euro

Ofertë e lartë dhe kërkesë e pakët, Euro prek minimum të ri historik

Euro ka pësuar rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun ditën e martë, duke prekur një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi i këmbimit vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore, me 2.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, ndërsa kërkesa për blerje është e dobët. Kjo ka sjellë rënie të mëtejshme të nivelit të kursit dhe sidomos të çmimit në shitje (ask) të ofruar nga bankat.

Burimi i prurjeve valutore është i vështirë të identifikohet në kohë reale. Hipotezat kryesore ngelen prurjet e lidhura me turizmin dhe me investimin në pasuri të paluajtshme.

Në treg ngelet sidoqoftë i fortë perceptimi për ndikimin e lartë edhe të prurjeve informale të valutës.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit, me 19% me bazë vjetore, por, për të gjithë 6-mujorin 2025, ai ngeli në rënie, 3.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

As blerjet e vazhdueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot rënien e mëtejshme të Euros. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.

grafik Banka Shqipëris

grafik Banka Shqipëris

Monitor

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Brenda teje është një forcë më e madhe se çdo pengesë.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top