Objektivi ishte financime për klimën, por në COP29 mbizotëruan grindjet

 

Veprimet ambicioze për klimën shpesh kërkojnë financime ambicioze — qoftë një projekt kalimi në energji të pastër, apo ndihmë për vendet në zhvillim për të lehtësuar pasojat e fatkeqësive natyrore.

Por, ndërsa moti ekstrem bëhet gjithnjë e më i zakonshëm dhe temperaturat rriten në mbarë planetin, ai që duhej të ishte një vit kritik për financimin e përpjekjeve për zbutjen e ndryshimeve klimatike është shndërruar në një vit veçanërisht frustruese.

Gati 50,000 njerëz nga 200 shtete — përfshirë, për herë të parë, sunduesit talebanë të Afganistanit — ishin në Azerbajxhan për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike të këtij viti, me qëllimin të arrijnë marrëveshje kritike për financimin e klimës. Konferenca ishte caktuar të përfundonte të premten, por negociatat mbi financimin u zgjatën edhe në fundjavë.

Drafti i një marrëveshjeje për të ndihmuar botën të përshtatet dhe të përballet me ndryshimet klimatike që u publikua në COP29, premtoi 250 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035, financim nga vendet e pasura për ato më të varfër. Ndërsa kombet e pasura thonë se kjo është realiste dhe afër kufirit të asaj që mund të bëjnë, shuma është më pak se një katërta e asaj që u nevojitet vendeve në zhvillim, të cilat preken më së shumti nga moti ekstrem.

Konferenca u zhvillua nën “hijen” e fitores së presidentit Donald Trump, i cili tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike kur ishte president herën e parë dhe ka premtuar ta bëjë sërish. Atmosfera gjithashtu ishte e ndikuar nga pjesëmarrja e dobët e liderëve botërorë, veçanërisht nga vendet e pasura.

Vendet në zhvillim kërkojnë 1 trilion dollarë në vit deri në fund të dekadës, shumicën e të cilave nga ekonomitë e zhvilluara, për të kaluar në energji të gjelbër dhe për t’u përshtatur me motin ekstrem të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Siç thotë Organizata Botërore Meteorologjike, viti 2024 është në rrugën për t’u bërë viti më i nxehtë në histori, disa ekspertë janë kaq të shqetësuar sa po kërkojnë një qasje krejtësisht të re. Në një letër të hapur, publikuar javën e kaluar, nënshkruesit, përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, thanë se i gjithë kuadri i bisedimeve të OKB-së për klimën “nuk është më i përshtatshëm për qëllimin.”

“Ne mund të zgjedhim të jemi proaktivë për klimën, dhe koha për të qenë proaktiv është duke u tkurrur me shpejtësi,” tha Ruth Townend, një studiuese e lartë në think tank-un e Londrës Chatham House, e cila mori pjesë në konferencë. “Ose mund të zgjedhim të jemi reaktivë, gjë që është shumë më e shtrenjtë, shumë më e vështirë dhe ka një kosto më të lartë njerëzore.”

Disa nga kostot më të mëdha njerëzore do të paguhen nga kombet më të vogla që janë prekur më shumë nga ndryshimet klimatike, përfshirë kombet e ishujve të Paqësorit, ekzistenca e të cilëve është kërcënuar nga ngritja e nivelit të deteve. Por, me COP29 të rënduar nga geopolitika dhe trazirat vendore, disa ishin tërësisht të pavullnetshëm të merrnin pjesë.

Përçarjet në rritje.

Liderët kryesorë nga disa ekonomitë më të mëdha munguan në Baku.

Përmendim presidentin Joe Biden dhe presidentin kinez Xi Jinping, liderët e dy shteteve që shkaktojnë më shumë ndotje të karbonit. Ndërkohë që kryeministri britanik Keir Starmer mori pjesë, shumica e liderëve të tjerë të G7 (shteteve më të industrializuara) nuk morën pjesë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe kryeministrin japonez Shigeru Ishiba.

Ndërsa pjesa më e madhe e punës bëhet nga negociatorët e niveleve të ulëta gjatë netëve të gjata në dhoma pa dritare, prania e kryetarëve të shteteve ka vlerë simbolike, tha Townend.

“Është shumë zhgënjyese të shohësh që liderët botërorë nuk kanë shfaqur solidaritet të plotë” shtoi ajo.

Pavarësisht mungesës së tij fizike, një person, me ndikim është Trump. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar të sigurojnë pjesëmarrësit në konferencë pas fitores së Trump.

Ndërsa Trump “mund ta shtyjë veprimin për klimën në plan të dytë,” tha i dërguari amerikan për klimën John Podesta, “puna për të kontrolluar ndryshimet klimatike do të vazhdojë.”

Sekretarja amerikane e Energjisë Jennifer Granholm tha se, shtetet, qytetet, organizatat joqeveritare dhe kompanitë janë ende “të angazhuara” për të ndjekur qëllimet e klimës. Ajo gjithashtu vuri në dukje se 80% e financimit nga dy ligjet kryesore të Biden, Akti i Reduktimit të Inflacionit dhe Ligji i Infrastrukturës dypartiake, kanë shkuar në distriktet republikane, përfshirë për të promovuar prodhimin e automjeteve elektrike, turbinave të erës dhe paneleve diellore.

Ajo tha se Trump mund ta ngadalësojë, por nuk mund ta ndalë përpjekjen amerikane për klimën.

“Do të ishte keqadministrim politik të prisheshin ato mundësi kur njerëzit sapo janë duke u punësuar,” tha Granholm për NBC News. Rreth 400,000 njerëz janë punësuar për shkak të ligjeve, shtoi ajo.

Madje edhe kompanitë që kanë përfitime nga angazhimi i Trump për të lehtësuar kufizimet mbi kërkimin e naftës dhe gazit kanë shprehur shqetësim. Darren Woods, shefi ekzekutiv i Exxon, tha se shpresonte që administrata Trump të ndjekë një “qasje të shëndoshë” për reduktimin e emisioneve dhe të mbetet në Marrëveshjen e Parisit.

Përmbushja e qëllimeve në kuadër të marrëveshjes, të cilat përfshijnë mbajtjen e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius (2.7 gradë Fahrenheit) mbi temperaturat para-industriale, mund të kushtojë deri në 8 trilionë dollarë në vit, sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga Grupi i Pavarur i Ekspertëve të Lartë për Financat e Klimës.

Kush e paguan faturën? Vendet që janë prekur shumë nga ndryshimet klimatike, megjithëse janë ndotës relativisht të vegjël vetë, janë bërë të frustruara me vendet kryesore ndotëse, të cilat i shohin ato si shmangës të përgjegjësisë për t’i ndihmuar vendet e varfraato të mbulojnë kostot dhe në përpjekje për të mbajtur mbrapa zhvillimin e tyre në emër të mbrojtjes mjedisore.

Drejtuesi i konferencës, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, pati një ton sfidues në fjalimin e tij kryesor, duke thënë se shtetet si i tij nuk duhet të kritikohen për eksportimin e lëndëve djegëse fosile, veçanërisht nga SHBA dhe kombet e tjera të pasura që vazhdojnë të mbështeten te ato.

Aliyev dhe të tjerë, vendet e të cilëve janë zhvilluar më vonë, shumë prej të cilave janë kolonizuar nga Perëndimi, thonë se nuk duhet të dënohen ekonomikisht për ndotjen e shkaktuar nga kombet më të pasura.

“Kush e krijoi këtë ndotje që kemi ne? Janë 120 vjet të revolucionit industrial,” tha i dërguari i Arabisë Saudite për klimën, Adel Al-Jubeir.

Lord Adair Turner i Britanisë, që drejton një koalicion global të njohur si Komisioni për Kalimet Energjetike, tha se i dërguari i Arabisë Saudite jetonte në një “fantazi diplomatike.” “Arabia Saudite, që pavarësisht nivelit të të ardhurave për frymë, prezantohet si vend në zhvillim, është një ofendim për vendet e vërteta në zhvillim si ato në Afrikë”, tha ai në një intervistë. “Ne do të kemi nevojë për burime financiare, jo vetëm nga vendet e pasura të zhvilluara në kuptimin klasik të G7, por edhe nga vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe madje edhe nga Kina.”

Edhe pse Kina u industrializua më vonë se shumë nga ndotësit më të mëdhenj të botës, analistët nga Carbon Brief me seli në Mbretërinë e Bashkuar thanë gjatë konferencës se Kina kishte kaluar Bashkimin Europian si ndotësi i dytë më i madh historik në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Përplasjet mes shteteve kanë shqetësuar më tej kombet e ishujve të Paqësorit, si Guineja e Re, kryeministri i së cilës James Marape tha në gusht se do ta bojkotojë konferencën e Bakus si “një protestë kundër shteteve të mëdha” që vazhdojnë të ndotin, ndërkohë që refuzojnë të paguajnë.

Marape përfundimisht dërgoi një delegacion pas presionit të aktivistëve.

Edhe pse shumë liderë botërorë e anashkaluan konferencën ose u përpoqën, pati edhe pjesëmarrës të rinj nga Afganistani nën udhëheqjen e Talibanëve. Megjithëse Talibanët kanë pasur vështirësi në fitimin e njohjes ndërkombëtare për shkak të rënies së të drejtave të grave dhe shkeljeve të tjera, Afganistani është një nga vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Ky vend i varur nga bujqësia është shtyrë në një “pozitë rreziku,” tha Asadullah Jawid, një profesor në Universitetin Amerikan të Afganistanit, i cili ka studiuar pasojat e ndryshimeve klimatike për fermerët e këtij vendi.

“Dekada luftë dhe pasiguri, sfida ekonomike, infrastrukturë të shkatërruar dhe një fuqi punëtore e varfër e kanë lënë Afganistanin me pak burime për iniciativa të reja ndaj klimës,” tha ai.

CNBC

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top