Studiues nga Imperial College London thonë se 16,500 vdekje janë shkaktuar nga nxehtësia e lidhur me gazrat serrë
Ngrohja globale e shkaktuar nga njerëzit ka qenë përgjegjëse për dy në tre vdekje nga i nxehti në Europë gjatë verës së këtij viti, sipas një analize të hershme të vdekshmërisë në 854 qytete të mëdha.
Epidemiologë dhe shkencëtarë të klimës i kanë atribuuar 16,500 nga gjithsej 24,400 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, gjatë periudhës qershor–gusht, motit tepër të nxehtë të nxitur nga gazrat serrë.
Analiza e shpejtë, e bazuar mbi metoda tashmë të njohura, por ende e pabotuar për rishikim shkencor (peer review), arriti në përfundimin se kriza klimatike e ka bërë mesatarisht 2.2°C më të nxehtë ambientin në qytete, duke rritur ndjeshëm numrin e viktimave nga temperaturat e rrezikshme.
“Zinxhiri shkaktar nga djegia e lëndëve djegëse fosile te rritja e temperaturave dhe vdekshmëria është i pamohueshëm,” tha Friederike Otto, shkencëtare e klimës në Imperial College London dhe bashkautore e studimit. “Po të mos kishim vijuar me djegien e karburanteve fosile gjatë dekadave të fundit, shumica e atyre 24,400 njerëzve në Europë nuk do të kishin vdekur këtë verë.”
Studiuesit përdorën të dhënat lokale mbi lidhjen midis temperaturës dhe vdekshmërisë për të modeluar tepricën e vdekjeve gjatë muajve më të nxehtë, dhe i krahasuan me një skenar hipotetik pa ndryshime klimatike. Ata zbuluan se nxehtësia shtesë ishte përgjegjëse për rreth 68% të vdekjeve të regjistruara.
Më të prekurit ishin të moshuarit: 85% e viktimave ishin mbi 65 vjeç dhe 41% mbi 85 vjeç.
“Shumica dërrmuese e vdekjeve nga i nxehti ndodhin në shtëpi ose spitale, ku njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese shtyhen deri në kufijtë e tyre,” tha Garyfallos Konstantinoudis, epidemiolog në Imperial College London dhe bashkautor i studimit. “Por nxehtësia rrallë përmendet në certifikatat e vdekjes.”
Megjithatë, disa viktima të ndërlidhura me punë apo aktivitet jashtë u raportuan nga mediat lokale. Një prej tyre ishte Manuel Ariza Serrano, 77 vjeç, ish-këshilltar në La Rambla të Spanjës, i cili humbi jetën pasi u rrëzua gjatë një shëtitjeje në gusht, kur temperaturat në rajonin e Kordobës arritën deri në 45°C.
Një tjetër ishte Brahim Ait El Hajjam, 47 vjeç, baba i katër fëmijëve dhe pronar i një kompanie dyshemesh në Italinë veriore, i cili ndërroi jetë teksa po vendoste betonin e një shkolle pranë Bolonjës, ku atë ditë temperatura shkoi në 38°C. Ai vdiq dy ditë përpara se të hynte në fuqi një urdhër rajonal që ndalonte punimet në ambiente të hapura gjatë pasdites.
“Telefonoi nënën time dhe i tha se do të vinte në shtëpi për të përgatitur drekën. Se do të ishte në shtëpi në mesditë,” kujtoi djali i tij 19-vjeçar, Salah, për televizionin italian Antena 3.
Konstantinoudis paralajmëroi se rreziku shëndetësor nga vala e të nxehtit ende nënvlerësohet. “Askush nuk do ta priste që dikush të rrezikonte jetën duke punuar në shi të rrëmbyer apo në erëra uragani,” tha ai. “Por nxehtësia e rrezikshme ende trajtohet me shumë lehtësi.”
Qytetet europiane janë më të përgatitura për t’u përballur me të nxehtin ekstrem krahasuar me vitin 2003, kur një valë shkatërrimtare e të nxehtit vrau 70,000 njerëz, por shërbimet emergjente e kanë të vështirë të ecin në hap me rritjen e temperaturave dhe plakjen e popullsisë.
Mjekët kanë kërkuar plane lokale emergjence kur godasin valët e të nxehtit, më shumë hapësira të gjelbra në qytete – të cilat janë më të nxehta se zonat rurale – si dhe ajrosje dhe kondicionim për grupet vulnerabël, veçanërisht në shtëpitë e të moshuarve.
Madeleine Thomson, eksperte për përshtatjen klimatike në organizatën jofitimprurëse të shëndetit Wellcome, e cila nuk ka qenë pjesë e studimit, tha se të dhënat e reja tregojnë se “asnjë qytet në Europë nuk është imun ndaj vdekjeve nga të nxehtit ekstrem.”
“Nëse nuk veprojmë tani, bilanci i viktimave do të rritet,” shtoi ajo. “Duhet urgjentisht të heqim dorë nga karburantet fosile dhe të zbatojmë politika që mbrojnë më të rrezikuarit nga valët gjithnjë e më vdekjeprurëse të të nxehtit.”