Shqiptarët e diasporës jetojnë e punojnë me mendjen në vendlindje. Disa prej tyre edhe vendosin të kthehen. E tillë është historia e Marjo Zanaj, një profesionist i rritur dhe i arsimuar në Itali, i cili ka vendosur të hapë në Vlorë “Auto Garage Zanaj”. Njohuritë dhe përvojën e fituar në Itali, po i aplikon në sipërmarrjen e tij, duke ofruar shërbime mirëmbajtje për automjetet. Ai tregon për Va-spas se ka fituar një disiplinë pune dhe disa njohuri që mund të jenë avantazh për të.
Në vitin 1998, kur ai ishte 4 vjeç, familja e tij mori rrugën drejt Italisë. Asokohe, Shqipëria po kalonte trazira dhe pasiguri të mëdha. Babai i tij, oficer në profesion, vendosi të emigronte për t’i siguruar familjes një jetë më të qëndrueshme.
Pas disa viteve në Lecce, familja u vendos përfundimisht në Vicenza, në veri të Italisë ku Marjo u rrit, u shkollua dhe u formua si profesionist.
“Edhe pse u largova fare i vogël, nuk kam harruar asnjëherë vendlindjen time,” thotë ai sot, me një lidhje të fortë që e ka ruajtur gjithmonë me Vlorën.
Formimi dhe përvoja në Itali
Babai i Marjos punoi për vite me radhë si montator mekanik në fabrika të ndryshme, duke i siguruar mbarëvajtjen e familjes. Ndërkohë, Marjo dhe vëllai i tij ndoqën shkollën në Itali, ndërsa nëna e ndante jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, duke qenë gjithnjë ndihmë e familjes.
Në vitin 2010, pas daljes në pension, i ati vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri, ndërsa Marjo vazhdoi studimet në Itali.
Në moshën 18-vjeçare, ai mbaroi liceun teknik dhe mori diplomën si teknik mekanik (perito meccanico).
Ai tregon për ne, se që gjatë shkollës së mesme është praktikuar në një servis të përgjithshëm makinash, ku bëri praktikën profesionale për pesë vite rresht.
“Ofiçina e parë ku punova merrej me të gjitha llojet e makinave. Edhe pse nuk kisha kontratë, sepse isha student, merrnim një pagesë simbolike si pjesë e programit të shkollës,” kujton ai.
Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera, u kontaktua nga konçesionari i markave Fiat, Peugeot dhe Citroen, pranë qytetit Schio. Oferta për punë erdhi menjëherë dhe aty Marjo do të kalonte 16 vite rresht, duke ndërtuar karrierën e tij profesionale.
“Fillova si mekanik, por me kalimin e kohës, përkushtimi dhe përvoja bënë të mundur që të ngrihesha në detyrë. Pas pesë vitesh u emërova drejtor i servisit dhe këtë pozicion e mbajta për shtatë vjet.”
Puna në Itali i dha jo vetëm njohuri të thella teknike, por edhe mësime të vlefshme për menaxhimin, marrëdhëniet me klientët dhe organizimin profesional. Pikërisht këto përvoja u bënë themeli mbi të cilin do të ndërtonte më vonë biznesin e tij në Shqipëri.
Rikthimi në Vlorë dhe nisja e sipërmarrjes
Edhe pse i integruar plotësisht në Itali, Marjo nuk u shkëput kurrë nga vendlindja. Çdo verë apo festë e rëndësishme e gjente në Vlorë, pranë familjes dhe të afërmve.
“E kam dashur gjithmonë Vlorën si qytet, njerëzit dhe ndjesinë që më jep. Këtu janë rrënjët e mia,” shprehet ai.
Kur erdhi momenti për të bërë një hap të ri, frika dhe pasiguria nuk munguan. “Ndonëse e doja shumë Shqipërinë, isha formuar me stilin dhe mentalitetin italian. Nuk isha i sigurt si do funksiononte gjithçka këtu,” tregon ai.
Megjithatë, vendimi u mor: të hapte servisin e tij në Vlorë, duke i besuar mbështetjes së familjes dhe përvojës së fituar ndër vite.
Në vitet e para, sfidat nuk munguan. Ndryshe nga Italia, ku çdo takim apo marrëveshje respektohet në mënyrë të rreptë, në Shqipëri ai u përball me vështirësi në organizim dhe komunikim me klientët.
Për të përmirësuar përvojën e klientëve, krijoi dhomë pritjeje komode duke u servirur edhe kafe, ku të ndihen të mirëpritur. Ky detaj i vogël, por me ndikim të madh, i dha biznesit të tij një emër të mirë dhe lehtësi për të vazhduar punën i qetë.
Investimet për “Auto Garage Zanaj” ishin të gjitha me kursimet e fituara në Itali.
Qëllimi ishte i qartë: të sillte në Shqipëri metodologjitë, teknikat dhe standardet e larta të punës italiane.
“Dëshiroja të krijoja një servis modern, të pastër, profesional me rregulla të qarta dhe teknologji të avancuar, ashtu siç funksionon në Itali,” thotë ai.
Fakti që biznesi u regjistrua si biznes i vogël e ndihmoi të fillonte pa presione të mëdha financiare, falë tatimit të ulët mbi fitimin. Kjo i dha mundësinë të fokusohej te cilësia dhe zhvillimi i shërbimeve.
Një mesazh për diasporën: “Kthimi nuk është hap prapa”
Sot, Marjo Zanaj është një nga shembujt pozitivë të të rinjve shqiptar që u formua jashtë vendit dhe zgjodhi të investojë në atdhe.
Ai beson se çdo përvojë jashtë kufijve është një pasuri që mund të kthehet në vlerë për Shqipërinë.“Kam mbi 30 vjet që jetoj në Itali dhe e njoh mirë sistemin atje. Vendosa të kthehem për të dhënë kontributin tim. Besoj se rikthimi nuk është vetëm për fitim, por edhe për të sjellë përmirësime dhe kulturë pune.”
Për të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë, mesazhi i tij është i qartë:
“Nëse keni një zanat, një ide biznesi ose një përvojë profesionale, mos e mendoni rikthimin si rrezik, por atë që keni mësuar jashtë përdoreni për ta zhvilluar vendin tuaj. Shqipëria ka nevojë për njerëz që besojnë dhe duan të bëjnë ndryshimin.”
Historia e Marjo Zanajt është më shumë se rrëfimi i një sipërmarrësi, është dëshmi e fuqisë së përkushtimit dhe e lidhjes me rrënjët.
Pas tri dekadash në Itali, ai vendosi t’i japë Vlorës atë që ajo i dha atij dikur: një fillim të ri.