Teksa shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, koha e pajisjes me dokumente identifikimi për këta qytetarë do të përgjysmohet. Konfirmimi vjen nga administratorja e Kompanisë shtetërorë të prodhimit të dokumenteve IdentiTek, e cila bëri me dije gjithashtu mundësinë për aplikim edhe përmes zyrave të lëvizshme në qytetet ku jetojnë.
“Kemi zhvilluar një modul të ri teknologjik, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve duke nisur nga ky muaj, i cili bën përgjysmimin e kohës së nevojshme. Pra, qytetarët tanë të diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë. Përveç kësaj kemi nisur proceset për të vizituar ambasadat dhe konsullatat me fluks më të lartë të diasporës për t’u siguruar që çdo proces të kalojë në mënyrë të lehtë ashtu si edhe t’i paraprijmë çdo problematike qe mund të kemi në të ardhmen”, – shpjegoi administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj.
Gjatë vizitës pranë zyrave të IdentiTek ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se me afrimin e zgjedhjeve duhen organizuar të gjitha kapacitetet, për të pasur lehtësim në të gjithë regjimin e aplikimit dhe prodhimit e pasaportave dhe kartave të identitetit.
“Një nga proceset më kryesore është aplikimi i shtetasve shqiptarë pranë konsullatave kudo ku ata ndodhen, sa i përket pajisjes me letërnjoftime dhe pasaportë. IdentiTek është në krye të këtij procesi, të cilin e drejton nëpërmjet grupeve të tij operacionale duke dërguar këto grupe pranë konsullatave dhe ambasadave të vendit tonë për një aplikim dhe për lehtësimin e këtij regjimi”, – theksoi Ministri.
Paralelisht u bë me dije se janë marrë masat sa i përket burimeve njerëzore, që të punohet me kapacitet të plotë dhe t’i paraprihet fluksit që pritet të ketë në procesin e ardhshëm elektoral. Kapaciteti i plotë i prodhimit është 6,000 mijë pasaporta dhe 15,000 mijë karta identiteti në ditë.