Nga borxhet deri te shpenzimet emergjente të papritura, shumë gjëra mund të shkaktojnë shqetësime financiare. Sipas Aja Evans, një terapiste financiare dhe autore e librit “Feel Good Finance”, çelësi për ta kapërcyer këtë fillon nga mendësia juaj.
Ajo këshillon shumë nga klientët e saj të përsërisin një frazë sa më shumë të jetë e mundur: Unë mund ta menaxhoj situatën time financiare.
“Është një deklaratë e përgjithshme. Pavarësisht nëse situata është e mirë apo e keqe, thoni ‘Unë mund ta menaxhoj situatën time financiare’, thotë Evans.
Shpesh, stresi për paratë lidhet me shqetësimet për sigurinë tuaj. Por, kjo frazë mund t’ju kujtojë se jeni në gjendje të kaloni çdo situatë financiare ku ndodheni, shprehet ajo.
Ja si mund të ndikojë kjo frazë tek ju:
Pushteti i mendimeve pozitive
Truri ynë është gjithmonë duke përthithur informacion dhe duke përshtatur sjelljet tona sipas tij, thotë Evans. Prandaj, ajo që i thoni vetes ka rëndësi.
Duke ia përsëritur vetes: “Unë mund ta menaxhoj situatën time financiare”, ju filloni të riprogramoni trurin tuaj për t’iu përgjigjur sfidave financiare me besim në vend të panikut. Kjo gjithashtu ju ndihmon të largoheni nga modelet negative të mendimit për paratë.
Por nuk mjafton vetëm ta thoni këtë frazë; duhet ta besoni atë.
“Thelbi i kësaj është që duhet të besoni në të,” thotë Evans. “Kjo ju forcon, në mënyrë që kur të vijë një krizë, të besoni vërtet që mund ta menaxhoni atë.”
Si të ndryshoni mendësinë tuaj për paratë
Përveç se t’i thoni vetes “Unë mund ta menaxhoj situatën time financiare,” Evans rekomandon të shkruani kohët e kaluara kur e keni kaluar me sukses një vështirësi financiare. Në këtë mënyrë, kur t’i thoni vetes se mund të përballoni çdo situatë, do të keni prova për ta mbështetur atë.
“Po i kujtoni vetes se keni kaluar ditët tuaja më të vështira dhe mund ta bëni përsëri,” thotë ajo.
Është gjithashtu thelbësore të ndërmerrni hapa konkretë për t’u përgatitur për të papriturat, si rritja e kursimeve tuaja.
“Unë nuk dua që askush të mendojë se, sepse po thotë një thënie motivuese, paratë do të bien thjesht në llogari. Sigurohuni që të jeni të sigurt dhe financiarisht të qëndrueshëm, ndërkohë që e thoni atë”, thotë Evans.