Ati i Shenjtë Papa Françesku i është drejtuar rinisë shqiptare, me një mesazh që promovon paqen dhe shpresën.Një dekadë pas vizitës historike të tij në Tiranë.
Papa Françesku thekson rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke i bërë thirrje të rinjve shqiptarë të vazhdojnë të jenë një shembull i mirë për rajonin dhe botën. Ati i Shenjtë tha gjithashtu se, takimi MED24 është një mundësi për të ndërtuar ura të reja dialogu dhe për të promovuar paqen dhe drejtësinë në rajonin e Mesdheut.
Hyji i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallime mes nesh. Vëllazëria midis pesë brigjeve të Mesdheut që ju po ndërtoni është përgjigjja, është përgjigjja, është përgjigjja më e mirë, që ne mund t’u ofrojmë konflikteve dhe indiferencave, që vrasin, sepse: Indiferenca vret!
Mësoni së bashku që të lexoni shenjat e kohës. Soditni ndryshimin e traditave tuaja si një pasuri, një pasuri të kërkuar nga Hyji. Uniteti nuk është uniformitet dhe diversiteti i identiteteve tona kulturore dhe fetare është një dhuratë e Hyjit. Pra, Unitet në Diversitet! Lejoni të rriteni në vlerësimin reciprok, siç dëshmojnë të parët tuaj.
Vendosni në qendër zërat e atyre, që nuk dëgjohen. Po mendoj më të varfërit, që vuajnë të qenit të konsideruar si barrë, ose si trazim. Po mendoj ata, që ndonëse të rinj, shpeshherë duhet të braktisin vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Kini kujdes për secilin: pasi nuk flitet për numra, por për persona dhe çdo person është i shenjtë. Flitet për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të jetë i promovuar dhe i mbrojtur: T’i biem mohit kulturës së frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë!
Si një liqen i madh i Tiberiadit, që i është besuar përkujdesjes suaj, banoni brigjet e këtij pellgu, që ju bashkon – Mesdheu ju bashkon! Ju bashkon si një lulishte e bukur për t’u kultivuar. Ruani shpirtin e shërbimit në çdo situatë, kini kujdes për çdo krijesë, që iu është besuar duarve tuaja!
Mësoni të dini të ecni në gjurmët e martirëve tuaj! Kuraja e tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë angazhimet tuaja për t’iu rezistuar të gjitha dhunave, që shpërfytyrojnë njerëzinë tonë, siç diti të bëjë, vetëm 22 vjeçe, e Lumja Marije Tuci.
Ju besoj te Maria, Nëna e Këshillit të Mirë, që gjithmonë hedh vështrimin e Saj me dashuri dhe dhimbje mbi ngjarjet e tokës suaj. Mësoni nga Zemra e Saj e Papërlyer që të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës e të ndiqni shenjat e Hyjit që Mesdheu të rigjejë fytyrën e vet më të bukur: atë të Vëllazërisë dhe të Paqes dhe që të mos jetë më një varrezë.”