përmbyetje

Përmbytjet në ditën e katërt, mbi 1 500 banesa dhe 13 mijë hektarë tokë nën ujë

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Situata e përmbytjeve vijon të mbetet problematike edhe në ditën e katërt të motit të keq. Sipas bilancit të paraqitur në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, deri më tani janë përmbytur 1 587 banesa dhe rreth 13 211 hektarë tokë bujqësore. Për përballimin e situatës, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 50 milionë eurosh, ndërsa është garantuar dëmshpërblimi për banorët e prekur.

Në disa zona është vërejtur një përmirësim gradual i situatës, me nisjen e tërheqjes së ujit, por Durrësi mbetet ndër qarqet më problematike. Në zonën e Durrësit të Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave janë në terren për normalizimin e situatës, ndërsa verifikimet kanë evidentuar deri tani rreth 2 380 banesa të përmbytura. Aktualisht, 356 persona janë evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele dhe pjesa tjetër në konvaleshencat e institucioneve shtetërore.

Në Sukth, niveli i ujit ka nisur të bjerë, veçanërisht në zonën e Vadardhës, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, shumica e të cilëve janë strehuar pranë familjarëve.

Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës, duke ndihmuar në tërheqjen graduale të ujit nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në fshatin Bishan, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë. Ndërkohë, në qarkun e Fierit raportohen ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal i infrastrukturës kryesore.

Probleme vijojnë edhe në qarqet e Korçës, Dibrës dhe Elbasanit, ku reshjet e shiut e dëborës, temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokime rrugësh, veçanërisht në zonat malore.

Sipas sinoptikanëve, moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në ditët në vijim, me reshje shiu e dëbore, rënie të temperaturave nën zero gradë dhe erëra të forta, çka mban të lartë rrezikun për përmbytje dhe probleme të tjera infrastrukturore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top