Alexander Yashin dëgjon operën duke ndier aromën e bimëve aromatike.
I verbër që nga lindja, 31-vjeçari mund të dallojë vetëm dritën dhe hijet. Ulur në stol në laboratorin e parfumerisë në Moskë ku krijon aroma të reja, fytyra e Yashinit ndriçohet nga një buzëqeshje e gjerë teksa nuhat thellë një mostër të re. Ai është pjesë e një skuadre me katër parfumerë – dy prej të cilëve gjithashtu janë të verbër – që punojnë në markën e parfumeve Pure Sense, me bazë në Moskë.
Themeluesja e kompanisë, Ekaterina Zinchenko, i përfshiu që në fillim në ekip parfumerët e verbër, duke synuar të ndërtojë një atmosferë përfshirëse ku krijimtaria të shprehet lirisht.
“Përfshirja nënkupton që secili të ketë mundësinë të bëjë atë që di të bëjë më mirë,” thotë 29-vjeçarja.
Raftet e laboratorit ku punon Yashin janë të mbushura me dhjetëra shishe të bardha me vajra esencialë dhe eliksirë – të cilët ai i quan “organi i parfumit.”
“Parfumeria është si muzika: kemi nota – elementët individualë të parfumit; kemi akorde – kombinime të notave,” shpjegon ai. Kompozimi përfundimtar është vetë aroma, një përzierje që ngjall emocione, kujtime dhe ndjesi.
Me shqisat e nuhatjes dhe dëgjimit të mprehura për shkak të mungesës së shikimit, Yashin – i formuar si filolog dhe etnograf – frymëzohet nga përvoja e tij si anëtar i një ansambli popullor udhëtues, sa herë ulet për të krijuar aroma të reja.
“Parfumeria, si çdo art apo zanat, është një dije që e mëson gjatë gjithë jetës,” thotë ai.
Ndërsa kompania synon të zgjerohet edhe jashtë Rusisë, Zinchenko vë theksin te larmia e katalogut dhe stili i veçantë i çdo parfumeri në ekip.
“Si sipërmarrëse, për mua është e rëndësishme që secili prej tyre ka karakterin dhe stilin e vet të aromës,” tregon ajo.
“E dalloj pa e parë etiketën se kush e ka krijuar një aromë të re.”