Aizberg

Lidershipi në panair: si dalja nga zona e “kontrollit” zbulon aftësitë e vërteta të drejtuesve të bizneseve

Shkruar nga Enejda Sheku, CEO & Co-founder of Iceberg Exhibitions | Business Developer | Top-notch experience in B2B & Strategic Partnerships

 

Në një botë biznesi, ku aktiviteti nuk resht së ndaluari, ritmi ështe gati gati frenetik, e çdo gjë është në lëvizje konstante, duket se dikush po bën diçka gabim… Drejtuesit që negociojnë dhe zhvillojnë rutinën e punës vetëm brenda mureve të zyrave. Këto mjedise të strukturuara, ku ndërveprimet e kontrolluara përcaktojnë çdo aspekt të punës së përditshme. Kjo hapësirë e mbyllur shndërrohet pikërisht në tempullin e një biznesmeni, i cili udhëhiqet nga norma dhe protokolle dhe jeta e tij profesionale ndjek një ecuri të rregullt. Ka shumë pak vend për spontanitet dhe ajo çfarë ndodh kur duhet të lënë pikërisht këtë mjedis të njohur, është përballja me një realitet të paparashikueshëm, që kërkon reagime të shpejta, të paplanifikuara, dhe, shpesh, të papërgatitura.

Pjesëmarrja në një panair apo event, është momenti kur një biznesmen shpesh zbulon dimensione të reja të karakterit të tij profesional dhe të lidershipit, të cilat nuk mund të dalin në pah në një mjedis të kontrolluar.

Gjatë eksperiencës sime në organizimin e panaireve dhe eventeve, kam pasur mundësinë të vëzhgoj se si përfaqësuesit e bizneseve dhe sidomos vendim-marrësit ndryshojnë sjelljen dhe qasjen kur ndodhen në një mjedis të tillë. Ky ndryshim nuk është thjesht për shkak të një mjedisi të ndryshëm, por është i lidhur ngushtë me mënyrën e reagimit ndaj situatave të papritura dhe të paparashikueshme. Vetëbesimi i kontrolluar që një lider biznesi mund të ketë në zyrën e tij, shpesh transformohet në një angazhim më organic, kur ai ndodhet përpara audiencës në një stendë panairi, duke prezantuar kompaninë që drejton apo duke u përgatitur për një panel diskutimi.

Nga një qëndrim pasiv në një angazhim aktiv

Mark H. McCormack, në librin e tij “Ccfarë Nuk Të Mësojnë në Harvard”, thekson rëndësinë e daljes nga zona e rehatisë për zhvillimin personal dhe profesional. Ai sugjeron se mjediset jashtë kësaj zone, ku individët detyrohen të ndërveprojnë dhe të veprojnë në kushte të reja për to, mund të jenë jashtëzakonisht edukative dhe informuese. McCormack shpjegon se për të stimuluar rritjen dhe mësimin, është e nevojshme që njerëzit të eksperimentojnë me situata dhe kontekste të ndryshme. Autori citon shpesh në libër se, me iniciativën e tij, ka nxitur organizimin e eventeve dhe aktiviteteve me klientë potencialë, bashkëpunëtorë etj., për të mësuar më shumë nga sjellja e tyre, që do të mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrë afatgjatë një vendim biznesi.

E sjell këtë referencë pasi lidhet ngushtë me shumë histori dhe eksperienca që kam ndeshur gjatë panaireve. Një organizator panairesh duhet të jetë gjithë sy e veshë për sjelljet e ekspozuesve dhe mund të them me bindje se një sallë panairi mund të jetë një mjedis shumë i mirë për të studiuar përshtatshmërinë, inteligjencën emocionale dhe artin e rrjetezimit spontan. Kam njohur shumë drejtues biznesesh që brenda zyrave të tyre kanë transmetuar mesazhe rreth personalitetit të tyre në biznes, duke u paraqitur si autoritarë, të rezervuar, gjakftohtë etj. Por gjatë ditëve të panairit, të njëjtët individë kanë shfaqur një personalitet krejt ndryshe, shumë më të hapur dhe të gatshëm për të njohur njerëz të rinj ose për të eksploruar mundësi të reja. Shpesh ndodh që një drejtues biznesi në një vend të vogel si Shqipëria bën rezistencë ndaj pjesëmarrjes në një panair sektorial duke argumentuar se “i njohin të gjithë në sektor”, por në momentin që janë aty, e kupton lehtësisht që vetë ata angazhohen plotësisht në kërkimin e mundësive të reja, duke bërë ushtrimet bazë siç është analiza e sjelljes së klientëve, vizitorëve të rastësishëm, konkurrencës dhe duke kërkuar më shumë mundësi për rritje dhe zhvillim. Në këtë mjedis, bëhet shumë e qartë se kush e ka më të lehtë të përshtatet me situata të paparashikueshme dhe kush ka vështirësi dhe kërkon mbështetje nga një mjedis i kontrolluar.

Disa drejtues janë të aftë të shfrytëzojnë çdo mundësi që shfaqet në panair, duke përdorur aftësi të shkëlqyera për të treguar histori që prezantojnë dhe rrisin vlerat e biznesit, produkteve, shërbimeve të tyre, duke demonstruar gjithashtu inteligjencën e tyre emocionale për t’u lidhur me audiencën, përtej mundësive financiare që mund të ofrohen. Ndërsa të tjerë mund të jenë më të tërhequr, më të mbyllur dhe të shprehin një varësi më të madhe ndaj “rehatisë” së mjediseve të kontrolluara dhe sigurisë që ato ofrojnë. Ajo që e bën këtë lloj eventi kaq të rëndësishëm është pikërisht dalja jashtë rutinës për një periudhë rreth 4-5 ditësh (duke marrë parasysh edhe ditët parapërgatitore ku angazhimi është vërtetë i lartë).

Panairet si katalizatorë të lidershipit, rrjetezimit dhe rritjes së biznesit

Panairet janë mjedise informale dhe dinamike, ku procesi i shpejtë i krijimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit nxit kreativitetin dhe zbulon aspekte të reja të lidershipit që mund të rrinë fshehur dhe të pazbuluara. Për ata që e përqafojnë eksperiencën e panaireve, cfare merr pas eventit kalon përtej nënshkrimit të kontratave apo vizibilitetit të markës. Bizneset marrin nga panairi informacion më të gjerë për veten, për klientët, konkurrentët dhe për industrinë ku operojnë.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top