Pastori Akil Pano ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale një opinion mbi fenomenin Epstein, duke e trajtuar atë jo thjesht si një skandal kriminal, por si shfaqje të një problemi më të thellë moral dhe strukturor në raportin mes pushtetit, vesit dhe kontrollit.
Më poshtë, opinioni i plotë i Pastorit Akil Pano.
Ka skandale që tronditin opinionin publik për disa javë, dhe ka skandale që duhen lexuar si simptoma të një sëmundjeje shumë më të thellë. Fenomeni Epstein nuk është thjesht histori krimi, por dritare drejt mënyrës se si e keqja organizohet, normalizohet dhe përdoret si instrument pushteti. Kjo histori, e cila ka marrë vëmendjen e pothuaj të gjithëve, ngre disa pyetje që meritojnë përgjigje.
Pse duhej ndërtuar një “offshore i vesit”?
Ashtu si financat ilegale kërkojnë parajsa fiskale, vesi kërkon territore të mbrojtura. Një “offshore i vesit” nuk është domosdoshmërisht vetëm një ishull apo rezidencë luksoze; është një hapësirë jashtë ligjit moral, ku norma përmbyset dhe heshtja blihet.
Historia na tregon se elitat gjithmonë kanë kërkuar vende të tilla. Në Romën e vonë, vilat private të aristokracisë u shndërruan në zona imuniteti moral. Në oborret mesjetare, shthurja mbulohej nga titujt dhe bekimet formale. Në modernitet, kjo merr formën e rrjeteve private, avionëve, ishujve dhe fondacioneve “filantropike”.
Pra, një offshore i vesit shërben për tri gjëra: kënaqësi, komprometim, kontroll.
Pse nuk më habit banaliteti i së keqes?
Sepse e keqja rrallë vjen me britmë. Ajo vjen me zakon, rutinë dhe justifikim. Hannah Arendt e quajti këtë “banaliteti i së keqes”, por fenomeni është shumë më i vjetër.
Shembujt historikë janë tronditës. Caligula e ktheu pushtetin në teatër perversiteti. Neroni shkatërroi Romën ndërsa festonte. Marquis de Sade mishëroi një filozofi ku dhuna dhe epshi shndërrohen në ideologji. Genghis Khan, sipas kronikave historike, shoqëroi pushtimet e tij me dhjetëra mijëra përdhunime sistematike si instrument terrori dhe dominimi.
Asgjë nga këto nuk ishte aksident. Në thelb, ishin struktura vesesh të mbrojtura nga pushteti.
Në Komedia Hyjnore, Dante Alighieri nuk e rendit mëkatin rastësisht. Sa më poshtë në Ferr, aq më e ftohtë dhe më e llogaritur bëhet e keqja. Në rrathët e sipërm qëndrojnë epshi, lakmia dhe shthurja impulsive. Më poshtë ndodhen dhuna dhe abuzimi i pushtetit. Në fund të Ferrit është tradhtia – e keqja e përllogaritur që përdor të tjerët si mjete.
Fenomeni Epstein nuk qëndron në rrethin e parë. Ai qëndron poshtë, aty ku vesit i shtohet manipulimi, rekrutimi dhe tradhtia e të pambrojturve.
Tek fenomeni Epstein shohim edhe diçka tjetër: psikologjinë e krimit të përbashkët, ruajtjen e sekretit dhe mbrojtjen e vëllazërisë.
Kur dy ose më shumë persona ndajnë një akt kriminal ose shthurës, krijohet ajo që psikologët e quajnë kohezion përmes fajit të përbashkët. Logjika është e thjeshtë:
“Ti di për mua. Unë di për ty. Të flasim do të thotë të digjemi të dy.”
Kështu, sekreti shndërrohet në monedhë besnikërie, garanci heshtjeje dhe zinxhir kontrolli. Ky është mentaliteti i bandave, i mafias dhe i shërbimeve të errëta, ku mbrojtja e njëri-tjetrit është më e lirë se e vërteta. Tradhtia është krimi më i rëndë brenda bandës, jo abuzimi me të tretët jashtë saj.
Nga këtu lind pyetja: pse elitave globaliste që kontrollojnë botën u interesojnë njerëz të kapur nga veset?
Një njeri i virtytshëm është i vështirë për t’u kontrolluar. Një njeri i komprometuar është i parashikueshëm. Shërbimet sekrete dhe rrjetet e pushtetit historikisht kanë preferuar politikanë me jetë private të errët, figura publike me varësi dhe njerëz me skelete të fshehura në dollap.
“Ai që humb nderin, humb edhe lirinë.”
Vesi është leva më e lirë e kontrollit politik.
Në fund, ajo për të cilën flitet shumë pak është fenomeni Epstein si normalizim i dekadencës morale. Rreziku më i madh nuk është krimi vetë, por normalizimi i tij. Kur viktimat reduktohen në “detaje procedurale”. Kur fajtorët quhen “rrjet i strukturuar” dhe emrat personal humbasin. Kur media lodhet dhe publiku mpaket.
Atëherë shoqëria mësohet me errësirën.
Siç paralajmëronte Platoni:
“Tirani lind nga shthurja e pakontrolluar.”
Epsteini nuk është përjashtim. Është pasqyrë. Një pasqyrë që na pyet: Çfarë lloj elitash po prodhojmë? Çfarë jemi gati të shesim për rehatinë, kënaqësinë, karrierën, favoret, pasurimin dhe pushtetin? Sa kushton heshtja jonë?
Çdo shoqëri që ndërton offshore për vesin, një ditë do të ndërtojë burg për të pafajshmit.
“E keqja nuk lind nga përbindësha, por nga njerëz që pushteti i ka bindur se janë të paprekshëm.”
— Hannah Arendt
