Muzeu i Luvrit në Paris, aty ku prej vitesh ruhen objektet e veprat e çmuara të artit botëror, është grabitur brenda 7 minutash në dritë të diellit. Vjedhësit kanë përfituar nga disa mangësi të sigurisë për ta kryer të qetë planin e tyre. 4 persona që ende nuk janë identifikuar, sipas inventarit kanë vjedhur një diademë dhe një broshë që i përkisnin perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III, një gjerdan me smeraldë dhe një palë vathë me smeraldë nga perandoresha Marie Louise, një diademë, një gjerdan dhe një vëth të vetëm nga seti me safirë që i përkiste mbretëreshës Marie-Amelie dhe mbretëreshës Hortense; një broshë të njohur si “brosha e relikuarit”, të gjitha të zbukuruara me diamante dhe gurë të çmuar. Në vendngjarje janë gjetur edhe dy sende dhe kurora e perandoreshës Eugénie dhe specialistët po e shqyrtojnë për dëmtime.
Si përfituan grabitësit nga faza e punimeve në muze
Gazeta “Le Monde” shkruan se projektet e restaurimit “Louvre nouvelle renaissance,” prekin vetëm zonën pranë Denonit, aty ku ruhet “Mona Lisa” si edhe në galerinë “Apollo” që e bënte më të lehtë aksionin e vjedhësve. Duke mos rënë në sy të publikut ata janë ngjitur në mes të rrugës me një ashensor mallrash të zakonshëm nga një kompani transporti. Hajdutët patën kohë të hapnin me forcë derën e një dritareje e me ndihën e një smerili me bateri dhe më pas të shkatërronin dy vitrina të sigurisë së lartë.
Mungesa e kamerave, pavarësisht denoncimeve të sindikatave
Shtyrja e kontratave për periudhën 2025-2029 për modernizimin e sigurisë, sipas punonjësve ka sjellë dëme serioze. Sindikata CFDT-Cultura ka reaguar ashpër duke kërkuar një auditim të plotë dhe të pavarur të sistemeve të sigurisë dhe parandalimit, një forcim të burimeve njerëzore për mbikëqyrje dhe pritje, si dhe transparencë të plotë në përfundimet e hetimit. Sindikata ka vënë para përgjegjësisë Presidentin e Republikës Macron dhe Ministrinë e Kulturës.
Ulja e numrit të rojeve
Ministri i Brendshëm, Laurent Núñez, ka dhënë garanci se sinjali i alarmit dhe kamerat kanë qenë funksionale, por sipas një punonjësi të Luvrit, kjo galeri tani ruhet vetëm nga pesë agjentë, në vend të gjashtë që ishin tradicionalisht. E gjithë vjedhja dyshohet se është bërë në pushimin e mëngjesit, aty ku mbeten zakonisht vetëm 4 roje. Punonjësi dëshmon se gjatë këtyre 30 minutave ata mund të kenë planifikuar të kryenin gjithçka.
Revolta e stafit
Drejtuesja e muzeut Laurence des Cars është pritur me fërshëllima në mbledhje. Ajo mblodhi punonjësit të dielën në orën 14:30 në sallën kryesore. “Le Monde” shkruan se ajo është pritur keq nga stafi. Ata nuk i kanë kursyer akuzat për administratën që ka qenë e paaftë për të bërë parashikime. Laurence des Cars pas situatës së djeshme i ka dërguar një email stafit ku sqaron paralajmërimet që kishte bërë kur ka marrë detyrën për nevojën e forcimit të arkitekturës së sigurisë dhe se me kërkesën e saj, prefektura e policisë ka kryer studime të detajuara.
Pistat e hetimit…
Ministri i Brendshëm, Laurent Núñez, duke u përpjekur të ruajë situatën ka dhënë garancinë se grabitësit do kapen. Ai njoftoi se ka nisur një hetim “grabitje të organizuar në grup dhe komplot për kryerjen e një krimi”. Ministri i cili më parë ka ushtruar detyrën e ish-shefit të Policisë së Parisit, foli për “hajdutë me përvojë,” që mund të jenë “të huaj”, dyshime që janë përforcuar edhe nga prokurorja e Parisit, Laure Beccuau. “Ekziston mundësia që ndonjë fuqi e huaj të ketë qenë “sponsori” i grabitjes.”-tha ajo.