kompjuter

Më pak se 30% e punonjësve shqiptarë përdorin internetin në punë

Më pak se 30 përqind e punonjësve në Shqipëri përdorin internetin në punë, krahasuar me mesataren e BE-së prej 63 përqind, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024.

Vetëm një pjesë e kufizuar e punonjësve shqiptarë përdorin internetin gjatë orarit të punës, duke e renditur vendin tonë ndër vendet me nivelin më të ulët në kontinent (shih hartën më poshtë).

Në vendet nordike, si Suedia dhe Finlanda, mbi 85% e punonjësve përdorin internetin në punë, duke treguar një integrim të plotë të teknologjive dixhitale në mjediset e tyre të punës.

Të dhënat e Eurostat tregojnë ndryshime të mëdha në nivelin e dixhitalizimit midis ekonomive evropiane. Shumë ndërmarrje në vendin tonë, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, ende nuk kanë arritur të integrojnë teknologjitë online si pjesë të përditshme të aktivitetit të tyre ekonomik.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, niveli i përdorimit mbetet dukshëm më i ulët se mesatarja evropiane. Ndërsa mesatarja e BE-së arrin në 62.9%, Shqipëria, së bashku me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, renditet në zonën ku përqindja e punonjësve që përdorin internetin në punë është shpesh më pak se 30%.

Arsyet për këtë ndryshim lidhen ngushtë me strukturën ekonomike të vendit tonë. Pesha e lartë e sektorëve tradicionalë, si bujqësia dhe ndërtimi, ku interneti nuk është një mjet parësor pune, kufizon ndjeshëm dixhitalizimin e tregut të punës.

Në Shqipëri, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve janë mikro ose të vogla, me kapacitet të kufizuar financiar dhe teknologjik për të investuar në pajisje dixhitale dhe trajnime për punonjësit. Për më tepër, mungesa e mbulimit të plotë të infrastrukturës moderne të internetit në zonat rurale thellon hendekun midis qyteteve të mëdha dhe pjesës tjetër të vendit.

Shumë kompani shqiptare vazhdojnë të mbështeten në mënyrat tradicionale të punës, duke mos e parë internetin si një mjet që rrit produktivitetin. Përveç kësaj, mungesa e aftësive dixhitale te një pjesë e madhe e fuqisë punëtore, veçanërisht te brezat e vjetër, përbën një pengesë shtesë për përhapjen e gjerë të teknologjisë në vendin e punës.

Krahasuar me rajonin, Shqipëria është në një mesatare të ulët, ngjashëm me Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia tregojnë pak më shumë përparim, falë investimeve të mëparshme në teknologji dhe integrimit më të madh të shërbimeve online.

monitor.al 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top