Përmbytjet e ditëve të fundit nuk janë thjesht një episod moti ekstrem, por edhe goditje e drejtpërdrejtë mbi ekonominë e vendit. Zonat më të prekura përfaqësojnë një pjesë vendimtare të prodhimit kombëtar dhe mbajnë peshën kryesore të bujqësisë, industrisë dhe qarkullimit të mallrave, sektorë kyç për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë. “Scan Intel” ka kryer një analizë për të parë se sa është pesha e këtyre qarqeve.
Të dhënat mbi kontributin e qarqeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto tregojnë se zonat më problematike nga përmbytjet, si Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati, Gjirokastra dhe Vlora, përfaqësojnë një pjesë shumë të madhe të ekonomisë kombëtare. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, këto qarqe mbajnë rreth 41% të PBB-së së vendit. Vetëm Fieri me 10.57% dhe Durrësi me 10.32%, së bashku japin mbi një të pestën e prodhimit kombëtar, duke e bërë çdo goditje në këto zona një rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin ekonomik.
Por cilat janë qarqet me peshë të lartë dhe me varësi nga sektorë të ekspozuar ndaj përmbytjeve?
Struktura e Vlerës së Shtuar Bruto sipas qarqeve tregon se përmbytjet kanë goditur pikërisht zona me varësi të lartë nga bujqësia, sektori më i ndjeshëm ndaj fenomeneve natyrore. Në Berat, bujqësia përbën 46.4% të Vlerës së Shtuar Bruto (VSHB), në Fier 44.8%, në Dibër 40.1%, në Korçë 39.9%, në Kukës 37.9%, ndërsa në Elbasan 33.8%. Edhe Lezha, Shkodra, Gjirokastra dhe Vlora kanë një peshë të konsiderueshme të këtij sektori në strukturën e tyre ekonomike.
Sipas të dhënave, deri tani janë përmbytur 13,211 ha tokë bujqësore dhe 1587 banesa. Kjo do të thotë se përmbytja e shumë hektarëve tokë bujqësore mund të përkthehet në rrezik të bazës ekonomike së këtyre qarqeve dhe rrezik për furnizimin ushqimor në nivel kombëtar.
Goditja nuk ndalet te bujqësia. Industria zë një peshë të rëndësishme në disa nga qarqet e prekura si Dibra me 24.6%, Durrësi me 19%, Elbasani me 16.6%, Fieri me 16.4%, por edhe Shkodra me Tiranën. Përmbytjet, bllokimet rrugore dhe dëmtimet infrastrukturore ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e këtyre aktiviteteve.
Ndërtimi dhe turizmi po ashtu janë sektorë të ndjeshëm. Përmbytjet në zona urbane dhe periferike rrisin kostot, vonojnë investimet dhe krijojnë pasiguri për bizneset.
