Artur Jella

Pazari Diplomatik AIDE 2025 në Madrid – Shqipëria prezantohet me shije autentike nga Shija Balcanes

Gjatë muajit prill, në ambientet e “Palacio de Cibeles” në Madrid, u zhvillua AIDE Diplomatic Bazaar 2025, një ngjarje me karakter ndërkombëtar, e organizuar nga AIDE (Asociación Internacional Diplomática en España). Ky panair i përvitshëm mbledh ambasadat nga e gjithë bota për të prezantuar gastronominë, kulturën dhe artizanatin tradicional të vendeve që përfaqësojnë. Të gjitha të ardhurat nga shitja e produkteve në këtë event shkojnë për bamirësi, konkretisht për Fondacionin “Reina Sofía”.

Në këtë atmosferë shumëkulturore, Ambasada e Shqipërisë në Spanjë u prezantua denjësisht përmes ushqimeve dhe pijeve tradicionale shqiptare, të përgatitura me përkushtim nga ekipi i “Shija Bacanes”. Ky bashkëpunim u cilësua një nder i veçantë për të gjithë ata që përfaqësojnë kuzhinën shqiptare jashtë vendit.

Përgatitjen e menuse shqiptare e realizoi shefi i kuzhinës Artur Jella, me mbi 15 vite përvojë në gastronominë ndërkombëtare. Arturi është themelues i restorantit “Shija Balcanes” në Madrid – i vetmi restorant në qytet që bashkon kuzhinat e Ballkanit dhe i trajton ato në nivelin e alta cocina (kuzhinës së lartë). Ai ka punuar në kuzhina të ndryshme në Spanjë, Angli dhe Itali, dhe është i njohur për pasionin e tij në krijimin e pjatave që ruajnë autenticitetin e shijeve tradicionale, por me prezantim bashkëkohor.

Gjatë panairit, pjesëmarrësit patën mundësinë të provojnë gatime të veçanta shqiptare si fli me djathë, qofte me mish viçi, tavë Tirane, hallvë me miell misri, gliko mandarine, çaji mali i ftohtë e plot të tjera, të cilat u vlerësuan maksimalisht nga vizitorë nga e gjithë bota. Çdo pjatë u ofrua me një çmim simbolik pasi të ardhurat shkojnë për bamirësi.

Artur Jella vazhdon të sjellë shijen e Ballkanit në Spanjë edhe jashtë mureve të restorantit të tij. Ai ofron shërbime private gatimi për evente familjare, profesionale apo festive, si dhe catering me menu të kuruara me detaje. Përveç kësaj, Arturi jep konsulencë për biznese të gastronomisë në zhvillim.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë event është një dëshmi e fuqisë së diplomacisë kulturore përmes kuzhinës dhe një mundësi për të forcuar imazhin e vendit në skenën ndërkombëtare.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top