panel

Një bisedë që lë gjurmë: Mendime, këshilla dhe reflektime nga të rinj që po ndërtojnë të ardhmen

Kjo pjesë është shkëputur nga paneli i zhvilluar gjatë AGE Forum, një event që mblodhi së bashku të rinj, startup-e, përfaqësues të organizatave, institucioneve që synojnë partneritete, si dhe profesionistë. Ata diskutuan ide, sfida dhe zgjidhje për të ardhmen e sipërmarrjes.

Paneli, i moderuar nga Marjana Murja, solli përvojat e tre të rinjve: Alisa Dudaj, Gramoz Todori dhe Drini Zusi, të cilët ndanë, jo vetëm historitë e tyre personale, por edhe reflektime të thella që vlejnë për pjesëmarrësit e forumit dhe për çdo të ri që aspiron të krijojë, të rritet dhe të ndikojë.

Ky rrëfim është menduar të mbetet i shkruar, për të mos u harruar dhe le të jetë një udhërrëfyes nga përvojat konkrete për ata që janë në fillimet e tyre, për ata që kanë frikë të hedhin hapin e parë, apo për ata që duan të kujtojnë se suksesi nuk është vijë e drejtë, por një rrugëtim me kthesa, rënie e ringritje.

Alisa Dudaj, themeluese e linjës së veshjeve “Alisa Dudaj” dhe bashkëthemeluese e @Lizabelle, Gramoz Todori, themelues i platformës së punësimit staff.al dhe Drini Zusi, përfaqësues i kompleksit industrial AZ Consulting, ndanë me publikun sukseset dhe rrëzimet e para, kthesat e papritura dhe zgjedhjet strategjike që i çuan drejt qëndrueshmërisë.

Ata nuk folën vetëm për historitë e tyre por dhanë këshilla, duke treguar gabimet që do të shmangnin dhe strategjitë që funksionuan, me qëllimin për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që kishin marrë pjesë në garën për startup-e në këtë edicion të AGE Forum.

Ky moment u kthye në një pikë kontakti të fuqishme midis përvojës dhe energjisë së ideve të reja, duke përforcuar mesazhin se rrugëtimi i sipërmarrjes nuk ka receta të gatshme, por kërkon përkushtim, kthjelltësi dhe kurajo për të vepruar edhe kur duket se nuk ka rrugëdalje.

Alisa Dudaj krijon veshje `slow fashion’ i quan ajo, të cilat janë me motive tradicionale shqiptare por tregojnë edhe një luks të këndshëm. Veshjet e qendisura me dorë, janë nga artizanë shqiptare të krahinave të ndryshme, copat janë të riciklueshme dhe mund të ripërdoren.

Alisa tregon se në fillim ishte shumë konfuze, por rrugës më drejtimin e prindërve që janë sipërmarrës ju dha mundësia të zhvillohet më tej.

Frika më e madhe e saj ka qenë përzgjedhja e stafit e atyre që do të ndiqnin të njëjtin rrugëtim me të. Siç thot ajo mbështetja më e madhe ishte mami, e cila ka qenë si një rrjetë për të, që e mbante dhe ishte aty sa here nuk kishte rrugëzgjidhje. “Mendoj se ky është benefit i imi”, thot ajo me buzëqeshje. “Gjithashtu një këshillë e gjyshit ‘ Nuk falimenton kurr, thjesht ndrysho drejtimin deri sa të gjesh rrugën drejt suksesit tënd’”, theksoi Alisa.

Pyetjes nga moderatorja Marjana Murja se “Cili ka qenë dështimi yt më i suksesshëm?”, Alisa Dudaj rrëfeu një reflektim të sinqertë dhe frymëzues. Ajo u shpreh se pikërisht brand-i i saj i modës, në fillimet e veta, ishte një dështim, por që më vonë u kthye në pikën e kthesës.

“Në fillim kisha pritshmëri shumë të larta. Isha e bindur se sapo të dilnin veshjet e para, do të kishte menjëherë një ‘boom’ dhe të gjithë do t’i blinin. Kisha ndërtuar një plan biznesi ambicioz, por gjërat nuk shkuan ashtu siç i kisha parashikuar. Në atë moment, ndjeva sikur gjithçka po dështonte dhe mendova: ‘Po tani çfarë do bëj me punëtorët, me materialet, me pajisjet?’ Ishte një ndjesi e fortë përgjegjësie dhe zhgënjimi,” tha ajo.

Por përmes reflektimit dhe mbështetjes nga familja, Alisa nuk e pa fundin, por një mundësi për të rishikuar drejtimin. Ajo vendosi të mos e braktisë biznesin, por të shfrytëzojë investimin ekzistues për të krijuar një linjë të re, më praktike dhe të qëndrueshme.

“Fillova të prodhoja uniforma për biznese, për të mbajtur aktivitetin dhe për të siguruar disa të ardhura. Më pas, përmes kontakteve dhe vëzhgimit të tregut, pashë një kërkesë të madhe për veshjet për fëmijë, që ishin më të lehta për t’u shitur. Kjo më çoi drejt krijimit të një brand-i të ri, dhe kështu ndërtova një sistem ku nëse nuk kishte porosi nga një linjë, të kishte nga tjetra.”

Ky kapërcim nga zhgënjimi në rimendim strategjik është shembulli më i mirë i transformimit të një “dështimi” në një rrugëtim të suksesshëm, ku pasioni për modën dhe nevoja për qëndrueshmëri ekonomike gjetën një pikë balancimi.

“Në fund të ditës, po bëja edhe atë që më jepte kënaqësi, por edhe atë që më ndihmonte të paguaja faturat dhe për atë moment, kjo ishte më e rëndësishmja,” – përfundoi Alisa.

Gramoz Todori, themelues i platformës së punësimit Staff.al, një nga startup-et më inovative në Shqipëri me mbi 90 mijë përdorues aktivë, ndau me pjesëmarrësit e AGE Forum rrugëtimin e tij si sipërmarrës, pas një dështim të mëparshëm ku sipas tij, ajo që kaloi i dha një mësim më të vlefshme për të krijuar një platformë, që sot lehtëson ndjeshëm procesin e punësimit dhe automatizon rekrutimin për kompanitë shqiptare.

“Kur nisëm Staff.al, ishim në një pozicion të favorshëm, pasi unë vija nga fusha e marketingut dhe kisha një rrjet të mirë me kompani të rëndësishme të asaj kohe. Ishte një avantazh i madh sepse kishim vendet e para vakante gati dhe i mbështetëm me një fushatë marketingu shumë agresive, që vazhdojmë edhe sot ta përdorim. Por sfida jonë më e madhe është që duhet të punojmë paralelisht si me kompanitë, ashtu edhe me punëkërkuesit, dy audienca që kanë pritshmëri dhe ritme të ndryshme.”

Me një strategji të qartë dhe ekzekutim të shpejtë, Staff.al arriti të regjistronte mbi 10 mijë përdorues në vetëm tre muaj”- një shifër që, sipas Gramozit, i dha hov platformës në treg.

Kur moderatorja Marjana Murja e pyeti nëse rrugëtimi i startup-it kishte ndjekur një linjë të qartë që nga fillimi, apo nëse ka pasur devijime për shkak të faktorëve të brendshëm apo të jashtëm, Gramozi tregoi me transparencë se sfida më e madhe ishte ndryshimi i mentalitetit të tregut shqiptar, i mësuar me metoda analoge të punësimit.

“Në fillim, kompanitë postonin pozicionet e lira në website-t e tyre, ndërsa kandidatët përpiqeshin të gjenin adresën e email-it për të aplikuar. Ishte një sistem i vjetruar. Ajo që ne sollëm ndryshe ishte fakti që përdoruesi plotëson vetëm një herë profilin, dhe më pas aplikon automatikisht. Por për të bindur kompanitë që aplikimet do t’u vinin në platformë dhe jo më në email, ishte vërtet sfiduese. Ne duhej të qëndronim të vendosur, sepse vetëm përmes gjurmueshmërisë dhe automatizimit mund të funksiononte modeli ynë.”

“Pas 6 muajsh, rezultatet filluan të flasin vetë: asnjë kontakt i drejtpërdrejtë me kompanitë nuk ishte më i nevojshëm, sepse sistemi tashmë funksiononte plotësisht i dixhitalizuar dhe i automatizuar. Madje, për të garantuar sigurinë në pagesa, Staff.al implementoi një nga sistemet më të njohura ndërkombëtare ‘Stripe’, tregoi ai.

Në një moment më personal të diskutimit, Marjana e pyeti:
“A e identifikon veten si një lider? A ke pasur ndonjëherë dyshime për këtë?”

Përgjigjja e Gramozit ishte reflektive dhe e sinqertë:

“Kur fillova me Staff.al, vija nga një dështim spektakolar, kisha kaluar katër vite në një projekt që nuk funksionoi dhe në një pikë e vura seriozisht në dyshim nëse do të arrija ndonjëherë suksesin. Por duke qenë lexues pasionant i filozofisë, sidomos i Dostojevskit, të cilin nuk e shoh si shkrimtar, por si filozof të shpirtit njerëzor, mësova që dështimi është pjesë përbërëse e çdo rruge krijuese.”

Gjithashtu i inspiruar edhe nga shembujt e mëdhenj si Niels Bohr, Einstein apo Oppenheimer, të cilët dështuan shumë herë para se të krijonin zbulimet e mëdha, Gramozi vendosi të ndjekë logjikën dhe nevojën e tregut, edhe kur kjo nënkuptonte të lini mënjanë emocionin personal.

“Ideja ime e parë ishte shumë e bukur për mua, por nuk rezonoi me atë që njerëzit kërkonin. Duhej të zgjidhja midis zemrës dhe mendjes. Zgjodha të ndërtoj mbi kërkesën reale të tregut: në një kohë kur të gjithë thoshin ‘nuk ka staf’, unë thashë, po pse mos të ndërtojmë një zgjidhje për këtë problem?”

“Në fund, nuk ka rrugë që të përcakton drejt suksesit. Mbase nesër do përballem me një dështim edhe më të madh, por këtë ne nuk e dimë.”

Drini Zusi, përfaqësues i AZ Group, tregoi se si një kompani që nisi si një punëtori fason në vitin 2008, sot është shndërruar në një kompleks industrial lider në rajon, duke operuar mbi parime të ekonomisë qarkulluese dhe me një filozofi inovacioni që tejkalon kufijtë e zakonshëm të tregut vendas.

AZ Group është një kompleks prej katër fabrikash që merret me përpunimin e nënprodukteve shtazore, duke nxjerrë molekula të avancuara dhe duke krijuar ingrediente natyrale që përdoren në sektorë të ndryshëm, nga industria ushqimore, deri te farmaceutika dhe bioteknologjia.

“Ne jemi të vetmit në gjithë Ballkanin Perëndimor që bëjmë këtë punë. Ekstraktojmë peptone dhe peptide, të cilat janë thelbësore për laboratorët e biotech dhe për industrinë farmaceutike. Gjithashtu, prodhojmë heparinën krudo, një substancë farmaceutike që përdoret si hollues gjaku” , tregon Drini.

Gjithashtua ai theksoi se rënia nuk ka qenë kurrë opsion, por rritja ka ardhur gjithmonë në mënyrë graduale, duke kaluar nga një fasoneri që përpunonte materiale për palë të treta, në një strukturë që prodhon vetë dhe që sot ofron zgjidhje unike në treg.

“Që nga fillimi kemi pasur një qasje të bazuar në inovacion të aplikuar, jo thjesht në përdorimin e teknologjisë për t’u dukur modernë, por në krijimin e produkteve që kanë një përdorim konkret dhe të matshëm për klientin. Nëse produkti ynë nuk i ofron klientit të paktën dyfishin e vlerës krahasuar me atë që ka përdorur më parë, atëherë nuk jemi duke bërë inovacion të vërtetë.”

Në këtë drejtim, AZ Group ka ndërtuar një model unik në Shqipëri: është i pari kompleks industrial që operon me zero mbetje dhe është 100% i bazuar në ekonominë qarkulluese, duke ripërdorur çdo element të lëndës së parë për të minimizuar humbjet dhe ndikimin në mjedis.

Moderatorja Marjana Murja e pyeti Drinin se cila ka qenë ajo pikë kritike në rrugëtimin e tyre, një moment që kërkonte vendosmëri për ta kaluar.

Përgjigjja e tij ishte e qartë:

“Unë mendoj që është mekanike. Ka njerëz që ndalojnë kur përballen me një pengesë, dhe ka njerëz që ecin përpara. Kjo është diferenca. Janë dy lloj njerëzish: ata që bëjnë diçka sepse duhet, dhe ata që bëjnë diçka sepse duan të sjellin ndryshim.”

Ai theksoi se ambicia për rritje nuk mjafton vetëm me aftësi teknike apo ide të mira, por duhet të shoqërohet me vullnet për të ofruar vlera të reja për klientin dhe për të ecur përtej asaj që ofron tregu aktual.

Në fund të diskutimit, Drini ndau edhe një reflektim personal mbi klimën sipërmarrëse në Shqipëri:

“Shqipëria nuk është vendi ideal për të nisur një startup, siç mund të jenë vende të tjera në botë. Kjo sepse popullsia nuk është mësuar të jetë “early adopter”, njerëzit këtu nuk janë të prirur ta provojnë të parët një produkt ose zgjidhje të re dhe kjo e bën më të vështirë që një ide inovative të marrë hov që në fillim.”

Megjithatë, ai inkurajoi të gjitha startup-et pjesëmarrëse në forum duke i uruar suksese dhe këmbëngulje, sepse sipas tij, ndryshimi real vjen vetëm nga ata që guxojnë të qëndrojnë dhe të rriten ndryshe.

Një dhuratë simbolike për ata që nisin rrugën e tyre

Në përmbyllje të panelit, moderatorja Marjana Murja i kërkoi të ftuarve të ndanin nga një “dhuratë simbolike” me të gjitha startup-et pjesëmarrëse në forum: një mendim, një thënie, një reflektim nga përvoja e tyre, që mund të shërbejë si frymëzim për vajzat dhe djemtë që janë në fazat e para të ndërtimit të një ideje apo biznesi.

Alisa Dudaj:

“Nuk ka probleme, ka gjithmonë zgjidhje. Fokusi nuk duhet të jetë te problemi, por te zgjidhja. Jo gjithmonë ekziston vetëm një drejtim: ndonjëherë duke ndryshuar vetëm pak rrugën, mund të arrish pikërisht atje ku do. Guxoni të përshtateni.”

Gramoz Todori:

“Këshilla ime për ata që janë në fazat e para është kjo: Kushtoni shumë rëndësi emrit dhe logos së biznesit. Janë gjëra që duken të vogla por kanë shumë peshë në ndërtimin e identitetit. Dhe mos prisni gjatë. Mos u bllokoni në planifikim. Dilni në treg me një version të parë të produktit, testojeni, mësoni dhe përmirësoni. Unë kam humbur tre vite për të nxjerrë një produkt që dështoi për katër muaj.”

Drini Zusi:

“E kam të vështirë ta përmbledh në vetëm një këshillë, por do ndaj katër gjëra thelbësore:”

  1. Hidhni themele të forta që në fillim si vizion, objektiva të qarta, kulturë organizative. Kur të arrini majat, këto themele do t’ju mbajnë të palëkundur.
  2. Sfidojeni tregun, prishni balancat ekzistuese dhe krijoni vlera të reja. Lexoni “Kleiton Centery” dhe kuptoni çfarë “pune” bën produkti juaj për konsumatorin funksionalisht, emocionalisht dhe socialisht.
  3. Përdorni mjetet që keni, për shembull, ChatGPT. Diskutoni me të idenë tuaj dhe testoni konceptin në bazë të metodës “Job to be Done”.
  4. Gjeni një mentor, unë kam pasur fatin të kem babain si mentor, por edhe mentor të tjerë. Kërkoni, përdorni LinkedIn, kërkoni ndihmë. Mos kini frikë të pyesni.

“Ju që jeni këtu sot, të premten pasdite, nuk keni zgjedhur të rrini diku tjetër. Kjo tregon se jeni kërkues dhe vetëm kërkuesit arrijnë.”

Marjana Murja, për të përmbyllur këtë bisedë të hapur dhe të thellë, ndau jo vetëm një këshillë profesionale nga përvoja e saj 10-vjeçare në marketing, por edhe një reflektim personal që prek thellësisht çdo sipërmarrës të ri:

“Ju lutem, bëni marketing të asaj që jeni realisht, mos marketoni atë që nuk jeni. Kjo mund t’ju japë sukses afatshkurtër, por në afatgjatë nuk do t’ju çojë askund, Mos kini frikë nga dështimi frika më e madhe nuk është ajo që mund të mos ja dalim, por frika që edhe po arritëm, nuk do dimë çfarë të bëjmë më pas. Kini guximin të shfaqeni, edhe kur diçka nuk shkon. Kini guximin të flisni për veten dhe sukseset tuaja. Mos e lini suksesin të heshtur.”

Fjalët që u thanë në këtë panel janë më shumë sesa momente të një eventi, janë pjesë e një përvoje që duhet të lexohet, të përçohet dhe të ruhet. Të tre të ftuarit, së bashku me moderatoren, lanë pas këshilla me peshë, ndjeshmëri dhe vizion, që mund të jenë udhërrëfyes për çdo të ri në Shqipëri që synon të krijojë diçka me kuptim.

Ky artikull është një përpjekje për t’i ruajtur dhe për t’i shpërndarë ato mesazhe, që të mos mbeten vetëm brenda sallës së eventit, por të shtrihen më gjerë – drejt atyre që sot kanë një ide, një pasion apo thjesht një pyetje: “A ia vlen të provoj?”

Përgjigja ndoshta është në një nga fjalët e mësipërme.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top