Hëna

NASA: Asteroidi 2024 YR4 mund të godasë Hënën në 2032

Asteroidi 2024 YR4, i cili ngjalli shqetësim global kur u zbulua në fund të vitit të kaluar, mund të mos përbëjë më rrezik për Tokën – por NASA ka rritur gjasat që ai të përplaset me Hënën brenda shtatë viteve të ardhshme.

Sipas përditësimeve të fundit nga agjencia hapësinore amerikane, ekziston aktualisht një mundësi prej 4.3% që asteroidi të godasë Hënën më 22 dhjetor 2032. Një përplasje e tillë do të ishte e dukshme edhe nga Toka, në formën e një shpërthimi të ndritshëm, ndërsa material hënor do të hidhej në hapësirë.

Asteroidi 2024 YR4 është me përmasa midis 53 dhe 67 metrash – afërsisht sa një avion Boeing 747 – dhe nëse do të godiste Tokën, do të shkaktonte një shpërthim të krahasueshëm me 7.7 megatonë TNT, duke krijuar një krater rreth 900 metra të gjerë. Shoku i përplasjes do të kishte potencialin të shkatërronte një zonë me madhësinë e një qyteti të madh – ndaj dhe ky objekt është quajtur “vrasës qytetesh”.

Fatmirësisht, mundësia që ai të godasë Tokën është praktikisht zero, por NASA ka përditësuar të dhënat duke rritur pak gjasat për një përplasje me Hënën – nga 3.8% më parë në 4.3% tani.

“Është normale që probabiliteti i përplasjes të ndryshojë me ardhjen e të dhënave të reja,” tha Molly Wasser, zyrtare për marrëdhëniet me publikun pranë Zyrës së Mbrojtjes Planetare të NASA-s.

Duke qenë më shumë se 30 milionë milje larg, 2024 YR4 është aktualisht shumë i largët për t’u vëzhguar me teleskopë nga Toka. NASA po përdor teleskopin hapësinor James Webb (JWST), i cili ndodhet rreth 1 milion milje larg Tokës, për të marrë vëzhgime të mëtejshme.

Ky asteroid ndjek një orbitë eliptike rreth Diellit dhe momentalisht po largohet nga ne. Nuk do të jetë i dukshëm sërish deri në vitin 2028, kur do t’i afrohet më shumë Tokës dhe do të ndriçojë mjaftueshëm për t’u vëzhguar.

Megjithatë, përpara se të dilte nga fusha e vëzhgimit të teleskopit James Webb, u arrit të merrej edhe një vëzhgim i fundit përmes kamerës së tij me infra të kuqe. Këto të dhëna ndihmuan Qendrën për Studimin e Objekteve Afër Tokës në Kaliforni për të përmirësuar llogaritjet e orbitës së këtij asteroidi.

Kur të rikthehet në sistemin tonë diellor të brendshëm, ai pritet të arrijë një shpejtësi marramendëse prej 85 milionë miljesh në orë (rreth 38,000 km/s). Asteroidët përshpejtojnë ndërsa i afrohen Diellit, për shkak të tërheqjes më të fortë gravitacionale – e ngjashme me mënyrën si një objekt përshpejton kur bie drejt tokës.

Nëse ndodh përplasja me Hënën, nuk do të ndikojë në orbitën e saj rreth Tokës, konfirmon NASA. Por do të krijonte një krater të madh, dhe shpërthimi do të ishte një spektakël i rrallë për t’u parë nga Toka.

Ky do të ishte rasti i parë në historinë e njerëzimit që një përplasje e tillë do të vëzhgohej drejtpërdrejt, dhe të dhënat që do të mblidhen do të jenë jashtëzakonisht të vlefshme për të kuptuar më mirë formimin e kratereve hënore.

Gjithsesi, duhet theksuar se mundësia më e madhe është që përplasja të mos ndodhë fare – me një probabilitet 95.7% që asteroidi të mos godasë Hënën, dhe këto shifra mund të ndryshojnë sërish në të ardhmen.

Asteroidi 2024 YR4 u zbulua më 27 dhjetor 2024 dhe menjëherë u vlerësua si rrezik potencial për Tokën. Në shkurt 2025, gjasat për përplasje me Tokën u rritën deri në 3.1% (1 në 32), por fatmirësisht u ulën shpejt në vetëm 0.0039% (1 në 26,000).

Sipas NASA-s, madhësia e këtij asteroidi është të paktën sa ajo e asteroidit Tunguska, i cili në vitin 1908 shkaktoi një shpërthim të madh në Siberi, duke rrafshuar mbi 2,000 km² pyje. Mendohet se të paktën tre persona humbën jetën, ndërsa shumë të tjerë u plagosën nga tronditja e fuqishme.

Ky rast është një kujtesë se sa e rëndësishme është vëzhgimi dhe mbrojtja nga objektet hapësinore, pasi një asteroid i pikasur vonë mund të mos na japë kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë.

Dailymail

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top