Meta ka sjellë një veçori të re për krijuesit e përmbajtjes në Facebook dhe Instagram, duke u dhënë mundësinë përdoruesve të përkthejnë automatikisht Reels në gjuhë të ndryshme, falë teknologjisë Meta AI. Sipas njoftimit të bërë nga Mark Zuckerberg, kjo risi synon të eliminojë barrierat gjuhësore dhe të lidhë komunitetet përmes përmbajtjes që frymëzon, argëton dhe mëson.
Reels që flasin në gjuhën tënde
Në fazën e parë, përkthimet janë të disponueshme në anglisht, spanjisht, hindi dhe portugalisht, ndërsa Meta ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shtohen edhe gjuhë të tjera.
Kjo do t’u mundësojë krijuesve që përmbajtja e tyre të arrijë audienca të reja në disa nga tregjet më të mëdha të Reels në botë — pa pasur nevojë për përkthim manual apo dublim profesional.
Meta AI përkthen, dublon dhe sinkronizon automatikisht lëvizjet e buzëve të krijuesit me zërin e përkthyer, duke ruajtur timbrin dhe tonin origjinal të zërit. Rezultati është një përmbajtje që tingëllon autentike, sikur të ishte regjistruar direkt në gjuhën e synuar.
Si funksionon dhe kush mund ta përdorë
Opsioni “Translate voice with Meta AI” është falas dhe aktualisht i aksesueshëm për:
të gjithë krijuesit në Instagram me llogari publike, dhe
përdoruesit e Facebook me mbi 1,000 ndjekës,
në vendet ku Meta AI është aktiv.
Kur publikojnë një Reel, krijuesit mund të zgjedhin gjuhën në të cilën duan ta përkthejnë videon dhe të aktivizojnë dublimin automatik ose sinkronizimin e buzëve për një përvojë më natyrale të shikimit.
Në anën e përdoruesve, çdo video e përkthyer do të shënohet qartë me etiketën “Translated with Meta AI”, ndërsa shikuesit mund të zgjedhin vetë nëse duan ta ndjekin përmbajtjen e përkthyer apo origjinale, përmes seksionit “Audio dhe gjuhë” në menynë me tre pika të Reel-it.
Një hap drejt përmbajtjes globale
Sipas Meta-s, qëllimi është ta bëjë përmbajtjen “më të qasshme për të gjithë”, duke u dhënë krijuesve një mënyrë të re për të ndarë historitë e tyre me audienca ndërkombëtare.
“Imagjinoni të zbuloni një Reel që ju bën të qeshni, ju frymëzon apo ju mëson diçka të re, pavarësisht se në cilën gjuhë është krijuar – ky është e ardhmja që po ndërtojmë në Meta”, thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Kjo veçori, që nisi të testohej në vitin 2024 dhe po zgjerohet këtë vjeshtë në mbarë botën, është një tjetër hap në drejtim të ndërlidhjes globale të komuniteteve në platformat sociale tëKjo veçori, që nisi të testohej në vitin 2024 dhe po zgjerohet këtë vjeshtë në mbarë botën, është një tjetër hap në drejtim të ndërlidhjes globale të komuniteteve në platformat sociale të Meta-s.