Salmoni

Ndotja e ujërave globale nga barnat: Ilaçi kundër ankthit po ndikon te sjellja e salmonit

 Një studim i kryer në Suedi ka zbuluar se Clobazam (një ilaç kundër ankthit) ka ndikuar në mënyrën se si salmonët e egër atlantik migrojnë.

Ky ilaç i zakonshëm kundër ankthit, i cili është zbuluar se ndot ujërat në mbarë botën, duket se ndikon në sjelljen e migrimit të salmonit të egër atlantik, sipas një studimi nga shkencëtarët suedezë.

Studimi zbuloi se salmonët e ekspozuar ndaj ilaçit clobazam treguan sjellje më të guximshme dhe aspak frikë ndaj rreziqeve, gjë që ndikoi në mënyrën se si ata migronin.

“Salmonët e ekspozuar ndaj clobazam kishin më shumë gjasa të përfundonin migrimin drejt detit dhe kalonin më shpejt barrierat e ndërtuara nga njeriu, siç janë digat hidroelektrike, krahasuar me ata që nuk ishin ekspozuar,” – u shpreh Jack Brand nga Universiteti Suedez i Shkencave Bujqësore në Uppsala, autori kryesor i studimit.

Ai shtoi se: “Megjithëse një rritje në suksesin e migrimit mund të duket si efekt pozitiv në pamje të parë, çdo ndërhyrje në sjelljet natyrore mund të ketë pasoja negative që ndikojnë të gjithë ekosistemin.”

Hulumtimet kanë zbuluar se ndotja nga barnat është e pranishme në lumenjtë e çdo kontinenti – madje edhe në Antarktidë. Deri më sot, janë identifikuar rreth 1,000 përbërës farmaceutikë aktivë në mjedisin natyror, të cilët rrezikojnë biodiversitetin, funksionimin e ekosistemeve dhe shëndetin publik.

Si ndikon clobazam në migrimin e salmonëve?

Shkencëtarët përdorën eksperimente në natyrë dhe në laborator për të vlerësuar efektet e clobazam në sjelljen e salmonëve. Në fushë, ata implantuan pajisje për gjurmimin e 279 salmonëve të egër, së bashku me një implant që lëshonte sasi të vogla të ilaçit në trupin e tyre.

Peshqit u ndoqën teksa migronin në lumin Dal në Suedi, duke kaluar dy diga hidroelektrike dhe duke u drejtuar më pas drejt Detit Baltik.

Rezultatet treguan se peshqit e ekspozuar ndaj ilaçit kalonin digat më shpejt sesa grupi i kontrollit që nuk ishte ekspozuar.

“Dyshojmë se këto ndryshime në migrim mund të lidhen me rritjen e sjelljeve sociale dhe të rrezikut, të shkaktuara nga efekti qetësues i ilaçit,” – tha Brand.

Në laborator, u vu re se peshqit e ekspozuar krijonin grupe më pak të dendura – veçanërisht në praninë e grabitqarëve – çka i ekspozonte më shumë ndaj rreziqeve.

“Ndryshimet në kohën e migrimit mund t’i çojnë peshqit të arrijnë në det në kushte jo optimale, ose t’i ekspozojnë më shumë ndaj grabitqarëve apo rreziqeve të tjera. Me kalimin e kohës, këto ndryshime mund të ndikojnë në dinamikat e popullsisë dhe të prishin ekuilibrin e ekosistemit,” – shtoi Brand.

Megjithatë, studimi nuk mundi të tregojë nëse këto ndryshime kishin ndikime afatgjata.

“Shkencëtarët ndoqën peshqit vetëm gjatë periudhës së migrimit, që zgjati rreth 10 ditë,” – sqaroi Josefin Sundin, ekologe në Institutin për Kërkime të Ujërave të Ëmbla në Drottningholm, Suedi, e cila nuk ishte pjesë e studimit.

Ndotja nga barnat në pjesë të tjera të botës

Ky studim është vetëm një nga shumë që theksojnë ndikimin e barnave farmaceutike në natyrë.

Deri tani, janë studiuar mbi 400 përbërës farmaceutikë në pothuajse 200 specie të ndryshme të kafshëve ujore. Këta përbërës futen në mjedis përmes ujërave të zeza, mbetjeve të trajtuara ose të patrajtuara, si dhe përmes mbetjeve veterinare dhe bujqësore.

Në vitin 2006, një eksperiment në Kanada zbuloi se ekspozimi i peshqve ndaj estrogjenit sintetik të përdorur në pilulat kundër shtatzënisë çoi në feminizimin e meshkujve dhe pothuajse në kolapsin e popullatave lokale të peshqve.

“Shumë nga studimet treguan se ilaçet e testuara ndikonin sjelljen e kafshëve,” – tha Sundin.

Duke qenë se këto substanca janë të përhapura në të gjithë botën, studiuesit dyshojnë se ndikimi i tyre mund të përfshijë shumë lloje të tjera kafshësh, përfshirë edhe ato tokësore që ushqehen me insekte apo peshq nga uji i ndotur.

“Kjo ndikon jo vetëm jetën ujore, por edhe kafshët tokësore që ushqehen me to – një dëshmi e ndikimit të gjerë që mund të ketë ndotja farmaceutike,” – shtoi Brand.

Si të reduktojmë ndotjen nga barnat?

Metodat tradicionale të trajtimit të ujërave nuk janë gjithmonë efektive në largimin e barnave, prandaj këto përbërës arrijnë të përhapen në mjedis.

Megjithëse teknologjitë moderne të filtrimit dhe oksidimit kanë dhënë rezultate pozitive, këto janë ende të papërballueshme në shumë vende për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe kostos.

Një zgjidhje potenciale është “kimia e gjelbër”, që ka për qëllim projektimin e barnave që shpërbëhen më shpejt ose bëhen më pak toksike pas përdorimit.

“Nga ana e politikave, nevojiten rregulla më të forta dhe praktika më të mira për asgjësimin e barnave që të kufizojmë sasinë që përfundon në ujëra,” – thekson Brand.

“Asnjë zgjidhje e vetme nuk mjafton, por një kombinim i përpjekjeve shkencore, teknologjike dhe politike mund të ndihmojë në uljen e rrezikut që ndotja farmaceutike paraqet për natyrën,” – përfundoi ai.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top