OpenAI po shqyrton mundësinë e një kontrate për të vendosur teknologjinë e saj të inteligjencës artificiale në rrjetet “e paklasifikuara” të NATO-s.
Lajmi u raportua fillimisht nga The Wall Street Journal, sipas të cilit drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, kishte deklaruar në një mbledhje të brendshme se kompania po shqyrtonte vendosjen e teknologjisë në të gjitha rrjetet e klasifikuara të NATO-s. Më vonë, një zëdhënëse e kompanisë sqaroi se Altman ishte shprehur gabim dhe se mundësia e kontratës lidhej vetëm me rrjetet “e paklasifikuara”.
Zhvillimi vjen pak ditë pasi OpenAI njoftoi një marrëveshje me Pentagon-in për të vendosur teknologjinë e saj në rrjetin e klasifikuar të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Marrëveshja u arrit pasi presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë rivale Anthropic.
Heqja e Anthropic nga kontrata pasoi një përplasje në negociata me Pentagonin lidhur me përdorimin e teknologjisë së saj. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Dario Amodei, kishte theksuar kundërshtimin e firmës ndaj përdorimit të modeleve të saj për mbikëqyrje masive brenda territorit amerikan apo për zhvillimin e armëve plotësisht autonome.
Pentagoni ka deklaruar më herët se nuk ka interes të përdorë inteligjencën artificiale për mbikëqyrje masive të qytetarëve amerikanë apo për zhvillimin e armëve që operojnë pa përfshirje njerëzore, por ka theksuar se çdo përdorim i ligjshëm i IA duhet të lejohet.
Në një deklaratë të përditësuar pas arritjes së marrëveshjes, OpenAI theksoi se sistemet e saj “nuk do të përdoren qëllimisht për mbikëqyrje të brendshme të shtetasve dhe rezidentëve amerikanë”, duke shtuar se edhe Pentagoni ka konfirmuar se shërbimet e IA nuk do të përdoren nga agjenci inteligjence si National Security Agency.
Duke komentuar marrëveshjen me Pentagonin, Altman e cilësoi atë si “një vendim kompleks, por të drejtë”, duke pranuar se ka pasur pasoja të vështira për imazhin publik të kompanisë në afat të shkurtër.
