Fashion designer shqiptare e përmasave ndërkombëtare Alisa Dudaj, është paraqitur denjësisht këtë vjeshtë në London Fashion Week. Pas New York Fashion Week në shkurt të vitit 2024, Alisa Dudaj u mirëprit në pasarelat që projektojnë të ardhmen e modës. Me studimet e zhvilluara në Parson, shkolla më e vlerësuar në Botë në fushën e design, ka krijuar një identitet të sajin që në hapat e parë, duke e sjellë veshjen, jo thjesht si trend. Në një intervistë për VASPAS, Alisa Dudaj flet për veshjen si identitet dhe si burim historie.
Për prezantimin në këtë sezon, cilat frymëzime të reja për ju?
Mora frymëzim nga arti i gdhendjeve në dru. Më magjepsin format e tyre të ndërlikuara dhe mjeshtëria që nevojitet për t’i sjellë ato në jetë. Duke e përkthyer atë ndjesi teksture dhe mjeshtërie në veshje, pata mundësi të eksploroja silueta që duken njëkohësisht skulpturore dhe organike.
Si e shihni evoluimin e zërit të markës Alisa Dudaj: më avangardë, më të veshshme, më eksperimentale, apo një përzierje?
E shoh markën të lëvizë drejt diçkaje më të veshshme, por pa sakrifikuar mjeshtërinë apo detajet. Çdo pjesë do të kërkojë ende të njëjtin kujdes dhe kohë për t’u krijuar, ajo që do të evoluojë është lehtësia në veshje dhe qasja e siluetave. Dua që njerëzit të jetojnë me këto rroba, ndërkohë që ndihen se secila prej tyre është e veçantë.

A mund të më shpjegoni një pjesë të koleksionit që përfaqëson më së miri hapin tuaj kreativ këtë sezon (procesin e dizajnit, sfidat, çfarë e bën atë të veçantë)?
Një pjesë që spikat janë këpucët prej druri të gdhendur, të cilat janë ende në zhvillim. U tërhoqa nga ideja e gdhendjeve të drurit të veshura, por sfida më e madhe ka qenë rehatia. Gjatë eksperimentimit, fillova të eksploroja mundësinë e adaptimit të këtyre dizajneve përmes printimit 3D. Kjo mund të më lejojë të riprodhoj estetikën e gdhendur në një mënyrë më të veshshme dhe më të përballueshme, duke ndërthurur mjeshtërinë artizanale me teknologjinë e orientuar nga e ardhmja.
Sa i përket teknikës apo materialeve, a pati ndonjë zbulim apo bashkëpunim që formësoi këtë koleksion?
Bashkëpunimi me një artist të specializuar në gdhendjen e drurit më hapi një rrugë krejt të re kreative. Mjeshtëria e tij më dha mundësinë të imagjinoja tekstura dhe detaje që nuk do t’i kisha arritur dot e vetme. Është një bashkëpunim i vazhdueshëm që besoj se do të frymëzojë shumë drejtime të reja në punën time.

Çfarë reagimesh nga shfaqjet e mëparshme keni përfshirë në dizajnin ose prezantimin tuaj këtë herë?
Feedback-u më i përsëritur që kam marrë ka qenë të marr parasysh më shumë faktin që të mund të vishen në jetën e përditshme. Këtë sezon e kam përqafuar vërtet këtë sfidë, duke balancuar artin me funksionin, dhe ndjej se kam gjetur një harmoni që lejon pjesët të jenë të jetueshme, pa humbur thelbin e tyre.

Meqë Java e Modës në Londër ka ndikim global, si shpresoni të përktheni vlerat tuaja të dizajnit në tregje të ndryshme?
Dua t’i rikthej ndjenjën e identitetit veshjes. Për mua, rrobat nuk janë thjesht objekte konsumi, por bartëse historie dhe kuptimi. Në një kohë kur moda e shpejtë nxit disponueshmëri të menjëhershme dhe hedhje, dua që puna ime të inkurajojë njerëzit të vlerësojnë dhe të lidhen me atë që veshin, pavarësisht se ku ndodhen në botë.
Cilat trende mendoni se janë të keqpërfaqësuara ose të tepruara për momentin, dhe si synon puna juaj të ofrojë diçka ndryshe?
Besoj se çdo trend ka vendin e vet, për sa kohë që rezonon me njerëzit. Ajo që ndiej fort është jo eliminimi i trendeve, por rishikimi i konsumit. Problemi i vërtetë është mbetja që gjenerohet nga blerjet pa mendim, pa kuptim. Përmes punës sime, dua të krijoj pjesë në të cilat njerëzit investojnë emocionalisht, veshje që mbajnë vlerë, në vend që të hidhen në fund të një sezoni.

Produksioni nga Fashion Scout (@fashionscout). Fotografët: Nici Eberl (@nicieberlphoto), Val Stuppia (@valstuppia), Gabrielle Thomas (@photosbygabs__), Gala Netylko (@galanet_), Eia Hopkinson (@photosbyeia), Raffaella Bichiri (@raffaellabic_photography). Fotot zyrtare të pasarelës nga Chris Yates (@itschrisyates).