Një nga eventet më prestigjioze të vitit në skenën letrare shqiptare, Çmimet Kombëtare të Letërsisë, u ndanë me një ceremoni të veçantë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Ministria e Kulturës, Elva Margariti, pasi mori pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, karakterizoi vitin 2023 si një vit të jashtëzakonshëm për kulturën e librit, duke përmendur disa momente kyçe si: prania e Shqipërisë në Panairin e Librit në Torino dhe hapja e aneksit të Bibliotekës së re Sotir Kolea.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, i cilësoi çmimet si një pamje e rrallë e letërsisë së sotme shqiptare dhe një burim motivimi për autorët dhe librin shqiptar. Juria e këtij viti, në krye me Akademikun Mehmet Kraja dhe anëtarët Shezai Rrokaj, Saverina Pashaj, Aida Tuci dhe Mimoza Hysa, pati detyrën e vështirë të përzgjidhte fituesit e çdo kategorie.
Çmimi “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” iu dha poetes Olimbi Velaj për librin “Lumturia e të tjerëve”. Juria shpalli motivacionin duke theksuar “ndjeshmërinë dhe sinqeritetin e mendimit, origjinalitetin dhe gjuhën poetike mjeshtërore e të drejtpërdrejtë” të autorit.
Çmimi “Përkthimi më i mirë i vitit” iu dha përkthyeses Mira Meksi për librin “Vjeshta e patriarkut” të G. G. Marquez. Motivacioni theksoi “përkthimin e romanit në një shqipe të pasur me një sintaksë pabesueshmërisht të qartë”, duke respektuar stilin e autorit dhe sjellur një autencitet të shkëlqyer.
Çmimi “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” iu dha shkrimtarit Behar Jacaj për librin “Hoteli përbri kishës”. Juria e vlerësoi për “pasqyrimin psikologjik të pështjellimit të botës së brendshme të njeriut të kohërave të sotme, përmes një rrëfimi të zhdërvjellët, me gjuhë të pasur dhe situatë befasuese”.
Çmimi “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit” iu dha studiuesit Xhevat Lloshi me librin “Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip” me motivacionin: “një studim i plotë, i larmishëm dhe i dokumentuar mbi veprën dhe kronologjinë e jetës si dhe të përkthimeve shqip të Biblës dhe një bibliografi shteruese mbi veprën e Kristoforidhit”. Sakaq, çmimi “Libri për fëmijë më i mirë i vitit” iu dha shkrimtares Edi Gogu për librin “Tezja dhe shkopinjtë magjikë” me motivacionin: “për një shkrim plot fantazi që nxit imagjinatën dhe i fut fëmijët në botën e ëndrrave”. Ndërkohë, çmimi “Romani më i mirë i vitit shkoi për shkrimtarin Stefan Çapaliku me romanin “Një engjëll veshë me frak” me motivacionin: “për një shkathtësi rrëfimi dhe gjetjesh të përdorura tradicionalisht në prozën romanore, tejkalon këtë kufizim dhe veprës i jep shtrirje më të gjerë dhe personazhit reference polivalente”.
Këto çmime vazhdojnë të jenë një burim frymëzimi dhe njohje për krijuesit letrarë në Shqipëri, duke kontribuar në avancimin dhe promovimin e letërsisë së tyre.