MABCO Construction SA

MABCO Construction denoncon paligjshmërinë e hapave për kontratat biznesore në Aeroportin e Vlorës

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Grupi Mabetex në një njoftim zyrtar denoncon veprime të paautorizuara në Aeroportin e Vlorës dhe paralajmëron për pavlefshmëri absolute dhe pasoja ligjore të rënda për çdo kontratë të lidhur.

MABCO Construction SA, shoqëria zvicerane dhe ortaku mazhoritar me 98 % të kapitalit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, VIA shpk, është shprehur se çdo kontratë, marrëveshje qiraje apo akt tregtar që po lidhet ose do të tentohet të lidhet për dyqane, bare, duty free apo shërbime të tjera në Aeroportin e Vlorës, nga z. Vegim Hoxha ose nëpërmjet tij, është juridikisht inekzistente, absolutisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, këto veprime po kryhen në kundërshtim flagrant me ligjin, me statutin e shoqërisë dhe me vendimet në fuqi të gjykatës, duke krijuar një situatë serioze pasigurie juridike dhe rreziku ekonomik për çdo palë të tretë që, me ose pa dijeni, përfshihet në këto marrëdhënie “Z. Vegim Hoxha nuk është dhe nuk ka qenë kurrë administrator i ligjshëm me kompetenca të plota i VIA shpk. Emërimi i tij bazohet në një vendim të pretenduar të asamblesë së përgjithshme të datës 11 dhjetor 2025, i marrë në mënyrë të njëanshme nga shoqëria 2A Group shpk, e cila zotëron vetëm 2 për qind të kuotave të kapitalit. Ky vendim është marrë pa pjesëmarrjen e ortakut mazhoritar dhe në mungesë të plotë të kuorumit ligjor, në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për shoqëritë tregtare, çka e bën atë të pavlefshëm ab initio, pa prodhuar asnjë efekt juridik”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, me 19 dhjetor të vitit të kaluar, pranoi kërkesën për sigurim padie të MABCO Construction SA dhe ka vendosur shprehimisht kufizimin e kompetencave të administratorit të pretenduar, duke ndaluar çdo veprim që prek pasuritë, pagesat, të ardhurat apo interesat financiare të MABCO Construction SA brenda VIA shpk.

MABCO Construction paralajmëron se çdo kontratë që lidhet aktualisht për ambiente tregtare në Aeroportin e Vlorës dhe nëpërmjet një personi të paautorizuar nga aksionari mazhoritar që zotëron 98 për qind të aksioneve, ekspozon drejtpërdrejt palët e treta ndaj humbjeve financiare, proceseve gjyqësore dhe anulimit të menjëhershëm të çdo të drejte të pretenduar, pa asnjë mundësi transferimi të përgjegjësisë.

MABCO Construction SA i bën thirrje publike autoriteteve zyrtare shqiptare, përfshirë institucionet mbikëqyrëse dhe administrative kompetente, që të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj këtyre veprimeve të paautorizuara, të cilat rrezikojnë jo vetëm sigurinë juridike të palëve të treta, por edhe integritetin e një projekti strategjik me rëndësi kombëtare si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Shoqëria ka ndërmarrë dhe po ndjek paralelisht rrugët ligjore, duke depozituar padi për konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit të asamblesë së përgjithshme, si dhe padi kundër Qendrës Kombëtare të Biznesit, për regjistrimin e këtij emërimi të paligjshëm në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet gjyqësore në fuqi.

Grupi njofton subjektet tregtare, kompani, operatorë duty free, rrjet bar restorantesh apo investitorë potencialë që të mos mashtrohen nga tentativa për të krijuar një realitet të rremë ligjor. “Çdo angazhim i tillë do të rezultojë në një fiasko juridike dhe ekonomike, për të cilën përgjegjësia nuk mund dhe nuk do të transferohet te shoqëria koncesionare apo te ortaku mazhoritar”, thuhet në njoftim.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top