Për dekada me radhë, kompanitë shumëkombëshe e trajtuan lokalizimin si një rregullim sipërfaqësor: përshtatnin marketingun, paketimin apo çmimet sipas shijeve lokale. Por në botën e sotme gjithnjë e më të fragmentuar, ky qasje nuk mjafton më.
Politikat tregtare bien ndesh me njëra-tjetrën. Ligjet për të dhënat ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Shumë qeveri po zbatojnë rregulla të rrepta për sovranitetin e të dhënave, furnizimin lokal dhe transferimin e teknologjisë. Kompanitë nuk mjaftohen më duke shitur produkte nga jashtë; ato duhet të kryejnë brenda vendit operacione kyçe nga kërkimi dhe zhvillimi, te prodhimi dhe përpunimi i të dhënave.
Rezultati është një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionojnë kompanitë globale.
Lind “kompania multipolare”
Përballë këtij realiteti të ri, kompanitë shumëkombëshe po ndërtojnë zinxhirë furnizimi paralelë, po përshtaten në kohë reale me tregjet lokale dhe po integrojnë furnitorë kombëtarë e rajonalë edhe kur kjo ul përfitimet nga shkalla e madhe.
Autorët e quajnë këtë model të ri “kompania multipolare”: një kompani shumëkombëshe e strukturuar si një rrjet biznesesh rajonale të integruara, të udhëhequra nga vendimmarrje strategjike e centralizuar. Ndryshe nga decentralizimi klasik, ky model nuk kopjon të njëjtin sistem kudo, por përshtat teknologjinë, proceset dhe mënyrën e punës sipas realiteteve gjeopolitike dhe të tregut lokal.
Çfarë e bën një kompani multipolare të suksesshme?
Bazuar në një analizë të gjerë të të dhënave mbi investimet e huaja, rrjetet e partneriteteve, furnitorët dhe një sondazh me 1,000 drejtues ekzekutivë, autorët identifikojnë tre faktorë kyç për suksesin në mjedisin aktual global:
-
Ndërtimi i kapaciteteve rajonale të rrënjosura
-
Formësimi i rregullave dhe ekosistemeve lokale
-
Konkurrimi me shpejtësinë e inteligjencës kolektive globale të fuqizuar nga IA
1. Kapacitete rajonale të forta dhe autonome
Në të kaluarën, vetëm disa tregje si Japonia kishin operacione të plota lokale. Sot, fragmentimi gjeopolitik dhe rregullator kërkon që çdo rajon të ketë autonomi reale në të gjitha funksionet kryesore, jo vetëm në prodhim.
Kompanitë multipolare të suksesshme ndërtojnë operacione modulare dhe fleksibël, nga R&D te shërbimi ndaj klientit, që mund të funksionojnë edhe pa mbështetje të vazhdueshme nga qendrat globale, sidomos në kohë krize.
Shembulli NVIDIA
NVIDIA nuk po hap thjesht zyra në vende të ndryshme. Ajo po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si shtetet ndërtojnë infrastrukturën e inteligjencës artificiale:
-
Në SHBA po zgjeron kapacitetet prodhuese me partnerë të shumtë.
-
Në Europë po investon në infrastrukturë dhe qeverisje të IA së bashku me banka shtetërore dhe start-up-e.
-
Në Lindjen e Mesme po ndërton kapacitete gjigante për IA.
Kjo qasje pasqyron edhe zhvendosjet globale të investimeve: Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore kanë dyfishuar peshën e tyre në investimet e huaja direkte, ndërsa Eurozona ka forcuar pozicionin e saj.
Talent lokal, ndikim global
Kapacitetet rajonale nuk janë vetëm çështje infrastrukture, por edhe talenti. Kompanitë fituese ndërtojnë një fuqi punëtore “lokalisht të thellë dhe globalisht relevante”.
Siemens, për shembull, ka krijuar qendra inovacioni në Bengaluru, Shanghai, Shenzhen dhe Abu Dhabi, të drejtuara nga ekspertë vendas, por të lidhura ngushtë me platformat globale të kompanisë.
2. Formësimi i rregullave dhe ekosistemeve
Në realitetin e ri, nuk mjafton të respektohen rregullat, kompanitë duhet të ndihmojnë në krijimin e tyre. Kjo kërkon përfshirje të thellë në ekosistemet lokale dhe ndërtimin e besimit si partner afatgjatë.
Rasti i Microsoft në Europë
Në vitin 2025, Microsoft shpalli Angazhimet Dixhitale Europiane, duke u zotuar që:
-
Të gjitha të dhënat e sektorit publik europian të ruhen dhe përpunohen vetëm brenda BE-së
-
Të investojë masivisht në infrastrukturë cloud në Europë
-
Të kundërshtojë çdo urdhër qeveritar që cenon të dhënat e klientëve europianë
-
Të krijojë një bord drejtues për operacionet europiane të përbërë vetëm nga shtetas të BE-së
Ky është një shembull i qartë i lokalizimit strategjik dhe politik.
Partneritete gjithnjë e më të dendura
Partneritetet globale po rriten me shpejtësi, sidomos në kërkim shkencor dhe investime të përbashkëta. Një shembull domethënës është Catena-X, një platformë gjermane që standardizon shkëmbimin e të dhënave në industrinë automobilistike dhe tashmë po zgjerohet edhe në Kinë.
3. Inteligjencë kolektive e fuqizuar nga IA
Vendimmarrja lokale nuk është e re. E reja është se sot çdo vendim lokal mund të shpërndahet menjëherë globalisht.
Kompanitë multipolare po ndërtojnë atë që autorët e quajnë “truri dixhital i ndërmarrjes” një sistem inteligjence që mbledh të dhëna nga e gjithë kompania dhe i përpunon me IA për të ofruar njohuri në kohë reale.
Ecolab bashkoi ekipet e IT-së dhe zgjidhjeve dixhitale në një njësi të vetme globale. Sot, 28,000 punonjës në terren përfitojnë nga praktikat më të mira të zhvilluara kudo në botë. Një zgjidhje e krijuar në Azinë Juglindore mund të aplikohet brenda ditësh në SHBA.
Ky model rrit qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit dhe përshpejton reagimin ndaj krizave.
