Women on Boards Albania (WOB-AL) organizoi një Fireside Chat të nivelit të lartë mbi temën “Të udhëheqësh në kohë kur bota transformohet vazhdimisht”, me pjesëmarrjen e Olga Loskutova, një lidere globale me një karrierë të jashtëzakonshme në korporata shumëkombëshe, dhe Albana Vrioni, themeluese e WOB-AL dhe një zë i fuqishëm për transformimin e udhëheqjes dhe qeverisjes në Shqipëri e më gjerë.
Në një epokë ku transformimi nuk është më i lidhur me ciklet strategjike të korporatës, por është bërë një gjendje konstante, kjo bisedë solli në vëmendje sfidat dhe vlerat reale të udhëheqjes në kohë komplekse.
Kur mungon qartësia, nevojitet busulla e brendshme
“Njerëzit në borde nuk kanë gjithmonë të gjithë informacionin. Por, ata prapë duhet të udhëheqin mendimet dhe të marrin vendime”, tha Olga Loskutova.
Në bordin drejtues, vendimmarrja ndodh shpeshherë në mungesë të informacionit të plotë. Ajo kërkon intuitë strategjike, përvojë të formuar dhe mbi të gjitha një busull të brendshme që të të udhëheqë mes zhurmës, presioneve dhe kompleksitetit.
Theksi i bisedës ishte edhe tek fakti se, udhëheqja efektive nuk është më çështje vetëm e strategjisë, por e integritetit të brendshëm, qëndrueshmërisë emocionale dhe besimit të fituar përmes autenticitetit.
Gratë në Udhëheqje: Ndërmjet Forcës dhe Afërsisë
“Për të udhëhequr transformimin, duhet të jesh mjaftueshëm e fortë për t’u ndjekur, por edhe mjaftueshëm e afërt për t’u besuar”, sipas Olga Loskutova.
Në mënyrë të natyrshme, biseda u thellua edhe në aspektet gjinore të udhëheqjes. Olga ndau se gratë shpesh kanë aftësi të larta për ndërtimin e lidhjeve dhe për të lexuar kontekstin njerëzor, një aset i vyer në kohë ndryshimi. Megjithatë, ekziston ende një tension i heshtur që gratë duhet të përballojnë: balanca midis respektit dhe të qenurit e pëlqyeshme.
Transformimi nuk është një proces Teknik, është një ndërhyrje në strukturat e mendjes
“Çdo transformim ka pjesën e vet të forte, por edhe pjesën e butë”, tha Albana Vrioni.
Qasja teknike ndaj transformimit është vetëm gjysma e historisë. Ndryshimi i vërtetë ndodh kur preken bindjet, marrëdhëniet, kulturat organizative. Këto janë elementët “e butë” që shpesh mbartin rezistencën më të madhe dhe kërkojnë një udhëheqje që operon me ndjeshmëri, qartësi dhe durim.
Udhëtimi drejt bordit: jo një pozicion, por një proces formimi
“Përgatitja për borde nuk është një titull, është një muskul i brendshëm që ndërtohet me kohë”, theksoi Albana Vrioni.
Në bisedën me audiencën, u theksua se përfshirja në borde kërkon më shumë sesa CV të fortë. Ajo kërkon një ndërgjegje të brendshme për përgjegjësinë, një qëllim të qartë dhe një përgatitje të vazhdueshme që shpesh fillon shumë kohë përpara se të marrësh një ftesë formale.
Për gratë, kjo rrugë kërkon edhe më shumë durim, sepse sfidat janë strukturore, por të tejkalueshme.
Teknologjia si burim mundësish… dhe shqetësimi i ri organizativ
Sipas Albana Vrionit, “Teknologjia po ndryshon në shumë drejtime njëkohësishtdhe për shumë ekipe, ritmi i saj është bërë një burim shpërqëndrimi më vete”.
Në një realitet ku teknologjia nuk është vetëm mjet, por një aktor që formëson vendimmarrjen dhe kulturën, bordet dhe drejtuesit duhet të jenë të pajisur për të mbikëqyrur, jo vetëm projektet dixhitale, por edhe ndikimet e tyre mbi strukturat, talentin dhe etikën.
Udhëheqja si Art Kolektiv
“Ndonjëherë e shoh biznesin si një pikturë të bukur, ku secili prej nesh kontribuon me penelin e vet”, tha Olga Loskutova.
Një nga metaforat më poetike të bisedës, kjo frazë përmbylli idenë se udhëheqja nuk është një akt individual, por një bashkë-krijim i përhershëm, ku kontributi i çdo individi formëson pamjen përfundimtare të suksesit të përbashkët.
Ju mund të shikoni momentet kryesore në faqen e dedikuar “Past Events” në LinkedIn. Ose thjesht klikoni Këtu!
Transformimi kërkon më shumë se vizion, kërkon kurajo, kërkon zë dhe kërkon gra në bordet e vendimmarrjes që e udhëheqin këtë proces me integritet!