klima

Ndryshimet klimatike po i bëjnë ditët më të gjata, zbulon një studim

Sipas një studimi ndryshimet klimatike po bëjnë që gjatësia e çdo dite të zgjatet, pasi shkrirja masive e akullit polar po ndryshon planetin.

“Mënyra se si njerzimi sot po e bën jetesën, po transformon Tokën”, thanë shkencëtarët, duke rivalizuar proceset natyrore që kanë ekzistuar për miliarda vjet.

Ndryshimi në gjatësinë e ditës është në shkallën e milisekondave, por kjo është e mjaftueshme për të penguar potencialisht trafikun e internetit, transaksionet financiare dhe navigimin, të cilat të gjitha mbështeten në matjen e saktë të kohës.

Gjatësia e ditës së Tokës është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë kohës gjeologjike për shkak të tërheqjes gravitacionale që ka planeti jonë. Megjithatë, shkrirja e shtresave të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu ka rishpërndarë ujin e ruajtur në gjerësi të mëdha gjeografike në oqeanet e planetit, duke çuar shumë ujë në detet më afër ekuadorit. Kjo e bën Tokën më të shtrirë, ose më të trashë, duke ngadalësuar rrotullimin e planetit dhe duke e zgjatur edhe më tej ditën.

Ndikimi planetar i njerëzimit u demonstrua gjithashtu kohët e fundit, nga kërkimet që treguan se rishpërndarja e ujit kishte shkaktuar lëvizjen e boshtit të rrotullimit të Tokës, polit verior dhe jugor. Një studim tjetër ka zbuluar se emetimet e karbonit të njerëzimit po tkurrin stratosferën.

Koha e njeriut bazohet në orët atomike, të cilat janë jashtëzakonisht të sakta. Sidoqoftë, koha e saktë e një dite, ndryshon për shkak të baticave hënore, ndikimeve klimatike dhe disa faktorëve të tjerë, siç është rikthimi i ngadaltë i kores së Tokës pas tërheqjes së shtresave të akullit të formuara në epokën e fundit të akullit.

“Të gjitha qendrat e të dhënave që drejtojnë internetin, komunikimet dhe transaksionet financiare, ato bazohen në kohën e saktë. Ne gjithashtu kemi nevojë për një njohuri të saktë të kohës për navigimin, dhe veçanërisht për satelitët dhe anijet kozmike”, shtuan studiuesit.

Hulumtimi i botuar përdori vëzhgime dhe rindërtime kompjuterike për të vlerësuar ndikimin e shkrirjes së akullit në gjatësinë e ditës. Shpejtësia e ngadalësimit varionte midis 0.3 dhe 1.0 milisekonda në shekull midis viteve 1900 dhe 2000. Por,që nga viti 2000 ndërsa shkrirja u përshpejtua shkalla e ndryshimit u përshpejtua gjithashtu.

“Kjo normë e sotme ka të ngjarë të jetë më e lartë se në çdo kohë në mijëra vitet e fundit. Nëse emetimet nuk reduktohen, shkalla e ngadalësimit do të rritet deri në vitin 2100, duke kapërcyer baticat hënore si kontribuesi i vetëm më i madh në variacionet afatgjata në gjatësinë e ditëve”, thanë studiuesit.

Një tjetër studiues u shpreh: “Ky studim është një përparim i madh, sepse konfirmon se humbja shqetësuese e akullit që po përjetojnë Grenlanda dhe Antarktida ka një ndikim të drejtpërdrejtë. Ky ndryshim në gjatësinë e ditës ka implikime kritike jo vetëm për mënyrën se si matim kohën, por edhe për GPS dhe teknologjitë e tjera që rregullojnë jetën tonë moderne.”

“Parashikohet të mbetet përafërsisht në një nivel prej 1.0 ms/cy për disa dekadat e ardhshme, edhe nëse emetimet e gazeve serrë frenohen ashpër. Nëse emetimet nuk reduktohen, shkalla e ngadalësimit do të rritet në 2.6 ms/cy deri në vitin 2100, duke kapërcyer baticat hënore si kontribuesi i vetëm më i madh në variacionet afatgjata në gjatësinë e ditëve”, shtuan studiuesit.

theguardian.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top