ROBOT

Njeriu apo Inteligjenca Artificiale?

4 mënyra për të jetuar me vetëdije në një botë të drejtuar nga IA

Imagjinoni të bisedoni për dy orë me një sistem teknologjik dhe në fund të asaj bisede, IA të mund të kopjojë personalitetin tuaj mënyrën si flisni, mendoni, vendosni, apo edhe si sillen zakonet dhe preferencat tuaja. Kjo nuk është më fantashkencë. Agjentët e IA, një fazë e re e zhvillimit të inteligjencës artificiale, po ndryshojnë mënyrën si ndërveprojmë me teknologjinë dhe si ajo po ndërvepron me ne.

Për të kuptuar më mirë ndikimin që kanë këto sisteme, është e rëndësishme të dallojmë qartë tre koncepte: inteligjenca artificiale (IA), IA gjeneruese, dhe agjentët e IA dhe më pas të kuptojmë mundësitë dhe rreziqet që sjellin ato për lirinë tonë, marrëdhëniet dhe vendimmarrjen:

  • Inteligjenca artificiale përfshin sisteme që kryejnë detyra që normalisht kërkojnë inteligjencë njerëzore – si zbulimi i modeleve, zgjidhja e problemeve ose parashikimi i rezultateve. Kjo përfshin gjithçka, nga automatizimi i thjeshtë deri tek algoritmet më të avancuara.
  • IA gjeneruese është një nënkategori që krijon përmbajtje të re – si tekst, imazhe apo muzikë – duke mësuar nga të dhëna ekzistuese. Modele si ChatGPT apo DALL·E janë shembuj të tillë: ato jo vetem japin përgjigjen, por krijojnë diçka të re bazuar në shembujt që kanë mësuar.
  • Agjentët e IA janë programe të ndërtuara për të vepruar me qëllim të caktuar. Disa janë “agjentë mjeti”, që ndihmojnë në detyra praktike si menaxhimi i emIAlit apo orarit; të tjerët janë “agjentë simulimi”, që përpiqen të imitojnë sjelljet, ndjenjat dhe mënyrën e mendimit të njeriut. Këta të fundit janë ata që ngjallin më shumë kuriozitet – dhe shqetësim.

Agjentët Simulues: Pasqyra të sjelljes njerëzore

Agjentët simulues mund të krijojnë një “kopje digjitale” të një njeriu, duke u bazuar në intervista, histori personale apo të dhëna të tjera. Në një studim të përbashkët nga Stanford dhe Google DeepMind, u vërtetua se pas një interviste dyorëshe, agjenti i IA ishte në gjendje të riprodhonte personalitetin e pjesëmarrësit me 85% saktësi.

Këta agjentë kanë përdorime të shumta:

  • Në kërkime shkencore, mund të zëvendësojnë pjesërisht pjesëmarrësit njerëzorë, duke ulur kostot dhe dilemat etike.
  • Në trajnime, ndihmojnë profesionistë si terapistët apo mësuesit të stërviten për situata të vështira.
  • Në vetëreflektim, ofrojnë një pasqyrë të sjelljeve dhe prirjeve tona – si një mënyrë për të njohur më mirë veten.

Megjithatë, sa më shumë që këta agjentë ngjasojnë me njerëzit, aq më shumë lindin pyetje mbi privatësinë, lejimin dhe rrezikun e manipulimit.

Agjentët mjet: rritje e efiçencës

Ndryshe nga agjentët simulues, agjentët mjet fokusohen vetëm në funksionalitet. Ata nuk “kopjojnë” personalitetin e njeriut, por ndihmojnë me punë praktike: menaxhim kohe, automatizim detyrash, mbikëqyrje e të dhënave, etj. Siri, Google Assistant apo agjentët e IA në Salesforce janë shembuj të tillë.

Rreziku këtu është i fshehtë: mbështetja e tepërt tek ta mund të çojë në humbjen graduale të aftësive të rëndësishme si vendimmarrja, zgjidhja e problemeve dhe mendimi kritik.

Rreziqe për lirinë personale dhe marrëdhëniet shoqërore

  • Humbja e vetëkontrollit (agjencia njerëzore): Kur një agjent simulues njeh aq mirë zgjedhjet e një individi, IA mund të fillojë t’i marrë vendimet në vend të tij. Pyetja është: sa shpesh do ta kundërshtonim këtë sistem? Me kalimin e kohës, rrezikojmë të bëhemi spektatorë të jetës sonë.
  • Izolim shoqëror: Agjentët që simulojnë ndjeshmëri apo afeksion mund të duken si shokë idealë, por ndërveprimet me ta nuk kanë thellësinë dhe vërtetësinë e marrëdhënieve reale. Nëse kemi një “shok digjital” që është gjithmonë i sjellshëm, i qetë dhe i kuptueshëm, a do të kemi ende durimin për të ndërtuar marrëdhënie me njerëz realë, me gjithë vështirësitë dhe emocionet e tyre?
  • Çështje etike dhe privatësie: Për të funksionuar mirë, agjentët simulues kërkojnë të dhëna shumë personale. Pa rregulla të forta, ekziston rreziku i keqpërdorimit të këtyre të dhënave, si dhe përdorimi i imazhit të dikujt pa leje, gjë që mund të çojë në manipulime apo mashtrime.

Si të përdorim agjentët e IA për rritje personale

Pavarësisht rreziqeve, nëse përdoren me vetëdije, këta agjentë mund të ndihmojnë në zhvillimin e vetes:

  • Vetëvëzhgim: Agjenti mund të tregojë modele sjelljeje që ndoshta nuk i kemi vënë re si prirja për të shtyrë detyrat apo shmangia e konflikteve.
  • Ndërgjegjësim ndaj paragjykimeve: IA mund të identifikojë mendime të njëanshme që ndikojnë tek vendimet tona, si zgjedhja e kënaqësive afatshkurtra mbi qëllimet afatgjata.
  • Praktikë e sigurt: Agjentët mund të simulojnë situata sfiduese për të na ndihmuar të provojmë qasje të reja pa rrezik real.
  • Zbulimi i pikave të dobëta emocionale: Nëpërmjet reagimeve të IA, mund të identifikojmë kur emocionet na nxisin të veprojmë ndryshe nga vlerat tona.

4 pikat për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme me IA

Për ta përdorur IA në mënyrë të ndërgjegjshme, autoret sugjerojnë të ndjekim këto katër parime:

  1. Analizë – Kuptoni dallimin mes llojeve të ndryshme të IA dhe ndikimin që ato kanë tek ju.
  2. Vlerësim – Reflektoni rregullisht: A po ju ndihmojnë këto mjete të rriteni, apo po ju bëjnë më pasivë?
  3. Përshtatje – Përdorini IA-të sipas vlerave tuaja: për prakticitet, jo për të zëvendësuar marrëdhënie apo mendim kritik.
  4. Avokim – Mbështetni zhvillimin etik të IA, me transparencë dhe mbrojtje të fortë të të dhënave personale.

Kufiri mes ndihmës dhe dëmit

Agjentët e IA nuk janë më thjesht mjete; ata janë pasqyra të njeriut, ndonjëherë për mirë dhe ndonjëherë për keq. Ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për të mësuar më shumë për veten dhe për të përmirësuar jetën, por duhet përdorur me kujdes. Qëllimi nuk është të zëvendësojnë mendimin apo lidhjen njerëzore, por ta plotësojnë atë. Vetëm nëse qëndrojmë të vetëdijshëm, vlerësojmë ndikimin e tyre, përshtatemi me përgjegjësi dhe kërkojmë zhvillim etik, mund të përfitojmë nga fuqia e IA pa humbur atë që na bën vërtet njerëzorë.

Psychologytoday

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top