Portali zyrtar i qeverisë holandeze në Shqipëri, Netherlands and You, ka ndarë së fundmi historinë mbresëlënëse të Felice Emanuels – një vajzë e re holandezo-shqiptare që po spikat në botën e dizajnit dhe modës falë vizionit të saj novator dhe qasjes së qëndrueshme.
Me origjinë nga një nënë shqiptare dhe një baba holandez, Felice është rritur në një mjedis ndërkulturor dhe me mendësi globale, i formësuar nga një arsim ndërkombëtar që në fëmijëri. Sot, ajo është bashkëthemeluese dhe drejtoreshë kreative e Dren Abazi Brand, një markë mode që ndërthur muzikën, identitetin dhe mjeshtërinë artizanale për të krijuar produkte unike dhe përvoja të veçanta.
Felice ka përfunduar studimet bachelor në Inxhinieri Dizajni Industrial në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Hagë dhe aktualisht ndjek një master në Sipërmarrje pranë Universitetit të Amsterdamit dhe Vrije Universiteit. Edukimi i saj është përqendruar në krijimin e eksperiencave, një qasje që përshkon të gjithë filozofinë e markës që ajo drejton.
Ajo e pranon me mirënjohje se baza e suksesit të saj nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e prindërve, të cilët prej më shumë se tri dekadash kanë ndërtuar me përkushtim biznesin e tyre. Pikërisht kjo infrastrukturë i dha asaj mundësinë për të ndërtuar diçka autentike dhe me frymë të re.
“Duke përdorur atë që kisha në dispozicion, ndërtova një markë me identitet dhe shpirt të vetin, të bazuar në një model tjetër mode: me porosi, të qëndrueshme dhe të ndikuar nga konteksti,” – thotë Felice.
Qasja e saj bashkon mendimin e qëndrueshëm me një vizion progresiv, duke vënë theksin te përmirësimi i vazhdueshëm dhe jo perfeksioni, si dhe te krijimi i një përvoje – jo vetëm një produkti.
Në një kohë rekord, Dren Abazi Brand tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare: fillimisht me një artikull në GQ UK vetëm gjashtë muaj pas lançimit, për të vijuar më pas me publikime në British Vogue, Harper’s Bazaar, ELLE dhe përfshirjen në listën prestigjioze Forbes 30 Under 30.
Mesazhi që Felice përcjell për të rinjtë është i qartë dhe frymëzues: mos prisni kohën perfekte – filloni me atë që keni dhe rruga do t’ju çojë përpara.
Urime Felice Emanuels për këtë histori suksesi me rrënjë shqiptare që tashmë po frymëzon në skenën ndërkombëtare të modës dhe dizajnit!