Sga Bradley Murray autor dhe psikoanalist. Ai shkruan për lumturinë në epokën digjitale dhe ndikimin e teknologjisë në shëndetin mendor.
Në shoqërinë e sotme, shumë njerëz e ndërtojnë jetën rreth kërkimit të kënaqësisë: ushqim i mirë, udhëtime, argëtim dhe punë që të duket si lojë. Rrjetet sociale e kanë përforcuar këtë qasje, duke e kthyer jetën në një garë të heshtur se kush duket më i lumtur.
Çfarë na mëson Marcus Aurelius sot?
Sipas Bradley Murray-t, filozofia na ndihmon të ndalemi dhe të pyesim veten: a është kënaqësia qëllimi i vetëm i një jete të mirë? Filozofët stoikë, si Marcus Aurelius, ofrojnë një këndvështrim tjetër, një jetë të ndërtuar mbi virtytin, jo mbi rehatinë.
Marcus Aurelius, perandor romak dhe filozof stoik, e përdorte filozofinë si udhëzues praktik për jetën. Që në moshë të re, ai zgjodhi qëllimisht parehatinë, duke besuar se kjo forcon karakterin dhe ndihmon në kultivimin e virtyteve thelbësore.
Një nga idetë më të njohura të Aurelius është se nuk janë ngjarjet ato që na shqetësojnë, por mënyra si i gjykojmë ato. Në Meditimet, ai shkruan se shqetësimi vjen nga gjykimi ynë për situatat e jashtme, jo nga vetë situatat.
Kjo ide mbështetet edhe sot nga psikologjia moderne, veçanërisht nga terapia njohëse-sjellore (CBT), e cila u mëson njerëzve të riformulojnë mendimet për të menaxhuar më mirë stresin.
Një studim i fundit e ilustron këtë qasje: studentëve të improvizimit teatror iu kërkua të përqafonin ndjesinë e sikletit, jo ta shmangnin. Ata që e panë parehatinë si pjesë të procesit, qëndruan më gjatë në ushtrime dhe morën më shumë rreziqe.
Sipas Murray-t, ky mësim vlen për jetën në përgjithësi. Në një epokë gjithnjë e më të personalizuar nga teknologjia, me chatbot-e, robotë dhe realitete virtuale të përshtatura sipas nesh, rrezikojmë të humbasim aftësinë për të duruar parehatinë.
Pikërisht kjo parehati është ajo që na ndihmon të forcojmë rezistencën, të formësojmë karakterin dhe të jetojmë një jetë me më shumë kuptim, përtej kënaqësisë së çastit, përfundon ai.
