Nëse po udhëtoni në Mbretërinë e Bashkuar, mund t’ju duhet të aplikoni në internet për një autorizim udhëtimi përpara se të shkoni. Duke filluar nga e mërkura, Mbretëria e Bashkuar do t’u kërkojë qytetarëve amerikanë, kanadezë dhe shtetasve nga vende të tjera që të kenë të ashtuquajturin autorizim elektronik të udhëtimit, ose ETA. Por, çfarë duhet të dinë udhëtarët?
Çfarë është autorizimi elektronik i udhëtimit?
ETA është një autorizim paraprak për udhëtarët nga vendet ku Mbretëria e bashkuar nuk kërkon viza. Mbretëria e Bashkuar e filloi programin në vitin 2024 për vizitorët nga Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Të mërkurën, ai hyn në fuqi për një mori vendesh të tjera.
Udhëtarët do të jenë ende të detyruar të kalojnë procedurat e imigracionit pas mbërritjes. SHBA-ja kërkon ETA për shtetasit nga vendet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë. Në vitin 2025, edhe vendet e BE-së do të fillojnë të kërkojnë këtë procedurë për shtetasit amerikanë dhe për shtetasit e vendeve të tjera me kushte të ngjashme. Ju nuk keni nevojë për një ETA, nëse keni një vizë dhe jeni të autorizuar të jetoni, punoni, ose studioni në Mbretërinë e Bashkuar.
Si mund ta marr një?
Aplikimi mund të bëhet online duke përdorur aplikacionin ETA të Mbretërisë së Bashkuar, i disponueshëm për Android dhe iPhone. Tarifa për aplikimin është 10 £ (rreth 12,50 dollarë) dhe vlefshmëria zgjat dy vjet, duke mbuluar vizita deri në gjashtë muaj. Tarifa paguhet me kartë krediti. Udhëtarët do të duhet të ngarkojnë fotografi të pasaportës dhe të tyren për të aplikuar. Aplikantët mund të presin rreth tre ditë për një vendim, të dërguar me email. Çdo person që kualifikohet për ETA do të ketë nevojë për një, duke përfshirë foshnjat dhe fëmijët. Edhe nëse jeni duke udhëtuar në një aeroport në Mbretërinë e Bashkuar për një fluturim lidhës me një vend tjetër, do të nevojitet një ETA.
cnbc.com