Një sërë faqesh dhe shërbimesh përfshirë LinkedIn, Zoom, Canva, Shopify dhe Downdetector u goditën këtë të premte nga një tjetër problem teknik në Cloudflare, duke shënuar ndërprerjen e dytë në më pak se një muaj për gjigantin e infrastrukturës së internetit.
Cloudflare tha se incidenti ndodhi pas një rregullimi në firewall-in e saj, bërë për të mbrojtur klientët nga një cenueshmëri e re software e zbuluar këtë javë. Kompania theksoi se nuk bëhej fjalë për një sulm kibernetik. Pak më herët, u raportua edhe një çështje e veçantë që lidhej me API-të e saj.
Ndërprerja zgjati rreth 30 minuta. Ky incident vjen pas një defekti shumë më të madh në mesin e nëntorit, i cili ndikoi platforma si X, OpenAI dhe Spotify, si edhe lojëra online si League of Legends. Në atë rast, një skedar konfigurimi i gjeneruar automatikisht doli jashtë parametrave normalë dhe shkaktoi një kolaps të sistemit që menaxhon trafikun e disa shërbimeve të Cloudflare.
Ndërsa ky i fundit ishte më i lehtë, efektet u ndjenë gjerësisht. Downdetector regjistroi mbi 4,500 raportime pasi u rikthye online.
Ekspertët thonë se seria e këtyre ndërprerjeve ka rindezur debatin mbi centralizimin e tepërt të shërbimeve kyçe të internetit. Steven Murdoch, profesor i informatikës në University College London, u shpreh se dy incidentet brenda një periudhe kaq të shkurtër do të nxisin pyetje të reja rreth praktikave të Cloudflare.
“Është ende herët për të thënë nëse kemi të bëjmë me një problem sistemik apo thjesht me fat të keq,” tha ai, duke theksuar se Cloudflare ndërton reputacionin e saj mbi besueshmërinë dhe rezistencën ndaj sulmeve kibernetike.
Michał Woźniak, ekspert i DNS dhe infrastrukturës së internetit, shtoi se ngjarjet e fundit tregojnë sa “i brishtë është interneti i Big Tech-it”, duke theksuar se kjo ishte ndërprerja e katërt globale e madhe që nga 20 tetori.
Megjithatë, disa analistë sugjerojnë se ky incident mund të ketë edhe efekt anësor pozitiv për kompaninë, duke rikujtuar se në raste të ngjashme si ndërprerjet e Amazon Web Services, tregjet kanë reaguar duke e rritur vlerësimin e platformave që mbajnë pjesën më të madhe të trafikut global.
