Në prag të Samitit për Zgjerimin e Bashkimit Evropian që do të zhvillohet këtë të hënë, më 4 nëntor, në Bruksel, vëmendja e politikës evropiane do të përqendrohet te procesi i zgjerimit drejt lindjes dhe Ballkanit Perëndimor.
Samiti, i organizuar nga Euronews, do të mbledhë në një skenë të vetme liderët e vendeve anëtare dhe kandidate për të diskutuar mbi të ardhmen e integrimit evropian. Ndër pjesëmarrësit janë Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, si dhe tre kryeministra të Ballkanit Perëndimor: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ngjarja vjen në një moment kyç për procesin e zgjerimit, pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar këtë fazë si “ripunifikimin e Evropës”.
Sipas Euronews, samiti synon të amplifikojë zërat e vendeve kandidate në një moment kur procesi i zgjerimit po fiton sërish rëndësi strategjike, pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Ndër temat që do të diskutohen janë përfitimet politike dhe ekonomike të anëtarësimit, forcimi i demokracisë dhe sfidat e secilit vend në rrugën drejt BE-së.
Ky format televiziv dhe i hapur do të mundësojë dialog të drejtpërdrejtë mes liderëve të vendeve kandidate dhe institucioneve evropiane, duke u transmetuar drejtpërdrejt në Euronews dhe platformat dixhitale të saj nga ora 14:00 deri në 17:00.
