Senati italian ka miratuar pa asnjë votë kundër marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë. Prej kësaj marrëveshje përfitojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, dhe ata italianë që jetojnë në Shqipëri.
Nga marrëveshja, zyrtarizohet se do të përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në Shqipëri, apo drejtues biznesesh.
Sipas kësaj marrëveshje, të dy palët përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe shtatzënia, sigurimin e papunësisë.
Me aktivizimin e kësaj marrëveshje, cdo person në prag pensioni duhet të aplikojë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore , duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës, për të cilat janë paguar kontributet.
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Dhe me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet, do paguajë sipas viteve të punës respektive.
Marrëveshja garanton që qytetarët të mos humbasin kontributet, pavarësisht prej vendit ku kanë punuar.