planet me formë limoni dhe plot diamante

Në zemër të galaktikës: Zbulohet një planet me formë limoni dhe plot diamante

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Lajmi i fundit që ka dalë nga studimet e Teleskopit Webb i ka lënë astronomët pa fjalë.

Zbulimit është një planet me formë, dinamika dhe atmosferë unike, të cilat pjesërisht mbeten ende mister.

Zbulimi u realizua nga James Webb Space Telescope (JWST), teleskopi hapësinor më i madh, më i ndërlikuar dhe më i kushtueshëm i ndërtuar ndonjëherë (rreth 10 miliardë dollarë). Ai mban emrin e ish-drejtorit të NASA-s që në vitet ’60 mbështeti objektivin për uljen e njeriut në Hënë brenda dekadës, siç e kishte premtuar presidenti John F. Kennedy. I vendosur në pikën Lagranzh L2, rreth 1.5 milion kilometra larg Tokës, Webb u jep sot shkencëtarëve nga e gjithë bota të dhëna të jashtëzakonshme për universin.

Pas “pikave të kuqe” të zbuluara në thellësitë e kozmosit shtatorin e kaluar, shumë të mëdha për të qenë galaktika të zakonshme, ja tani zbulimi i një ekzoplaneti me formë të çuditshme ovale.

Teleskopi hapësinor Webb u lëshua saktësisht katër vjet më parë, ditën e Krishtlindjes 2021. Ishte një ditë pune për shkencëtarët e NASA-s dhe ESA-s, pasi Webb u vendos në orbitë në mënyrë të përsosur nga raketa Ariane 5 nga Guajana Franceze.

“Një zgjedhje e menduar mirë,” shpjegoi shkencëtari i JWST Matthew Greenhouse. “Për të dërguar teleskopin më të madh të historisë, i cili duhej të aktivizonte vetë 40 komponentë kritikë, u mbështetëm te vektori europian, një nga më të besueshmit.”

Duke vëzhguar yjet e Galaktikës sonë, Webb identifikoi PSR J2322-2650b, një objekt me masë të krahasueshme me Jupiterin, por me një atmosferë ekzotike të dominuar nga heliumi dhe karboni, e paprecedentë. Shkencëtarët mendojnë se në thellësitë e planetit, retë e karbonit mund të kondensohen dhe të formojnë diamante.

“Ishte një surprizë që na la gojëhapur,” tha Peter Gao nga Carnegie Earth and Planets Laboratory. “Menjëherë u pyetëm: ‘Çfarë dreqin është kjo?’ Është shumë ndryshe nga çfarë prisnim.”

Sipas studiuesve, forcat ekstreme gravitacionale të yllit i japin planetit formën karakteristike si limon. PSR J2322-2650b ndodhet vetëm 1.6 milion km larg yllit të tij (krahasuar me 149 milion km të Tokës nga Dielli). Si pasojë, një vit në planet zgjat vetëm 7.8 orë. Temperaturat janë ekstreme: nga 650°C në zonën “e ftohtë” deri mbi 2000°C në anën e nxehtë.

Megjithatë janë zbuluar molekula të karbonit të pastër, të cilat zakonisht nuk formohen në prani të oksigjenit apo azotit, çka sugjeron një atmosferë jashtëzakonisht të varfër në elementë të tjerë.

Sistemi konsiderohet një shembull i rrallë i asaj që quhet “Vejusha e Zezë”, pulsarë që “konsumojnë” shoqëruesit e tyre. Nga rreth 6000 ekzoplanete të njohur, ky është i vetmi i ngjashëm me një “Jupiter të nxehtë” që orbiton rreth një pulsari.

“Ky planet nuk është formuar si një planet normal,” shpjegon Michael Zhang nga Universiteti i Çikagos. “Është e vështirë të imagjinohet si mund të arrihet një përbërje kaq e pasur me karbon.”
Roger Romani shton: “Ndërsa planeti ftohet, karboni fillon të kristalizohet, duke krijuar re kristalesh të pastra që notojnë në helium.”

“Webb do të vazhdojë të hapë kufij të rinj dhe të përditësojë librat e astronomisë,” thotë Greenhouse. Por NASA tashmë shikon përpara.

Nancy Grace Roman Space Telescope do të ketë një fushëpamje 100 herë më të madhe se Hubble dhe do të lëshohet në 2027 për të studiuar energjinë e errët dhe ekzoplanetet.

Sfida e vërtetë do të jetë Habitable Worlds Observatory, një teleskop gjigant me pasqyrë 8-metërshe, i dedikuar kërkimit të botëve potencialisht të banuara.

repubblica

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top