Kur Marin Shera dhe Mand Shera nisën të ëndërronin për ndërtimin e makinave që fëmijë, ata nuk e menduan kurrë se pasioni i tyre do t’i çonte drejt skenës ndërkombëtare të automobilizmit. Të rritur në Tiranë, por të formuar profesionalisht në Mynih, ata tani po punojnë në një projekt ambicioz për të ndërtuar supermakinën e quajtur “Serafis”, që pritet të prezantohet në Panairin e Gjenevës në vitin 2025. Duke kaluar përmes sfidave të shumta, që nga mungesa e mbështetjes në Shqipëri deri te bashkëpunimet me kompani innovative ndërkombëtare, historitë e tyre pasqyrojnë përkushtimin dhe vizionin që i ka çuar drejt suksesit. Në këtë intervistë për VASPAS Marin Shera flet për rrugëtimin e tij dhe të vëllait në ndërtimin e makinave, sfidat që kanë hasur dhe planet për të ardhmen.
Çfarë ju shtyu ju dhe vëllain tuaj të ndiqni pasionin për inxhinierinë dhe industrinë e makinave? A pati ndonjë moment vendimtar që ju frymëzoi drejt prodhimit të makinave?
Unë jam larguar nga Shqipëria që 18 vjeç për të vazhduar studimet në Mynih. Aty kam mbaruar bachelor dhe master shkencor ne degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Strukturave në universitetin Teknik të Mynihut, që është një universitet ekselence i pari në Gjermani sipas vlerësimeve. Gjatë studimeve kam punuar dhe në katedrën e konstruksioneve metalike.
Aty jam njohur me projekte të ndryshme siç është HyberLoop, me të cilin kemi bashkëpunuar me 60 studentë e punonjës shkencor, si dhe me vëllain tim Mandi, i cili ëshë arkitekt, skulptor dhe prej vitesh meret me dizajn industrial. Ne kemi bashkëpunuar për projektimin e një ure e quajtur Rosengoldbrücke, e cila spikati ne mediat gjermane si një vepër ikonike dhe mendohet të ndërtohet në Mynih.
Ndërsa përsa i përket makinës, ai është një projekt i cili ka nisur që kur ne ishim në Tiranë, pra prej 10 vitesh. Kemi bërë prototipin e parë, atëherë kemi kërkuar edhe mbështetje nga investitorë të ndryshëm. Mandi ka mbaruar arkitekturë në universitetin politeknik në Tiranë dhe projektin e ka nisur që në vitin 2016. Në Shqipëri nuk e gjetëm mbështetjen socialo-ekonomike.
Duke hasur këto vështirësi, e vazhduam punën e nisur në Gjermani, ku dhe gjetëm mbështetjen dhe e zhvilluam projektin tonë nga ana inxhinierike, stimulacionet dhe projektimin 3-dimensional deri në çdo detaj të tij. Tani kemi filluar prototipin e makinës, që do prezantojmë në Panairin e Gjenevës në nëntor të vitit 2025.
Mund të ndani më shumë rreth sfidave që keni hasur gjatë fillimeve tuaja në fushën e inxhinierisë, veçanërisht gjatë punës jashtë vendit?
Deri tani puna më e madhe ka qenë jo shumë e kushtueshme nga ana monetare, pasi ka qenë një punë që ka të bëjë me anën inxhinierike. Ne kemi partnerë të cilët na kanë mundësuar zhvillimin dhe implementimin e motorit, por puna më e madhe ka qenë investimi i kohës. Prototipi i parë është një “mockup”, i cili do i shërbejë prezantimit në panairet më të njohura. Pasi bëhet prezantimi, prodhimet e supermakinave dihet, shkojnë deri në 10 milion euro investim për të arritur deri në shitje…. Investimi i parë është i madh pastaj do të vazhdojë dhe do ulet dhe ndërkohë ne duhet që për çdo kontinent të bëjmë “crash” teste. Pasi përfundojnë hapat ligjore të licensimeve dhe hyrja ne treg, atëherë fitimet janë proporcionalisht gjithnjë e më të larta. Duhet pasur parasysh, që një ndër supermakinat më të njohura të botës shet më shumë se 20 makina ne vit. Secila prej tyre me vlerë 3 milion euro dhe me një skuadër prej 90 vetave, të cilët bëjnë “handmade product”.
Në vitin 2019, keni punuar në projektin e një ure në Mynih. A mund të na tregoni më shumë për këtë projekt dhe çfarë domethënieje pati për karrierën tuaj?
Kur unë isha në universitet në master, na u ofrua një mundësi që të zhvillonim projektin e një ure që po ndërtohej në Mynih, siç janë konkurset e ndërtesave të ndryshme. Profesori bashkë me njerëzit e tjerë të politikës vendosën që të bëhen katër projekte dhe njëri nga këto të shpallet fitues dhe të paraqitet e të prezantohet më tej tek njerëzit. Bëhet fjalë për urë biçikletash, ku biçikletat mos të ndalojnë shumë nëpër semaforë, por të vazhdojnë rrugën në një nga pjesët kryesore të qytetit. Realizuam projktin e kësaj ure e cila u quajt vepër arti, sepse ka një frymëzim të veçantë, i cili vjen nga trëndafili dhe anët inxhinierike të dizajnit përputheshin shumë mirë me njëra-tjetrën. Ky projekt u prezantua nga unë përpara një publiku prej 100 personash dhe më pas u përdor si slogan edhe nga politika e këshillit bashkiak të Mynihut, siç është SPD-Partia Social Demokrate, ose “Të gjelbërit” që qeverisin momentalisht në Gjermani. Po të kërkoni në google, ura quhet Rosen. Unë nuk e di nëse do të ndërtohet, por në atë kohë u publikua si artikull në gazeta të ndryshme. Ka qenë një projekt studentor, por arriti pëlqyeshmërinë dhe u diskutua dhe për ndërtim. Ne e kemi si synim ta realizojmë edhe pse nuk jemi marrë shumë për ta prezantuar në një shtet tjeter, por e kemi si qëllim ta ndërtojmë diku, ta ekspozojmë ndoshta në Dubai, ose Emiratet e Bashkuara.
Keni përmendur bashkëpunimin me firma inovative në Mynih për zhvillimin e motorëve elektrikë. Si ka ndikuar ky bashkëpunim në dizajnin dhe funksionalitetin e Serafis-it?
Vëllai im ka filluar të vizatojë që në moshën 3 vjeçare makina edhe gjatë gjithë jetës së tij është perfeksionuar në dizajnin e makinave. Veç makinave ai ka dizenjuar edhe projekte të ndryshme të brandeve shumë të njohura të botës, të cilat nuk i publikojmë dot, pasi ato janë të bëra në emër të kompanive ku ai ka qenë i punësuar. Këto janë projekte që ndodhen në Paris, Berlin e në vende të ndryshme. Kemi bërë edhe një projekt kulle në Stuttgart edhe projekte urash, janë dy ura në Mynih. Ura e dyte është bërë nga miku im pedagog dhe kërkues shkencor në unversitetin Teknik të Mynihut i quajtur Drilon Gubetini. Kjo është një urë e dytë, ka një emër tjetër dhe këto janë projekte që janë të publikuara në media. Ne kemi dhe shumë projekte të tjera si motorra, jahte etj. Të gjitha këto janë pjesë e Brand-it SIVUON. Momentalisht fokusi qëndron tek supermakina Serafis.
Pse zgjodhët të krijoni makinën Serafis dhe çfarë e bën atë unike në tregun konkurrues të automobilave?
Ajo çfarë e bën ndryshe nga të tjerat është shpirti dhe mendja shumë kreative që shfaqet në çdo detaj të makinës. Të gjitha produktet tona kanë një stil që mund të krijojnë shumë mirë një brand unik. Në takime me themeluesit e Rimac dhe Könnigsegg na është ofruar mbështetje për prodhimin e supermakinës sonë, por jo investim direkt në sipërmarrjen tonë, pasi sado të vegjël të jemi, dizajni jonë shikohet si konkurrent për brande të tjera, tashmë të famshme dhe që e ruajnë prej 30 vitesh linjën e tyre. Jemi në diskutime dhe negociata me lojtarë global në fushën e automotivës. Gjithashtu ne jemi të hapur për shumë forma bashkëpunimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Lexoni edhe Dren Abazi Brand, brandi i veshjeve që po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtar
Keni thënë që ju është dashur afro 10 vite për të sjellë në jetë prodhimin e parë shqiptar të makinës. Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët gjatë këtij procesi?
Me sa shikoj vështirësia qëndron nga ana inxhinierike dhe menaxhuese, sepse duhet t’i përputhësh të gjitha komponentët së bashku. Makina është si ndërtimi i një objekti statik, por në makinë ka akoma më shumë kompleksitete aktore, inxhinieri të ndryshme dhe përshtatje, apo menaxhimi i gjithë këtyre pjesëve inxhinierike dhe kompanive të ndryshme e gjitha kjo përbën një rrugë të vështirë. Secila pjesë e makines zhvillohet nga një kompani tjetër. Kjo është ana më vështirë që të arrish në një përfundim duke bashkuar gjithë këto të tjerat, që të bësh diçka e cila do të pëlqehet nga tregu. Ndërtime makinash mund të bëhen pa fund, por nuk do të thotë se një investim shumë i madh dhe një prototip makine shumë i mirëfilltë mund të arrij të ketë sukses. Ajo që na bën ne të jemi ndryshe nga të tjerët është dizajni unik, që tashmë ka arritur nje pëlqyeshmëri shumë të lartë dhe fakti që burimi i krijimtarisë sonë ëshë kreativiteti tashmë i shfaqur në industri të ndryshme. Kjo i jep Serafisit një identitet të plotë në shikimin e parë. Kemi shumë investitorë entuziastë, por jemi në kërkim të një partneri afatgjatë dhe përfundimtar në mënyrë, që përfshirja në kompani të jetë sa më e qartë.
Planet tuaja përfshijnë jo vetëm prodhimin e makinave, por edhe jahteve. Si e shihni zgjerimin e kompanisë suaj në industri të ndryshme?
Kryesisht ne jemi të fokusuar vetëm në prodhimin e makinave, duam të kemi shitje të paktën e10 makina në vit, numër i limituar. Pak a shumë këto shitje ka pasur dhe një nga kompanitë më të njohura të supermakinave, pavarësisht se nuk më lejohet të flas për shifra dhe të përmend marka. Sipas hulumtimeve të mia supozohet të jenë bërë shitje mbi 1 miliard euro brenda 30 viteve, pra duke llogaritur diku te 10 makina mesatarisht në vit brenda kësaj periudhe. Pak a shumë këto shifra do të arrijmë edhe ne me këtë lloj supermakine të cilën po zhvillojmë.
A keni menduar një bashkëpunim të mëtejshëm, për vijimin e prodhimit të tyre për një treg më të gjerë?
Për bashkëpunime kemi një kompani në Mynih që ka prodhuar motorrë elektrik dhe ata na kanë siguruar edhe motorrët elektrik që mund t’i përdorim. Prototipin e parë po mundohemi ta bëjmë vetëm me benzin përkatësisht V12 Biturbo, pasi njerëzit më të apasionuar pas këtyre supermakinave si jemi dhe ne vetë, kërkojnë stilin klasik larg elekricitetit dhe ne në këtë formë do ta sjellim prototipin e parë. Pavarësisht që aspirohet që të bëhen dhe lloje të tjera hibride etj.
Çfarë mund të zbuloni për prezantimin e Serafis-it në vitin 2025? Çfarë shpresoni për pritjen e makinës në Gjenevë?
Për prezantimin në Gjenevë, mund të them se thjeshtë tregon formën e makinës, për të krijuar impaktin e parë, pasi normalisht aty nuk është se testohen makinat. Pritshmëritë tona janë që ne të njihemi shumë shpejt nga lojtarët global dhe të krijojmë lidhje të ngushta me ta, pasi aty janë të pranishëm të gjithë të apasionuarit e makinave, klientë apo bashkëpunëtorë potencial. Aty prezantohen Bugatti, Lamborghini dhe makina, apo prototipe nga më të ndryshme.
Çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që aspirojnë të kenë sukses në inxhinieri ose sipërmarrje në një shkallë globale?
Çdo të riu shqiptar do t’i sugjeroja ti shikonte të gjitha mundësitë, sepse ka mundësi të pafundme për të zhvilluar gjëra nga më të ndryshmet. Nuk ka rëndësi nëse janë punë në dukje të mëdha, apo të vogla. Mundësitë mund t’i gjejnë kudo në vendin ku janë, apo aty ku jetojnë dhe t’u besojnë përherë qëllimeve ideve e të mos të influencohen shumë nga rrethanat e rrjetet sociale. Duhet të jenë sa më ëndërrimtarë, të vendosur, por gjithsesi shoqëria influencon, njerëzit gjithashtu, por e mira është që të merren me diçka që ja vlen dhe jo me fokusin e gabuar. Nuk ka rëndësi sa e madhe është ëndrra, apo sa i madh është projekti, sepse shumica e projekteve nuk realizohen, por gjithsesi vlen që njeriu ta sfidojë veten, s’ka rëndësi nëse arrin shumë apo pak, në fund fare vlen fakti që ti ke kaluar disa sfida sidoqofshin ato.
E rëndësishme është se me kë, si dhe me çfarë e kalon kohën dhe jo mania për të fituar sa më shpejt, pasi kjo mani mund të të lërë në vend numëro përsa i përket zhvillimit të potencialit intelektual.