klima

Ndryshimet klimatike do të ulin të ardhurat globale, sipas raportit të fundit

Valët ekstreme të të nxehtit, përmbytjet e rënda dhe zjarret e fuqishme  të nxitura nga ndryshimet klimatike po vijnë me një faturë marramendëse. Një studim i fundit tregon se të ardhurat globale mund të bien me rreth 19% brenda 26 viteve të ardhshme, një goditje e fortë ekonomike që do të prekë jo vetëm qeveritë dhe korporatat, por edhe individët.

Sipas Kombeve të Bashkuara, bota po shkon drejt një rritjeje gati 3°C të temperaturës globale këtë shekull, pavarësisht politikave aktuale klimatike. Kjo do të thotë se kostoja ekonomike do të bjerë në shpinën e njerëzve të zakonshëm.

Studiuesit Maximilian Kotz dhe Leonie Wenz nga Instituti i Potsdamit për Kërkime mbi Ndikimin Klimatik shpjegojnë se dëmet ekonomike deri në vitin 2049 janë “të paevitueshme” dhe shfaqen njësoj në të gjitha skenarët e mundshëm të emetimeve. Megjithatë, veprimet urgjente për uljen e ngrohjes globale mund të zbusin pasojat pas kësaj periudhe.

Ndërsa debati shpesh fokusohet tek shpenzimet e reduktimit të përdorimit të karburanteve fosile apo teknologjitë për kapjen e karbonit, studimi thekson se dëmet ekonomike të shkaktuara nga klima janë shumëfish më të larta se kostot e zbutjes.

Kërkuesit llogarisin se zbatimi i Marrëveshjes së Parisit do t’i kushtonte ekonomisë globale rreth 6 trilionë dollarë deri në vitin 2050, ndërsa dëmet nga ndryshimet klimatike deri në mesin e shekullit arrijnë në 38 trilionë dollarë gjashtë herë më shumë.

Sipas ekspertëve, strategjitë e përshtatjes mund të shmangin një pjesë të këtyre humbjeve. Shembull për këtë është Kalifornia, ku kompanitë energjetike mbyllin rrjetin elektrik për të parandaluar zjarret  një masë e kushtueshme, por e domosdoshme.

Ndarje e pabarabartë e dëmeve ekonomike

Studimi thekson gjithashtu se goditja financiare nuk do të ndahet njësoj. Rajonet më të varfra do të përballen me barrën më të rëndë.

Sipas projeksioneve, Lindja e Mesme, Afrika Veriore dhe Azia Jugore pritet të pësojnë rënien më të madhe të të ardhurave, deri në 22% deri në vitin 2050. Ndërkohë, Amerika e Veriut dhe Evropa do të preken më pak, me një rënie të parashikuar prej rreth 11%.

Edhe pse SHBA-ja, një nga ndotësit më të mëdhenj historikë, pritet të pësojë dëme më të lehta se disa fqinjë, ajo nuk do të shpëtojë nga kostot e rritura për brezat e rinj.

Një analizë tjetër nga ICF, e publikuar në Consumer Reports, vlerëson se një foshnjë e lindur në SHBA në vitin 2024 mund të paguajë deri në 500,000 dollarë gjatë jetës për shkak të kostove të rritura të jetesës nga ndryshimet klimatike.

Rritja e çmimeve të sigurimeve dhe mirëmbajtjes së banesave mund të shtojë rreth 125,000 dollarë në shpenzimet e strehimit. Ndërprerjet në bujqësi dhe zinxhirët e furnizimit mund të rrisin kostot e ushqimit me 33,000 dollarë përgjatë jetës. Shpenzimet e energjisë, transportit dhe kujdesit shëndetësor pritet gjithashtu të rriten ndjeshëm.

cnn.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top