Mario Draghi

Mario Draghi: BE duhet të bëhet një federatë e vërtetë që të shmangë deindustrializimin

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Ish-kryeministri italian tha se Bashkimi Europian rrezikon nënshtrimin, përçarjen dhe deindustrializimin, nëse nuk afrohet më shumë brenda vetes.
“Europa rrezikon të nënshtrohet, përçahet dhe deindustrializohet”, nëse nuk shndërrohet në një “federatë të vërtetë”, deklaroi ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, në një fjalim të mbajtur të hënën në Universitetin KU Leuven në Belgjikë.

Sipas Draghit, “fuqia kërkon që Europa të kalojë nga konfederatë në federatë”, sepse rendi global është “tashmë i rrënuar”.

Në fjalimin e tij, të mbajtur me rastin e marrjes së diplomës së nderit nga universiteti, Draghi përshkroi një rend global të dështuar, duke e gjurmuar fillimin e rënies së tij te anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe te fillimi i tregtisë së vendeve perëndimore me një shtet “që kishte ambicie të bëhej vetë një pol i veçantë”.

Kjo, tha ai, përgatiti terrenin për “kundërpërgjigjen politike me të cilën po përballemi sot” dhe përfundimisht prodhoi “një botë me më pak tregti dhe me rregulla më të dobëta” – e dhimbshme, por jo një kërcënim në vetvete.

“Kërcënimi është ajo që e zëvendëson atë”, tha Draghi, duke iu referuar një ndryshimi në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. “SHBA po vendos tarifa ndaj Europës, po kërcënon interesat tona territoriale dhe, për herë të parë, po e bën të qartë se e sheh fragmentimin politik europian si diçka që i shërben interesave të saj.”

Nga ana tjetër, shtoi ai, Kina vazhdon të kontrollojë nyje kritike të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe është e gatshme ta shfrytëzojë këtë ndikim duke mbushur tregjet, duke kufizuar inpute kritike dhe duke i detyruar të tjerët të mbajnë koston e mungesës së saj të balancave.

Federalizëm pragmatik

Përballë përpjekjeve të SHBA-së për të kombinuar partneritetin me dominimin dhe faktit që Kina po mban modelin e saj të rritjes, duke eksportuar kostot te të tjerët, BE-ja duhet të ndryshojë ndjeshëm strukturën e saj, tha Draghi, duke paralajmëruar se “bashkimi i vendeve të vogla nuk prodhon automatikisht një bllok të fuqishëm”.

Ai argumentoi se në fushat ku Europa është “federalizuar” – tregtia, konkurrenca, tregu i përbashkët, politika monetare – ajo “respektohet si një fuqi dhe mund të negociojë si një e vetme”.

Si shembull solli marrëveshjet tregtare “të suksesshme” të negociuara së fundmi me Indinë dhe Amerikën Latine.

“Ndërsa aty ku nuk e kemi bërë këtë – në mbrojtje, në politikën industriale, në politikën e jashtme – ne trajtohemi si një bashkim i lirë shtetesh të mesme, që mund të përçahen dhe të trajtohen si të tilla”, tha Draghi.

“Një grup shtetesh që koordinon mbetet një grup shtetesh – secili me të drejtë vetoje, secili me llogaritjet e veta, secili i cenueshëm për t’u goditur një nga një.”

Ai e përshkroi propozimin e tij si një “federalizëm pragmatik” që “thyen ngërçin me të cilin përballemi sot pa nënshtruar askënd”.

“Shtetet anëtare zgjedhin të marrin pjesë. Dera mbetet e hapur për të tjerët, por jo për ata që do të minonin qëllimin e përbashkët. Nuk kemi nevojë të sakrifikojmë vlerat tona për të arritur fuqinë”, tha Draghi, duke përmendur euron si “shembullin më të suksesshëm”, ku disa vende të BE-së nisën që në fillim dhe të tjerat iu bashkuan më vonë.

Ai u shpreh se, mes të gjithë atyre që sot janë në presion mes SHBA-së dhe Kinës, vetëm europianët kanë mundësinë të bëhen vetë një fuqi e vërtetë. Prandaj duhet të vendosim: të mbetemi thjesht një treg i madh, duke iu nënshtruar prioriteteve të të tjerëve, apo të hedhim hapat e nevojshëm për t’u bërë një fuqi? Një Europë që nuk mund të mbrojë interesat e saj nuk do t’i ruajë vlerat e saj për shumë gjatë.

Euronews

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top