Shkruar nga Irena Beqiraj, konsulente financiare, ish zv.Ministre e Financave
Shumica jonë u njohëm me inteligjencën artificiale në fund të vitit 2022 . U prezantuam me ChatGPT sikur të ishte një lojë dixhitale fati. I bëmë nga një pyetje mediokre dhe menduam “Ah po, lodër e lezetshme! ” Pastaj u kthyen në ritualet tona të përditshme .
Por në 3 vjet modelet e reja të inteligjencës artificiale u zhvilluan shumë. Ato shkruajnë muzikë , ndërtojnë faqe interneti, përmbledhin kontrata ligjore dhe gjenerojnë strategji të mira, edhe e bëjnë këtë në aq kohë sa një menaxheri të mirë i duhet të pastrojë fytin . Chatbot-et sot mund të zhvillojnë një bisedë komplekse, të mbajnë mend kontekstin e bisedës, të sugjerojnë plane veprimi, të gjenerojnë pamje vizuale, pra ato mund të performojnë në 20 minuta punët për të cilat një skuadër një skuadër njerzish do të konsumonte një javë .
Në 2030 robotët humanoidë do të mund të kryejnë detyrat tona pa nevojën për t’u çlodhur, pa u mërzitur pa u organizuar në sindikata, edhe pa paguar sigurime shoqërore.
Askush nuk e di më me siguri sesi do të jetë tregu i punës për vitin 2030.
Çfarë na pret nuk mund të quhet as ndryshim, as kërcënim e as bekim por, një kapërcim epokal.
Edhe të mos harrojmë që po flasim për punën. Për punën që është më e vjetër se tregu; për punën që është më e vjetër se paraja ; për punën që ka qenë deri sot, përcaktuesi kryesor i standardin të jetësës, që ka përcaktuar se kush ka rëndësi dhe kush jo.
Pyetja “Çfarë pune bën?” ka qenë fjalëkalimi që të çonte tek të dhënat e ekzistencës së gjithësecilit prej nesh . Sot nëse je pa punë, je pa përgjigje.
Po flasim për punën që ka krijuar identitetin tonë: jam një tregtar, një mësues, një infermier , një gazetar. Në një farë menyre me anë të punës ne kemi zgjedhur të jemi “ungjilltar të një produkti” çfarëdo qoftë ai. Kur humbet punën një pjesë e identitetin humbet , për shkak se shprehja “Unë jam…” zhduket.
Ky kapërcim epokal nuk do të kufuziojë vetëm vendet e punës por tanimë ai ka nxjerrë jashtë përdorimit manualin e deri tanishëm të mbijetesës , të të qenit i dobishëm rrjedhimisht edhe i suksesshëm.
E ndësa deri tani vraponim të mbushnim me vite pune CV -në, pasi aty përcaktohej vlera e gjithësecilit prej nesh, për fëmijët tanë vlera nuk do të përcaktohet më nga paragrafët në një CV-je, por nga gjurma e veçantë unike që mund të lenë në botë.
Të diplomuarit rishtazi janë brezi i fundit i cili kaloi orët e tij më të mira në kërkimin e një diplome, edhe pse shpesh ajo mundësote një punë të mërzitshme por të nevojshme për mbijetesën , duke pretenduar se ky ishte kulmi i qytetërimit. Imagjinoni ditën kur miliona njerëz kryesisht të rinj do të zgjohen , strukturalisht të panevojshëm për ekonominë, edhe për më keq pa asnjë alternativë zëvendësuese.
Miliona të rinj të cilëve do t’ ju thuhet “Jeni të të pa punë “, por për më keq sistemi nuk di çfarë të bëjë me ju , menaxhoni dëshpërimin tuaj !
Kjo është mizori e një shkallë të lartë , të cilën sistemi nervor edhe psikogjik i tyre nuk është ndërtuar për ta përballuar.
Për të kapërcyer në epokën e re ku pjësa dërmuese e punëve që përcaktojnë ekzistencën edhe mbijetesën tonë do ti kryhen nga robotët, do të na duhen ritme të reja për ditët dhe javët që nuk do të përcaktohen më nga ora; do të duhen institucione të reja komunitare , jo zyra por, laboratorë, studio, klube, qendra kujdesi, shoqata kërkimore, vende ku njerëzit mblidhen për të bërë gjëra që kanë rëndësi pa një shef që u merr frymën për rezultatet tremujore; do të duhen standarde të reja për të përcaktuar prestigjin edhe statusin, ku vendin e “titullit të ardhurave, ndjekësve në FB “, do ta zërë kontributi, kurioziteti, kujdesi. Do të na duhet një arkitekturë e re ekonomike: si të ardhurat bazë universale, ose edhe më mirë, zgjerimi i shërbimeve bazë universale (strehim, kujdes shëndetësor, arsim) të cilat nuk do të mund të sigurohen më nga të ardhurat e gjeneruara nga punësimi.
Por mbi të gjitha do të na duhet terapi …. shumë terapi. Ne shpesh ankohemi për të rinjtë tanë, të cilët pa u menduar i etiketojnë si përtacë , analfabetë funksionalë , të pamotivuar , pa interesa , por harrojmë që vetë ne jemi pa asnjë ide , pa asnjë strategji të vlefshme për ti ndihmuar në ndërtimin e të ardhmes . Manualet të cilat ne ndoqëm, rregullat edhe besimet shoqërore të cilat drejtuan vendimarrjet edhe veprimet tona, institucionet arsimore edhe kulturore që ne ngritëm janë të vjetruara edhe pavlerë për të ardhmen që i pret ata.
18 vjeçarët e sotëm janë brezi i parë që do të shikojnë robotët që ecnin në dyshemetë e zyrave, fabrikave kapanoneve , restoranteve , duke u marrë atyre punët e tyre të para , edhe për të qënë e ndjerë të dobishëm duhet patjetër të jenë të më përgatitur , më të arsimuar më të edukuar ,më të sofistikuar se brezat e mëparshëm, në mënyrë që të pohojnë :
“Ok , Merreni punën. Ne do ta marrim botën mbrapsht”
Çfarë sfide përpara një brezi i cili po ndërton të ardhmen midis kaosit të dy epokave ndërsa ne ankohemi për dembelizmin edhe përtacinë e tyre.
Teksa po përpiqesha të rradhisja fjalët për një fjalim motivimi për 18 vjeçarët shqiptarë që do të fillojnë në Shtator universitetin, kuptova se duhet ta fillojë atë fjalë me një ndjesë të madhe në emër të gjithë shoqërisë (ku bëj pjesë aktive edhe unë ) e cila pa e kuptuar përpiqet të ndërtojë të ardhmen e tyre me vegla e mjete që nuk vlejnë.
Marrë nga Irena Beqiraj
