BE-SHBA

Parlamenti Europian zhbllokon marrëveshjen tregtare BE–SHBA

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Ligjvënësit europianë ranë dakord të rifillojnë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e cila ishte pezulluar pas kërcënimeve për tarifa nga presidenti amerikan Donald Trump. Bisedimet do të vijojnë mbi kushtet se si marrëveshja mund të pezullohet në të ardhmen, ndërsa eurodeputetët mund të votojnë për të që në muajin mars.

Vendimi vjen dy javë pasi presidenti Trump hoqi dorë nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj BE-së, të lidhura me çështjen e Groenlandës. Marrëveshja, e arritur në korrik 2024 mes Trump dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, parashikon tarifa amerikane prej 15% për eksportet e BE-së, ndërsa Bashkimi Europian angazhohet të ulë në zero tarifat për mallrat amerikane.

Parlamenti Europian, i cili duhet ta zbatojë marrëveshjen përmes legjislacionit, kishte ndalur procesin pasi Trump kërcënoi disa shtete anëtare të BE-së me tarifa, nëse do të refuzonin t’i hapnin rrugë SHBA-ve për të marrë kontrollin mbi territorin danez të Groenlandës.

“Anëtarët e Komitetit të Tregtisë mbeten të përkushtuar për të avancuar me shpejtësi punën mbi dy propozimet legjislative, për sa kohë që SHBA respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Bashkimit dhe të shteteve anëtare, si dhe zbaton termat e Marrëveshjes së Turnberry-t”, deklaroi Bernd Lange, eurodeputet gjerman dhe kryetar i Komitetit të Tregtisë. Sipas tij, komiteti mund të votojë për marrëveshjen më 24 shkurt, ndërsa një votim në seancë plenare pritet në mars, sipas burimeve të Euronews.

Eurodeputetët nga grupet politike që po merren me dosjen zhvilluan diskutime të mbyllura të mërkurën, ku në fund u arrit një shumicë në favor të zhbllokimit të marrëveshjes. Megjithatë, debatet mbi përmbajtjen e saj ishin të ashpra.

Socialistët & Demokratët, Renew Europe dhe të Gjelbrit kërkojnë përfshirjen e një klauzole që do të lejonte pezullimin e marrëveshjes në rast kërcënimesh të reja ndaj sovranitetit territorial të Groenlandës. Ndërkohë, Partia Popullore Europiane (EPP), grupi më i madh i qendrës së djathtë, kërkon rifillimin sa më të shpejtë të punës për të garantuar stabilitet dhe siguri për bizneset.

“Grupi EPP synon të rikthejë vrullin në marrëdhëniet tregtare BE–SHBA, duke ofruar siguri për bizneset europiane dhe duke forcuar partneritetin transatlantik”, deklaroi eurodeputetja kroate Željana Zovko, negociatorja e grupit.

Ajo u largua nga takimi dukshëm e irrituar, duke komentuar: “Këtu duket si ceremonia e çmimeve Grammy. Disa sillen si yje, por faturën e paguajnë qytetarët.”

Socialistët & Demokratët mbështesin një të ashtuquajtur klauzolë skadimi, sipas së cilës lehtësimi tarifor i BE-së do të përfundonte pas 18 muajsh, nëse nuk rinovohet shprehimisht. EPP, nga ana tjetër, kërkon që kjo klauzolë të hyjë në fuqi vetëm pas tre vitesh.

Ndërkohë, eurodeputetja e të Gjelbërve Anna Cavazzini theksoi se mbeten ende çështje të pazgjidhura.

“BE-ja po përballet me përpjekje të përsëritura shtrënguese nga SHBA, por shtetet anëtare po mbyllin sytë ndaj kësaj realiteti. Parlamenti Europian duhet t’i përgjigjet kësaj paralize me vendosmëri”, u shpreh ajo.

Grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Europën” mbetet kritik ndaj marrëveshjes, duke e konsideruar atë të negociuar keq nga Komisioni Europian, sipas burimeve të brendshme.

euronews.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top