Dashurie Zerja nga fshati Grevë i Dibrës – qytet në lindje të Shqipërisë – tregon se ka mësuar se si përgatiten jufkat që në moshë të vogël.
Njihet si Dashuria e jufkave, pikërisht dashuria për këtë produkt që janë makarona të prodhuara në mënyrë artizanale – e ka bërë atë një grua të suksesshme.
“Kam qenë 12 vjeçe kur më vdiq nëna. Dy motrat e mëdha ishin të martuara. Dikush duhej të kujdesej për gatimin për babanë dhe dy vëllezërit”, nis rrëfimin Dashuria.
“Gjyshja më mori pranë vetes dhe më mësoi se si të bëhej brumi e si t’i përgatisja jufkat. Në njëfarë mënyre, ky ishte ushqimi kryesor në sofrat tona. Dhe, që në atë kohë, nuk iu ndava kurrë gatimit të jufkave”, thotë ajo.
Për Dashurinë, është një punë e vështirë, që do forcë në krahë për ta bërë brumin ashtu siç duhet.
Brumi bëhet me miell, vezë dhe qumësht, e më pas duhet të pushojë për disa orë i mbështjellë me qese.
Pasi që të bëhet peta, shpjegon Dashuria, ajo pritet në fije me thikë dhe në fund hapet nëpër çarçafë të bardhë, përzihet derisa të thahet mirë dhe paketohet.
Jufkat nuk mungojnë kurrë në një sofër dibrane dhe janë pjata më e mirë për të nderuar mikun.
Dashuria e nisi përgatitjen e tyre si nevojë, pasi mori rolin e nënës në shtëpi, por ngjashëm nisi edhe tregtimin e tyre shumë vite më vonë – për të siguruar më shumë të ardhura për familjen e saj.
Nënë e tre fëmijëve me rezultate të shkëlqyera në shkollë, Dashuria vendosi që me jufka të siguronte edhe shkollimin e tyre në universitet.
Nga tradita te biznesi
“Me ndihmën e vjehrrës sime nisa të gatuaj jufka për t’i tregtuar, jo për t’i konsumuar në familje. Duhej më shumë punë dhe mund, por e pashë si mundësi të mirë për të nxjerrë të ardhura që fëmijët t’i kryenin studimet e larta. Isha e vendosur për të bërë gjithçka për të shkolluar fëmijët”, thotë 53-vjeçarja.
Kështu, gjashtë vjet më parë, ajo nisi punën në punishten e saj të prodhimit të jufkave.
Shumë shpejt nisën edhe porositë nga banorët e zonës, por edhe jashtë saj.
Dashuria tregon se, për shkak se kërkesat për jufkat e saj u rritën shumë, futi në punishte edhe makineri, por nga ato të vjetrat që janë përdorur në zonën e Dibrës në të shkuarën, e jo moderne.
Thotë se ka zgjedhur kështu për të ruajtur sa më shumë traditën dhe që jufkat e saj “ta shuajnë mallin e jufkave që kanë bërë gjyshet apo nënat tona”.
Por, krahas jufkave, në punishte shtoi edhe të tjera zahire që përgatisin çdo dimër gratë e zonës. Nisi të tregtojë edhe trahana, turshi, reçele të ndryshme.
Dashuria thotë se produktet e dyqanit të saj, shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, por se arrijnë edhe në SHBA dhe Australi.
“Pasi vura re se kërkesat ishin gjithnjë e në rritje, diskutuam në familje dhe e pamë të arsyeshme të kishim bujtinën tonë. Djali i madh studion për inxhinieri dhe ndihmoi me ndërtimin, duke ruajtur traditën dibrane”, tregon Dashuria.
“Në bujtinën tonë gjen edhe dhomën e burrave, edhe dhomën e grave, ashtu siç kanë qenë dikur me oxhak, sofër, shtroje me lëkurë qengji e gjithçka tjetër. Por, kjo nuk do të thotë se i ndajmë burrat nga gratë, por i kemi risjellë sepse shumë njerëz kanë nostalgji për odat dibrane”, thotë ajo.
Bujtina e saj pret e përcjell çdo ditë turistë vendas e të huaj.
Thotë se turistët e huaj vijnë thuajse nga të gjitha vendet e botës, por më shumë nga Gjermania, Polonia dhe Çekia.
Gatimet tradicionale të zonës janë ato që u bëjnë përshtypje për shijen dhe historinë e tyre, sipas Dashurisë.
Ajo thotë se ndien keqardhje që fshatrat po braktisen.
Këtë e ndien edhe derisa përpiqet të sigurojë lëndën e parë për produktet që i duhen për bujtinën dhe dyqanin.
“Është shumë e vështirë ta sigurosh lëndën e parë, produktet bio – qoftë bujqësore, apo blegtorale. Kjo, sepse fshatrat po braktisen për fat të keq. Njerëzit nuk duan të merren më me bujqësi dhe blegtori”, thotë Dashuria.
Dashuria ka punësuar në bujtinën dhe dyqanin e saj gjashtë gra të zonës si dhe katër të rinj, përveç pesë anëtarëve të familjes së saj.
Ajo është e kënaqur që djali i saj i vogël, Albi, studion për menaxhim agrobiznesi dhe është e bindur se do të vijojë traditën familjare.
Dashuria shpreson që edhe gra të tjera dibrane ta ndjekin shembullin e saj, ndërsa të rinjtë të mos i braktisin fshatrat, por të shkollohen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre.