pezull. Por, shpejt kupton se maska nuk është më vetëm në fytyrë, është ngjitur në lëkurë. Dhe atëherë krijohet boshllëku. Në terapi e sipër kam parë sy që ndriçojnë për një moment, atëherë kur njeriu kupton se gjithë jetën ka jetuar me identitetin që bota i ka dhënë dhe bashkë me atë dritë, kam parë edhe dhimbjen që sjell ky zbulim.

Shqipëria dhe pasqyrat e shtrembëruara

Në vendin tonë kjo plagë është edhe më e mprehtë. Historia jonë ka qenë një histori e të qenit të emërtuar nga të tjerët: diktatura që të thoshte kush duhet të jesh, pushteti i sotëm që shpesh të fut në një kategori për të të kontrolluar, emigrimi që të jep një emër të ri, një identitet që nuk është plotësisht i yti. Është sikur të jetosh gjithmonë përballë një pasqyre të shtrembëruar. Dhe ndonjëherë, në vend që të pyesësh “Kush jam unë?”, pranon versionin që sheh aty.

Guximi i të qenit vetvetja

Por, ky është edhe shansi ynë më i madh: të mos mbetemi të burgosur të pasqyrës së botës. Në dhomën time të terapisë, shpesh më vjen ndër mend se sa i vështirë është ky guxim: të heqësh maskën, të shohësh fytyrën tënde, të pranosh plagët, frikërat, historinë. Por, vetëm aty fillon liria. Jo liria abstrakte e fjalimeve politike, por liria intime e njeriut që thotë: “Ky jam unë, me dritën dhe me hijen time.”

Një reflektim personal

Si çdo njeri, shpesh e kam ndjerë presionin e botës që do të më tregojë kush jam. Politika, opinioni publik, madje edhe pritshmëritë e njerëzve pranë meje. Është një betejë e përditshme për të mos e lejuar këtë zë të bëhet më i fortë se zëri im i brendshëm. Dhe këtë betejë, secili prej nesh mund dhe duhet t’a bëjë i vetëm.

Ndoshta nuk ka pyetje më të vjetër se ajo që na vë përballë botës dhe vetes: “Kush jam unë?”
Në fund të ditës, nuk është çështje filozofësh, as psikoanalistësh, as politikanësh. Është çështje e çdo njeriu që sheh pasqyrën dhe pyet veten nëse ajo që shfaqet aty është fytyra e tij, apo maska që bota ia ka dhënë. Dhe ndoshta guximi më i madh nuk është të kesh një përgjigje të plotë, por të mos lejojmë që të tjerët të na japin një të rreme.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top