Me 81 vota pro dhe 16 kundër, Kuvendi miratoi pas mesnate buxhetin e shtetit për vitin 2026.
Sipas planit financiar, të ardhurat e vitit të ardhshëm pritet të arrijnë rreth 8.5 miliardë euro, ndërsa shpenzimet afro 8.9 miliardë euro, duke përfaqësuar rreth 31.9% të PBB-së. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, shpenzimet janë rritur me rreth 550 milionë euro. Deficiti buxhetor do të qëndrojë në nivelin 2.3% të PBB-së, njësoj si parashikimi për këtë vit.
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit fokusohet te politikat sociale. Vetëm për vitin 2026 parashikohet një shtesë e ndjeshme e fondeve për këtë sektor: 100 milionë euro për rritjen e pensioneve sipas skemës së re dhe 135 milionë euro për rimbursimin e medikamenteve. Qeveria ka llogaritur gjithashtu shumën e nevojshme për zbatimin e pagës minimale prej 50 mijë lekësh në muaj. Për herë të parë, inxhinierimi financiar parashikon edhe indeksimin e pagave të administratës publike me 2.5%, që do të zbatohet nga 1 janari 2026.
Investimet publike për vitin e ardhshëm llogariten në rreth 1.9 miliardë euro, ndërsa fondi i rindërtimit do të jetë 50 milionë euro. Për 11 projektet koncesionare janë planifikuar 120 milionë euro, një shumë pak më e ulët se vitin paraardhës.
Prioritetet kryesore të buxhetit për 2026 mbeten shëndetësia dhe mbrojtja sociale, infrastruktura dhe energjia, arsimi si edhe ushtria.
Sa i takon ndarjes sipas institucioneve, buxheti më i lartë shkon për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila përfiton rreth 853 milionë euro për paga dhe investime. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton rreth 800 milionë euro, kryesisht për projekte rrugore dhe hekurudhore. Buxheti i Ministrisë së Arsimit arrin në 680 milionë euro, duke mbuluar pagat e mësuesve dhe investimet në shkolla. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes siguron rreth 610 milionë euro, të destinuara për forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
