kurs

Në mbarë botën frikë për recesion dhe rënie kursesh

Ndërsa tregjet e aksioneve vazhdojnë të bien, investitorët kanë frikë se bota gjendet para një kolapsi ekonomik. Ç’ndikim do të kenë tarifat doganore të Trumpit ndaj ekonomisë në SHBA, Kinë dhe botë?

Rënia në tregjet financiare botërore po vazhdon për shkak të tarifave dognoretë paprecedenta që vendosi Presidenti Donald Trump ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA.

Investitorët po bëhen gjithnjë e më nervozë, sepse në horizont po shfaqet gjithnjë e më qartë mundësia e një lufte të madhe tregtare, e cila ka të ngjarë të shkaktojë një recesion global.

Donald Trump | Bursa reagon dhe kurba e Dax-it shënon rënie ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump, shpall tarifat doganore
Ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump, shpall tarifat doganore, kurba e Dax-it shënon rënieFotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Investitorët supozojnë se tarifat doganore do të kenë një ndikim të gjerë në rritjen ekonomike globale dhe se rritja e kostove të prodhimit do të rrisë inflacionin, do të shtojë pasiguritë e bizneseve dhe do të reduktojë investimet. Ekonomistët presin paqëndrueshmëri të mëtejshme në tregje dhe kanë frikë nga ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

A është ekonomia botërore në rrezik recesioni?

Përfaqësuesit e bankës amerikane JP Morgan thanë javën e kaluar se besojnë se mundësia e një recesioni global deri në fund të vitit është 60 për qind, krahasuar me 40 për qind përpara se të shpalleshin tarifat doganore gjithëpërfshirëse të Trumpit.

Të hënën banka gjermane Deutsche Bank paralajmëroi në një analizë të shkurtër se nëse Trumpi vazhdon me politikat e tij tregtare, tarifat e reja do të kenë “ndikime të mëdha mbarëbotërore në vitin 2025 dhe vitet dhe dekadat në vijim”.

Ndërtesa e Deutsche Bank
Banka Deutsche BankFotografi: Florian Gaul/greatif/picture alliance

Azia është goditur shumë më rëndë se Evropa, me tarifa doganore prej më shumë se 40 për qind për disa. Kjo rrit presionin ndaj vendeve si Vietnami, Tajvani dhe Indonezia për të negociuar marrëveshje të reja tregtare me Uashingtonin. Kina, të cilën Trump e goditi me tarifa shtesë prej 34 për qind, është e vetmja ekonomi e madhe që ka urdhëruar që vendosjen e tarifave doganore hakmarrëse për importet nga SHBA-ja.

Pekini të premten vendosi tarifa doganore shtesë prej 34 përqind për mallrat amerikane dhe vendosi kufizime eksporti për disa minerale të rralla që nevojiten urgjentisht për produktet e teknologjisë së lartë dhe pajisjet e energjisë së pastër. Këto tarifa hyjnë në fuqi të enjten (10.04).

BE-ja diskuton

Importet nga vendet e Bashkimit Evropian drejt SHBA-së kërcënohen nga tarifa të reja doganore prej 20 për qind, duke filluar nga e mërkura (09.04). Ministrat e Financave të BE-së u takuan të hënën në Luksemburg për të rënë dakord mbi një përgjigje të përbashkët.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se Brukseli ishte i gatshëm të “mbrojë interesat e tij me kundërmasa proporcionale”. Por ajo sinjalizoi gjithashtu se BE-ja është e gatshme të negociojë me SHBA-në.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top