te jesh vetvetja

Larry Robertson: Fuqia e një lideri qëndron te veprimet e vogla të përditshme

Sipas ekspertit të lidershipit Larry Robertson, ndikimi i vërtetë nuk matet me fjalë të mëdha apo tituj, por me mënyrën si menaxhoni momentet e vogla të përditshme.

Shumë njerëz mendojnë se për të qenë një lider me ndikim duhen veprime të mëdha, deklarata të fuqishme, gjeste të bujshme apo edhe pozicione të rëndësishme. Por, sipas Larry Robertson, themelues i Lighthouse Consulting dhe ekspert i lidershipit, ndikimi i vërtetë ndërtohet nga veprimet e vogla që shpesh kalojnë pa u vënë re. Pikërisht ato krijojnë modele sjelljeje që tregojnë më shumë për një lider sesa çdo fjalim apo titull zyrtar.

Rendi i gabuar i gjërave

Robertson shpjegon se shumë liderë i vendosin “gjërat e mëdha” në krye të hierarkisë si një deklaratat publike, rolet me autoritet apo vendimet madhështore, duke e parë lidershipin si një skenë ku duhen bërë gjeste të dukshme. Në këtë mënyrë, ato veprime të vogla, të përditshme që formojnë karakterin dhe besimin lihen në fund të listës.

Sipas tij, kjo qasje është e rrezikshme, sepse janë pikërisht gjërat e vogla që përcaktojnë modelin e vërtetë të lidershipit. Modelet e krijuara nga veprime të vogla dhe të përsëritura janë ato që tregojnë nëse ndikimi i dikujt është i qëndrueshëm apo thjesht i përkohshëm.

Shembulli i një gabimi të vogël

Robertson ndan një përvojë personale. Ai tregon se kishte për t’u dërguar dy email-e të rëndësishme për dy partnerë të mundshëm, të cilët ishin konkurrentë me njëri-tjetrin. Për të kursyer kohë, përdori një pjesë të të njëjtit tekst për të dy, por në emailin e dytë harroi të ndryshonte emrin e marrësit të parë.

Gabimi ishte i vogël dhe vetëm një person do ta dinte. Megjithatë, Robertson vendosi të vepronte ndryshe: i kërkoi ndjesë menjëherë marrësit të dytë dhe e pranoi hapur gabimin. Siç tregon ai, kjo zgjedhje ishte më shumë se një korrigjim, ishte një mesazh i qartë për mënyrën se si ai udhëheq. Pranimi i përgjegjësisë dhe transparenca në momente të tilla janë pjesë e modelit që formon lidershipin real.

Të udhëheqësh veten, përpara të tjerëve

Robertson thekson se çdo njeri është lider në një mënyrë apo tjetër dhe jo vetëm në punë, por edhe në jetën e përditshme. Por “më i madh” nuk do të thotë “më i zhurmshëm”. Liderët më të mirë janë ata që nisin duke udhëhequr veten, që pranojnë gabimet, mësojnë prej tyre dhe veprojnë me ndershmëri, edhe kur askush nuk i sheh.

Sipas tij, lidershipi me ndikim gjendet tek qendra e vëmendjes, por në prapaskena, në mënyrën si dikush reagon ndaj sfidave, si i trajton njerëzit dhe si ruan përulësinë në momente të vogla që shumica as nuk i vënë re.

Madhështia lind nga veprimet e vogla

Në përfundim, Robertson nënvizon se ndikimi i vërtetë i një lideri nuk përcaktohet nga fjalimet apo gjestet madhështore, por nga veprimet e vogla të përditshme që formojnë një model të qëndrueshëm sjelljeje.

“Mos kërkoni gjithmonë të bëni diçka të madhe,” sugjeron ai. “Mendoni ndryshe: përqendrohuni te e vogla, te veprimet e përditshme që përsëriten. Pikërisht aty qëndron forca e lidershipit që zgjat.”

INC

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top