Nivelet e larta të zhurmës kanë ndikim në shëndetin e evropianëve, veçanërisht për pjesën që jetojnë në zonat urbane. Një studim i fundit nga Gjykata Evropiane e Audituesve tërhoqi vëmendjen për rreziqet e neglizhimit të këtij lloji të ndotjes që kontribuon në vdekjet e parakohshme.
Studimi i publikuar në janar, nënvizoi mungesën e objektivave të reduktimit të zhurmës në mbarë BE-në dhe gjithashtu vuri në dukje monitorimin e dobët të ndotjes akustike në shumë vende.
“Shteteve anëtare u kërkohet të hartojnë plane për të monitoruar nivelin e zhurmës në pjesët e ngarkuara të rrjetit rrugor dhe në qytete. Por përtej raportimit në Komisionin, ata në fakt nuk duhet të bëjnë asgjë dhe disa qeveri kanë hezituar edhe të prodhojnë këto harta zhurmash në kohë,” tha Robert Hodgso, i cili raporton për Euronews.
Ekspozimi i zgjatur ndaj zhurmave të dëmshme mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare, metabolike dhe të shëndetit mendor, dhe qytetarët të cilët janë në Bruksel dhe Athinë shprehin shumë shqetësime.
“Kur zgjohem në mëngjes, në rrugën time dëgjohet zhurma e borive. Këto janë gjëra që mund të ndikojnë në disponimin tim gjatë ditës dhe në jetën time në planin afatgjatë”, tha një banor i ri i Brukselit.
“Me siguri mund të merrnin disa masa, mund të reduktonin decibelët e prodhuar nga shkarkimet dhe të përdornin teknologji më të mirë”, shtoi një athinas.
Mungojnë objektivat e reduktimit të zhurmës në mbarë BE-në
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nivelet e zhurmës konsiderohen të tepërta kur tejkalojnë 53 dB; një shirit më i ulët se pragu 55 dB i vendosur nga Bashkimi Evropian.
Trafiku rrugor është burimi kryesor i ndotjes akustike (80%), i ndjekur nga trafiku hekurudhor (15%) dhe transporti ajror (1%). Austria, Qiproja, Çekia, Franca dhe Luksemburgu janë vendet anëtare të BE-së me përqindjen më të lartë të banorëve urbanë të ekspozuar ndaj zhurmës së tepërt.
Komisioni Evropian ka vendosur një objektiv të ri për të reduktuar numrin e njerëzve të prekur kronikisht nga ndotja akustike me 30% deri në fund të kësaj dekade.
Ekzekutivi i BE-së tha gjithashtu se mund të shqyrtojë rishikimin e direktivës dhe vendosjen e një objektivi detyrues nëse e sheh këtë të nevojshme, por vendimet nuk do të merren përpara vitit 2029.
“Ne kemi nevojë për një sistem më të mirë monitorimi dhe dispozita më të qarta se çfarë përbën ndotjen akustike dhe cilat janë detyrimet specifike të shteteve anëtare,” insistoi Peter Agius, një anëtar i qendrës së djathtë i Parlamentit Evropian nga Malta, i cili ka qenë aktiv në këtë fushë brenda Komitetit dhe Shëndetit Publik.
“Disa përkufizime ndonjëherë janë të paqarta dhe interpretohen në mënyra të ndryshme në shtete të ndryshme anëtare,” shtoi ai.
Është një shenjë e zbatimit të dobët që më shumë se gjysma e 27 shteteve anëtare nuk kanë dhënë të dhëna për ndotjen akustike, siç kërkohet nga direktiva e BE-së. Ekspertët paralajmërojnë se pa veprime më ambicioze, numri i njerëzve që pësojnë dëmtime serioze nga zhurmat e transportit madje mund të rritet.