Në thellësinë e Amazonës në Brazil, shkencëtarët kanë krijuar “laboratorin e së ardhmes” që pompon dioksid karboni mbi kurorën e pyjeve tropikale për të simuluar kushtet atmosferike të parashikuara për të ardhmen, me qëllim që të kuptohet se si ky ekosistem do të përshtatet. Ky eksperimenti do të diskutohet gjatë Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP30, që mbahet muajin e ardhshëm në Brazil.
Në projektin AmazonFACE pranë Manaus, qytetit më të madh të Amazonës, gjashtë unaza prej hekurash të larta shtrihen mbi kurorën e xhunglës, secila rreth grupeve prej 50 deri në 70 pemëve të rritura. Pas testeve fillestare, shkencëtarët do të ekspozojnë pemët në tre nga këto unaza ndaj dioksidit të karbonit në nivele që pasqyrojnë parashikimet klimatike për dekadat e ardhshme, ndërsa pjesa tjetër e pemëve do të shërbejë si mostër kontrolli.
“Po përpiqemi të krijojmë atmosferën e së ardhmes,” tha Carlos Quesada, koordinatori i Institutit Kombëtar për Kërkime në Amazon (INPA), që po udhëheq eksperimentin së bashku me Universidade Estadual de Campinas.
Shkencëtarët theksojnë se ruajtja e pyjeve tropikale, si Amazonia, është thelbësore për të zbutur efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike. Gjatë konferencës për klimën, që mbahet nga 10 deri më 21 nëntor në qytetin Belem, ku Basseni i Amazonës takohet me Oqeanin Atlantik, politikanët do të diskutojnë mbi pasiguritë lidhur me mënyrën se si pylli mund të përshtatet me një planet që ngrohet dhe me një atmosferë në ndryshim.
FACE, që është shkurtim i Free-Air CO2 Enrichment (Pasurimi i Dioksidit të Karbonit në Ajër të Hapur), do t’i mundësojë Quesadës dhe ekipit të tij të studiojnë efektet e niveleve të rritura të dioksidit të karbonit mbi pemët gjigante dhe bimësinë përreth. Projekti mbështetet nga qeveria federale e Brazilit dhe nga Mbretëria e Bashkuar.
Eksperimente të ngjashme FACE janë kryer edhe në vende të tjera të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku Departamenti i Energjisë testoi ekosistemet e zonave me klimë të temperuar. Por, AmazonFACE përfaqëson një hap të ri, sipas inxhinierit të pylltarisë Gustavo Carvalho: “Ky është eksperimenti i parë në një pyll natyror të kësaj madhësie në tropikë,” tha ai nën hijen e kanopisë amazone.
Gjatë fazës fillestare, sensorët regjistrojnë reagimin e pyllit ndaj ndryshimeve çdo 10 minuta, duke treguar se si gjethet e pemëve thithin dioksidin e karbonit dhe lëshojnë oksigjen dhe avull uji si përgjigje ndaj shiut, stuhive dhe diellit, shtoi Carvalho. Në fazat e mëvonshme, eksperimentet do të krijojnë mikroklima artificiale me nivele më të larta të dioksidit të karbonit.
“Nëse një model parashikon një sasi të caktuar dioksidi karboni në atmosferë në vitin 2050 ose 2060, ne do ta rrisim këtë sasi në këto zona të testimit për të kuptuar se si pylli reagon,” tha Carvalho. “Këtu do të kemi një zonë të vogël brenda pyllit ku mund të hyjmë dhe të dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”
