IA

Përdorimi i IA për të gjetur informacion mund të varfërojë njohuritë tuaja

Prej lançimit të ChatGPT në fund të vitit 2022, miliona përdorues kanë nisur t’i drejtohen modeleve të mëdha gjuhësore për të marrë informacion. Arsyeja është e thjeshtë: kërkon diçka, merr një shpjegim të sintetizuar dhe përfundon brenda sekondash duke krijuar përshtypjen se po mëson me shumë lehtësi.

 Një studim i ri, i kryer nga dy profesorë të marketingut, mes tyre dhe autori i punimit, sjell prova eksperimentale se kjo lehtësi mund të ketë një kosto. Kur njerëzit mbështeten te modelet gjuhësore për të përmbledhur informacion, ata përfundojnë duke zhvilluar një njohuri më të cekët krahasuar me ata që kërkojnë vetë përmes Google.

Studimi përfshiu shtatë eksperimente me mbi 10,000 pjesëmarrës. Pjesëmarrësve u kërkohej të mësonin diçka ,si të rritnin një kopsht perimesh dhe më pas ndaheshin rastësisht në dy grupe: ata që përdornin një model të madh gjuhësor si ChatGPT, dhe ata që kërkonin informacion në mënyrë tradicionale me Google.

Të dyja palëve u jepej liri e plotë, përdoruesit e ChatGPT mund të shtonin sa pyetje të dëshironin, ndërsa ata të Google mund të kërkonin pafundësisht.

Pas kërkimit, pjesëmarrësve u kërkohej të shkruanin këshilla për një mik, bazuar në atë që kishin mësuar. Rezultatet ishin të qarta: ata që kishin mësuar përmes një modeli të madh gjuhësor ndiheshin se kishin mësuar më pak, shpenzuan më pak përpjekje dhe shkruan këshilla më të shkurtra, më pak faktike dhe më të përgjithshme.

Kur këto këshilla iu dhanë për lexime një grupi tjetër njerëzish, të cilët nuk e dinin se nga cili mjet vinte informacioni, ata i vlerësuan këshillat e hartuara pas përdorimit të IA, si më pak të dobishme dhe më pak informuese.

Edhe kur faktet janë të njëjta, rezultati mbetet i njëjtë

Për të përjashtuar mundësinë që modelet e mëdha gjuhësore thjesht ofrojnë informacion më të kufizuar, studiuesit realizuan një eksperiment shtesë: të gjithë pjesëmarrësit u ekspozuan ndaj së njëjtës listë faktesh, si përmes Google-it, ashtu edhe përmes ChatGPT-së.

Në një provë tjetër, platforma nuk ndryshoi, të gjithë përdorën Google,por një grup kërkoi në mënyrën tradicionale, ndërsa grupi tjetër përdori funksionin IA.

Çfarë u zbulua? Edhe kur faktet dhe mjeti i kërkimit ishin të njëjtë, ata që u mbështetën te përmbledhjet e IA përfunduan me njohuri më sipërfaqësore sesa pjesëmarrësit që mblodhën dhe interpretuan informacionin vetë.

Sipas studiuesve, mësimi efektiv kërkon përfshirje aktive. Me kërkimet tradicionale, përdoruesi kalon nga një burim te tjetri, lexon, krahason, interpreton,dhe sintetizon vetë informacionin. Kjo gjë ndihmon në krijimin e një kuptimi më të thellë dhe më origjinal.

Ndërsa me modelin gjuhësor procesi i interpretimit dhe përmbledhjes bëhet automatikisht duke e kthyer mësimin në një proces pasiv, më të varfër në përthithje.

A duhet të heqim dorë nga IA?

Autorët theksojnë se qëllimi i këtij studimi nuk është t’i largojë njerëzit nga mjetet e inteligjencës artificiale. Përkundrazi, ata nxisin përdoruesit të jenë më strategjikë.

  • Për përgjigje të shpejta dhe faktike,IA është ideal.

  • Por për të ndërtuar njohuri të thella dhe të qëndrueshme, nuk mjafton një përmbledhje e gatshme.

Në një eksperiment tjetër, studiuesit testuan një model GPT që shoqëronte çdo përmbledhje me linke të drejtpërdrejta nga web-i. Megjithatë, sapo përdoruesit merrnin një përmbledhje të gatshme, ata nuk shihnin më arsye për të kaluar te burimet origjinale.

Rezultati mbeti i njëjtë: njohuri më të cekëta.

Më tej studiuesit synojnë të eksplorojnë mënyrat se si mjetet gjenerative të IA mund të përmirësojnë procesin e të nxënit, duke vendosur një lloj “frenimi të shëndetshëm”, që i motivon përdoruesit të shkojnë përtej përgjigjeve të gatshme.

Një qasje e tillë është veçanërisht e rëndësishme në arsimin e mesëm, ku sfida kryesore është ndërtimi i aftësive bazë të leximit, shkrimit dhe matematikës, ndërkohë që studentët përgatiten për një botë ku AI do të jetë pjesë e pandashme e jetës së përditshme.

sciencealert.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top