regjim ushqimor

Ngadalësoni plakjen me këto zakone të thjeshta të përditshme

Shoqëria moderne është e magjepsur nga shëndeti, forma fizike dhe jetëgjatësia. Kjo etje për të qëndruar sa më gjatë të rinj ka kthyer kujdesin ndaj vetes në një industri shumëmilionëshe, me produkte, suplemente dhe metoda që premtojnë të ndalojnë plakjen.

Por, sipas ekspertëve, sekreti për një jetë të gjatë nuk është aspak i ndërlikuar. Ka disa zakone të përditshme të thjeshta që mund të ngadalësojnë procesin e plakjes dhe t’ju bëjnë të ndiheni më energjikë e më të rinj.

Kur flasim për moshën, zakonisht mendojmë për numrin e viteve që kemi jetuar. Por ekspertët thonë se ekzistojnë dy lloje moshe:

Mosha kronologjike, që tregon vitet e jetës.

Mosha biologjike, e njohur edhe si “mosha e vërtetë” ose “mosha e trupit të brendshëm”. Kjo mat sa mirë funksionojnë sistemet e trupit, nëpërmjet treguesve biologjikë si qelizat, gjaku dhe ADN-ja.

Studimet tregojnë se mosha biologjike, dhe jo ajo kronologjike, përcakton se sa gjatë do të jetojmë. Për shembull, dy persona 60-vjeçarë mund të kenë jetëgjatësi të ndryshme në varësi të moshës biologjike. Ai që ka “trup më të ri” priret të jetojë më gjatë.

Sot, kjo moshë mund të matet lehtësisht me teste epigjenetike, që realizohen me një mostër të vogël pështyme. Rezultatet tregojnë se si po ndikon mënyra e jetesës në proceset e plakjes.

Në thelb, zakonet tona të përditshme mund të përshpejtojnë ose ngadalësojnë plakjen. Ja cilat janë pesë zakonet që ekspertët i konsiderojnë kyçe për të “kthyer pas orën e trupit”.

 Vraponi larg plakjes në kuptimin e plotë të fjalës

Të qenit fizikisht aktiv dhe ushtrimet e rregullta janë ndër mënyrat më të sigurta për të zgjatur jetën.

Edhe nëse nuk keni ushtruar më parë, nuk është kurrë vonë për të filluar. Një studim tregoi se njerëzit që ndoqën një program 8-javor ushtrimesh zvogëluan moshën e tyre biologjike me rreth dy vjet.

Kombinimi i ushtrimeve të forcës dhe qëndrueshmërisë, të kryera 3–4 herë në javë për të paktën 20–25 minuta, ndihmon në ngadalësimin e procesit të plakjes së qelizave.

Aktiviteti fizik ndihmon që gjenet të vazhdojnë të punojnë si duhet, duke e ngadalësuar procesin e plakjes, një proces që kontrollon nëse disa gjene janë aktive apo jo. Me kalimin e viteve, disa gjene që mbajnë trupin të shëndetshëm “fiken”, por aktiviteti fizik ndihmon që ato të vazhdojnë punën e tyre për më gjatë.

Ti je ajo që ha

Të ushqyerit shëndetshëm ndikon drejtpërdrejt në uljen e moshës biologjike, veçanërisht tek personat me sëmundje kronike ose mbipeshë.

Një studim me afro 2,700 gra zbuloi se ndjekja e një regjimi ushqimor të shëndetshëm për 6–12 muaj e ngadalësoi procesin e plakjes me mesatarisht 2.4 vjet.

Një dietë që ngadalëson plakjen përfshin më shumë fruta, perime, drithëra të plota, arra, bishtajore, peshk dhe proteina të dobëta,më pak mish të kuq, yndyra të ngopura, sheqer dhe kripë.

Këto ushqime janë të pasura me antioksidantë, vitamina dhe përbërës anti-inflamatorë që ndihmojnë qelizat të riparojnë dëmet dhe mbrojnë ADN-në nga stresi oksidativ.

 Përmirësoni gjumin
Gjumë i mirë ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit hormonal, uljen e inflamacionit dhe forcimin e sistemit imunitar.

Një analizë shkencore tregoi se cilësia e gjumit ndikon drejtpërdrejt në shpejtësinë e plakjes. Personat që flenë më pak se 5 orë në natë kanë rrezik më të lartë për sëmundje të lidhura me moshën, si diabeti, sëmundjet e zemrës, kanceri dhe demenca.

Një tjetër studim i madh në Mbretërinë e Bashkuar, me afro 200,000 pjesëmarrës, tregoi se punonjësit e turneve të natës kishin moshë biologjike rreth një vit më të lartë krahasuar me ata që punonin në orare normale.

 Largoni veset e dëmshme

Pirja e duhanit, alkooli dhe avullimi janë armiqtë më të mëdhenj të rinisë.

Duhani mund të plakë mushkëritë me deri në 4.3 vjet, ndërsa qelizat e rrugëve të frymëmarrjes me afro pesë vjet.
Një tjetër studim që përfshiu më shumë se 8,000 persona tregoi se çdo sasi alkooli lidhet me përshpejtimin e moshës biologjike sa më shumë të konsumohet, aq më i madh efekti plakës.

Këto zakone dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në, rrisin inflamacionin dhe vendosin qelizat nën stres të vazhdueshëm, duke e bërë trupin të “lodhet” më shpejt.

 Kontrolloni mendjen dhe stresin

Menaxhimi i stresit është një nga sekretet më të rëndësishme të jetëgjatësisë.Studimet tregojnë se njerëzit që përballen me stres kronik, punojnë orë të gjata (më shumë se 40 në javë) ose kanë vështirësi në menaxhimin emocional, plaken më shpejt në nivel biologjik.

Stresi dëmton ADN-në, prish ekuilibrin hormonal dhe dobëson sistemin imunitar. Ai gjithashtu ndikon në zakone të tjera që përshpejtojnë plakjen, si gjumi i dobët apo ushqyerja e keqe.

Për këtë arsye, krijimi i strategjive të shëndetshme për të përballuar stresin si meditimi, aktiviteti fizik, shëtitjet në natyrë ose koha me njerëz të dashur është thelbësor për shëndetin afatgjatë.

Faktorë si vetmia, ndotja e ajrit, kushtet ekstreme të temperaturës apo mjedisi ku jetojmë mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën si plaket trupi.
Por lajmi i mirë është se ndryshimet e vogla në stilin e jetës mund të kenë ndikim të madh duke përmirësuar shëndetin, mirëqënien dhe ndoshta edhe duke “kthyer mbrapsht” procesin e plakjes.

sciencealert.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top