Me shtëpizën e drurit në sheshin Skënderbej në Tiranë, Agroturizmi Mrizi i Zanave, u dha një shuplakë trendeve moderne të produkteve me emra të huaj. Sheshi që u kthye ndër më të shtrenjtit në Europë, për çmimin e kafes, sanduçit, apo një gote verë. Në fakt u sfidua nga një produkt origjinal, gjenuin dhe jo të panjohur për ne: bukë e djathë.
Klientëve të tij, të habitur nga radha e gjatë e pritjes, Altini Prenga u thotë se ka kuptuar që njerëzit duan shijet origjinale, ato të hershmet, mundësisht ato më të cilat janë rritur.
Në fakt, nuk është e vështirë të kuptojmë, se të gjithë ne, duam shijet e ushqimeve që gatuanin gjyshet dhe nënat tona, por lumi i modës, trendit, na ka marrë me vete.
Prodhues e konsumatorë janë futur në nje rreth vicios, ashtu si audienca dhe prodhues televizivë, e madje ashtu si votues e politikanë. Ofruesi mendon se “këtë do masa”, dhe masa e merr të mirëqenë. Rrjedhimisht ofruesi bindet dhe vazhdon me strategjinë e tij të gabuar.
Sot, kur sipërmarrjet flasin për strategji të mëdha marketingu, kur zhvillohen kurse të shumta dhe me kosto jo të vogla, një agroturizëm, nga fshati që e ka parë realitetin me sytë hapur shumë kohë më parë, përmes At Gjergj Fishtës, na jep disa leksione si sipërmarrës e mbi të gjitha si qytetarë. Cilat janë mesazhet e Mrizit përmes produktit “Bukë e Gjath” në Sheshin e kryeqytetit?!
1-Konsumatori do origjinalen, autoktonen.
2- Do njeriun e thjeshtë, pa maskë, biznesin pa fasadën që mund të fshehë një realitet krejt të kundër pas.
3- Konsumatori do të shkuarën e tij, emrin e thjeshtë, produktet me të cilat është rritur.
4- Vlerëson kur mes njerëzve që shërbejnë është edhe vetë themeluesi.
5- Blerësit nuk mahniten vetëm pas emrave të huaj dhe nuk janë të lumtur të paguajnë shtrenjtë për një produkt që nuk e njohin
6- E duan raportin e drejtë cilësi-çmim
7- Kur e duan diçka me të vërtëtë, dinë të mbajnë radhë
8- Vlerësojnë bizneset që ndikojnë pozitivisht në mjedisin përreth. Mrizi i Zanave ka rigjallëruar të gjithë zonën.
Këto mesazhe të Mrizit të Zanave, nuk vlejnë vetëm për agroturizmat e tjerë, apo sipërmarrjet vendase. Ai konsumator është gjithashtu edhe audienca e mediave në vend, është po ashtu qytetari që voton. Jepi produktin, platformën dhe mesazhin e duhur dhe do të marrësh vlerësimin e tij, duke lartësuar kështu tregun, median dhe politikën e këtij vendi.
Nga Albana Muçaj