Kampionati Kombëtar të Rafting në lumin e fundit të egër të Europës, Vjosa është bërë një traditë tashmë. Së fundi, Federata Shqiptare e Rafting organizoi për herë të 8-të 8 ekipe nga lumenjtë: Vjosa, Osumi, Drini të Zi, Bënçë, Bistricë, Shkumbini dhe Drinos, të cilët garuan për kupat 2025!
Ekipi i Vjosës fitoi vendin e parë me kapiten: Aldo Sakollari dhe sportistët: Kevi Jaupi, Geri Cingo, Alush Jahja
Vendi i dytë u arrit nga skuadra e Lumit Bënça me kapiten: Pajtim Vraniçi dhe sportistët: Luka Gramo, Genri Theodhori, Oltion Gjoni
Vendi i tretë u zu nga Vjosa 2 me kapiten Jonas Ibrahimi dhe sportistët: Ildi Jace, Antonio Beqiri, Cristian Moriconi.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, tha se, ” profesionalizmi, gara dhe miqësia mes skuadrave e ngritën nivelin e këtij edicioni”. Kampionati Kombëtar i Rafting 2025 shënoi një nivel të ri konkurrence dhe bashkëpunimi në ujërat e Vjosës.
Kampionati i zhvilluar në Përmet, shënoi një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve ujore në Shqipëri. Krahasuar me vitet e mëparshme, ky edicion ishte dukshëm më konkurrues dhe me një pjesëmarrje më të gjerë ekipesh nga të gjitha trevat, falë edhe organizimit paralel me javën stërvitore për guidat e reja të rafting.
Lumi i fundit i egër i Europës ofroi një skenë perfekte për garat, veçanërisht në muajin prill, kur niveli i ujit është optimal për rafting. Spektakli nisi me një start masiv dhe dinamik, ku ekipet u hodhën në ujë me gomone dhe garuan krah për krah në një kurs teknikisht sfidues, që kulmoi me një përballje emocionuese në segmentin poshtë urës së qytetit të Përmetit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në prani të Ministrit të Turizmit dhe Kryetarit të Bashkisë së Përmetit. Kjo ishte edhe përmbyllja e dhjetë ditëve intensive të stërvitjes dhe garës. Ambicia e radhës për Federatën Shqiptare të Rafting është ngritja e një kampi të përhershëm për rafting në qytetin e Përmetit, i pajisur me porta sllallomi, për të rritur kapacitetin organizativ dhe konkurrues të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Lumi Vjosa, me rrjedhën e tij të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ofron potencialin ideal për këtë vizion.